Përjashtimi i Topallit dhe Imamit, Edith Harxhi: Basha largoi boshtin e partisë; çështja e kryetarit pas zgjedhjeve

Pas statusit që bëri dje kundër Lulzim Bashës, Edith Harxhi ka përfërcuar deklaratat e saj gjatë bashkëbisedimit me studentët në ‘Këndin e Ekselencës’ në Neës 24.

Harxhi theksoi se është dakord me Bashën kur thotë se duhet qarkullim elitash, por qarkullim duhet të ndodhë brenda strukturave të partisë.

“Unë besoj shumë në ciklimin e elitave. Elitat kanë nevojë të qarkullojnë, sidomos në një vend si Shqipëria. Elitat qarkullojnë brenda strukturave dhe këtu flas për ato struktura që janë pjesë e një institucioni. PD është institucion. Në zgjedhjet e 2015-ës kemi patur problem në funksionimin e strukturave. Arsyeja përse ato nuk funksionojnë lidhen me faktin se strukturat mblidhen vetëm në kohë fushate. Jam dakord me zotin Basha kur thotë se ka nevojë për ndryshim elitash, por elitat ndryshojnë brenda strukturave”, tha Harxhi.

Ish-zv/ministrja e Jashtme komentoi përjashtimin e Jozefina Topallit dhe Arben Imamit nga listat e PD, duke theksuar se ata nuk janë kontribues në parti, por janë boshti i saj. Sa i përket këkesës për shkarkimin e Bashës, ajo tha se kjo çështje duhet të ngrihet pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Unë nuk mendoj se ata që janë përjashtuar janë kontribues, ata janë ideolog të partisë, janë boshti i saj. Unë i besoj Republikës së Re por vetëm kur t’i japim fund kësaj ideologjie politike e cila ngrihet duke rrëzuar gjithçka. Unë jam pjesë e PD dhe dëshiroj shumë që të fitojë bindshëm sepse e keqja më e madhe është situata aktuale e krijuar nga kjo qeveri. Nuk kam qenë partizania më e madhe e përfundimit të çadrës në atë formë sepse jam qëndrestare. Mendoj se mund të kishte qenë një zgjidhje tjetër pa filluar çadra. Zonja Topalli është e nderuar dhe unë kam respekt për të. Nuk dua të interpretoj fjalët e saj, por unë mendoj se ne duhet të mbështesim PD dhe se çështja e liderit duhet të shihet pas zgjedhjeve”, u shpreh Harxhi.