Përmbytja te “Misto Mame”, Veliaj gjen fajtorët: Lekët për kanalizimet i vodhi Berisha me Vasilin

Përmbytja e rrugës në zonën e “Misto Mames” në Tiranë, të cilën kryebashkiaku Erion Veliaj e reklamoi disa ditë më parë si tërësisht të rikonstruktuar, i dha goditje të fuqishme propagandës së bashkisë.

Por edhe në këtë rast, Veliaj ka hequr përgjegjësinë nga vetja dhe për përmbytjen ka akuzuar opozitën. Duke folur në emisionin ‘Debati’ në Channel One, Veliaj deklaroi se në këtë zonë ka pasur një projekt të qeverisë shqiptare dhe asaj japoneze për rrjetin e kanalizimeve, por për shkak të abuzimit me fondet, ai nuk u realizua nga ata që sot janë në opozitë.

“Aty ka pasur një projekt të kanalizimeve, që nuk është i Bashkisë së Tiranës. Sali Berisha dhe Petrit Vasili drejtonin projektin e kanalizimeve të qeverisë japoneze. Për sa kohë PD do ketë ideolog Sali Berishën dhe Petrit Vasilin te LSI, do shkojnë poshtë e më poshtë. Petriti është ideologu i gjithë çmendurisë së LSI-së, ka qenë një parti normale para pak. Por, ata ishin të vetmit që reaguan dje. Të akuzuarit dhe të hetuarit për Fondin Japonez janë stafi i këtyre dy zotërinjve që u preokupuan dje. Këta mbrëtërit e prostatës dalin dhe japin mendim për çdo gjë para se të mbarojë. Në fakt bëjnë autogol sepse vodhën vete administratat e tyre”, tha Veliaj.