Flash News

KRYESORE

Përgjimi për Agron Xhafajn, Prokuroria thërret 2 deputetët e PD

Përgjimi për Agron Xhafajn, Prokuroria thërret 2 deputetët e

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka thirrur për dëshmi në lidhje me audioregjistrimin e vëllait të ministrit Xhafaj, tre deputetët e PD-së, që e bënë publike pak ditë më parë.

“Panorama” mëson se në Prokurori do të dëshmojnë ditën e sotme, në orën 10:30, deputetët Ervin Salianji, Enkeljd Alibeaj dhe zyrtari i PD, Gazment Bardhi. Kjo lëvizje e Prokurorisë vjen një ditë pasi sekuestroi audioregjistrimin e PD-së.

Dy ditë më parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi një oficer të Policisë Gjyqësore që të sekuestronte audioregjistrimin. Materiali është dërguar jashtë vendit për ekspertizë të specializuar, për të provuar nëse ka pasur ndërhyrje në të.

Gjithashtu, në Prokurori është administruar edhe një material zanor nga Agron Xhafaj, që të bëhen krahasimet për zërin nëse realisht i përket atij. Ky i fundit është nisur me avokatin në Itali, për t’u sqaruar me autoritetet italiane në lidhje me dënimin e marrë atje vite më parë. Ai madje e njoftoi këtë lëvizje përmes një letre publike.

Në këtë dosje duket e angazhuar fort edhe drejtuesja e komanduar e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela. Disa ditë më parë, Partia Demokratike publikoi një audioregjistrim që pretendon se është i Agron Xhafajt. Në këtë audioregjistrim të zhvilluar në Vlorë, një person, sipas PD-së, i kërkon Agron Xhafajt ta ndihmojë me një ngarkesë droge.

Personi ka qenë i njohur i Agron Xhafajt dhe, sipas PD-së, pasi u burgos, Agron Xhafaj nuk u interesua më për të. Në audioregjistrim, bashkëbiseduesi që mendohet se është Agron Xhafaj, i thotë bashkëpunëtorit se kohët e fundit po sulmohej shumë nga opozita dhe se ishte hera e parë dhe e fundit që e ndihmonte. Ai e adreson te një person me emrin Ermal dhe më pas biseda mbyllet.

Mirëpo, audioregjistrimi është konsideruar si i manipuluar nga qeveria, edhe pse ekspertiza nuk e ka ardhur zyrtarisht. Akuzat ndaj Agron Xhafajt nisën muajin e fundit të intensifikohen. PD pretendon se ministri i Brendshëm ka fshehur dënimin e vëllait të tij dhe ka penguar ekstradimin e tij, duke falsifikuar edhe ndryshimet ligjore. Agron Xhafaj rezulton se është dënuar në Itali me 7 vjet e dy muaj burgim. Por ai pretendon se në Itali, në vitin 2002, është ndaluar dhe më pas dëbuar nga autoritetet dhe nuk ka qenë kurrë në kërkim më pas.

 

 

 

 

Të fundit