Flash News

KRYESORE

Përmbytja e drejtë, që përlau 13 urat hileqare të tranzicionit

Përmbytja e drejtë, që përlau 13 urat hileqare të

Alfred Lela

 

Një opozitë etike dhe një mazhorancë publicitare janë dy gjëra që spikasin, ndër të tjera, mbi shtëpitë e përmbytura dhe dëshpërimin e banorëve, në një dy ditësh aspak të lehtë për Shqipërinë. Opozita ka vepruar si një qeveri-hije duke dubluar në të gjitha zonat problematike të dërguarit e qeverisë. Njoftimet në redaksitë e mediave kanë ardhur nga të dy krahët, duke mundësuar raporte verifikuese nga terreni.

Raportimet e opozitës janë përmbajtur te ndihma dhe kritika, duke shënuar kështu një kthesë në qëndrimet opozitare në raste fatkeqësish natyrore. Të tjera pamje dhe fjalë mbajnë mend gazetarët nga ish-shefi i opozitës dhe të tijtë, kur në pushtet ishte PD e Berishës, në rastin e përmbytjeve në Lezhë dhe Shkodër.

Ky arsyetim nuk mund të ngrejë shumë peshë në një gjendje që është gri e më zi, dhe lejon edhe për qëndrime bardh-e-zi.

E zeza mbi të bardhë nuk ka se si të mohohet. Një vëzhgim që më mirë se çfarëdo e siguron kontrasti. Dy shpurat e njerëzve që takohen në mes të pëmbytjes, nuk ngjajnë si banorë të së njëjtës republikë. Përfaqësuesit e shtetit duken si danezë, ndërsa banorët si të ardhur nga 'Shqipëria tjetër' e Marin Memës, e cila nuk 'ekziston' më që pas ardhjes në pushtet të Ramës. Edhe pse i shndërruar në 'Gjurmë shqiptare' gjurmët e 'Shqipërisë tjetër' shfaqen këto ditë në kronikat televizive dhe në raportimet e medias së re.

Në këtë Shqipëri montaneliane, 'një e njëmijë', të thatët si arra takohen me të lagurit si shiu; duart me baltë takohen me duar që pas dushit të mëngjesit masazhohen me krem zbutës; fytyrat e prehura takohen me portretet e pagjuma; fëmijët e shpresës takohen me etërit e iluzionit. Ajo që mpikset në këtë takim realitetesh kontrastuese është 'Shqipëria tjetër'.

Për të kaluar tej njerëzve, por për të mbetur sërish te veprat e tyre, hidhini një sy urave të marra përpara si punëdore fëmijësh nga shirat e nëntorit. 13 prej tyre numëroi kryetari i Emergjencave Civile. Në Facebook ndërtohej një kontrast tjetër. Urat e Tranzicionit dhe Urat e Mesjetës apo të kohës së Mbretit Zog. Këto të dytat qëndronin gjithmonë në këmbë. Nuk kishte stuhi që i tundtte. Ndoshta, sepse, jo në të gjitha kohët, për cilësinë dhe këmbën e munguar të një ure, nuk mund të bësh me gisht nga një vilë në kodër.

Apo mos ndoshta shirat e kësaj kohe janë më idhnakë? Kush e di.

Në fund fare, për t'i thënë të zezës së zezë e të bardhës së bardhë, të mos ngurrojmë në pranimin e një fakti. Përmbytjet janë vepër e njeriut shqiptar, po aq sa janë 'dora e Zotit'. Me 'njeri shqiptar' kupto edhe fshatarin që bërtet për bagëtinë e ngordhur; edhe biznesmenin për investimin e shkatërruar; edhe qytetarin që e hedh qesen e mbeturinave nga dritarja e veturës në kanalin anës autostradës. Sidomos nënkupto zyrtarin. Atë që ka mbyllur një sy apo dy, që ka marrë diçka nën dorë, që ka bërë një vilë apo makinë me çfarë ka marrë nga cilësia dhe materiali i asaj ure që sot shtrihet kurrizthyer mbi një lumë që nuk do të pushojë kurrë së na vëni në provë.

Ai do të vërshojë përjetë të jetëve drejt kanaleve, argjinaturave, bonifikimeve, shmangieve dhe hileve njerëzore. Natyra e tij do ta sabotojë pareshtur natyrën njerëzore. Parimi i tij do ta përqeshë parimin tonë.

Hera e fundit që e patë atë ngërdheshje të lumit, janë ato urat e gjymtuara mbi shtatin e tij që zgjatet drejt detit. Për t'u kthyer sërish për sprovën e tij.

Jini gati.

Të fundit