Flash News

OP-ED

Përse Bosnjë e Hercegovina nuk duhet të përfshihet në 'Shengenin e vogël'

Ideja për formimin e të ashtuquajturit „Shengeni i vogël“, projektit rajonal të bashkimit doganor me të cilin do të ngrihej më lart, dhe në mënyrë më intensive, niveli i bashkëpunimit (kryesisht ekonomik) mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, është fillimisht idé e Aleksandër Vuçiçit...

Përse Bosnjë e Hercegovina nuk duhet të përfshihet në

Senad Avdiç/ Gazeta Sllobodna Bosna

 

Ideja për formimin e të ashtuquajturit „Shengeni i vogël“, projektit rajonal të bashkimit doganor me të cilin do të ngrihej më lart, dhe në mënyrë më intensive, niveli i bashkëpunimit (kryesisht ekonomik) mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, është fillimisht idé e Aleksandër Vuçiçit, presidentit të Serbisë, të cilën ai ka një kohë të gjatë që e propagandon.

Mbi „Shengenin e vogël“, i cili sipas shembullit të „Shengenit të madh“ si trashëgimia dhe arritja më e madhe e Bashkimit Europian, heqjen e kufijve dhe „barrierat formale“ të tjera mes shteteve të rajonit, presidenti i Serbisë ka folur gjatë dhe me këmbëngulje (herën e fundit gjatë mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork) para se të bëhej hapi dhe lëvizja konkrete në këtë drejtim, para dy a tri javësh. Në Novi Sad, me 10 tetor, u mbajt takimi, i organizuar nga Vuçiçi dhe në të cilin morën pjesë kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe ai i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev. Të tre liderët me këtë rast nënëshkruan „Deklaratën mbi synimet“ për formimin e „Shengenit të vogël“ mes vendeve të tyre me të cilin, sikurse u tha „do të sigurohet implementimi i katër lirive themelore: i lëvizjes, i njerëzve, i kapitaleve dhe mallrave“.

Duke shpjeguar qëllimin, përparësinë dhe perspektivën e këtij projekti Aleksandër Vuçiçi tha se „deri në fund të vitit 2020 do të kemi mundësi që vetëm me karta identiteti të kalojmë nga njëri vend në tjetrin“. Ai konstatoi sesi „kamionët, në kufijtë e rajonit humbasin, duke pritur, 26 milionë orë dhe kësisoj mjafton vetëm të merret në konsideratë sesa do të fitojë ekonomia e këtyre vendeve nëse hiqen barrierat“. Presidenti i Serbisë tha se dëshiron „që me në të bashkohen edhe vendet e tjera të gjashtëshes Ballkanike“, sepse kjo, sipas mendimit të tij, „ka rëndësi themelore për zhvillimin e tërë rajonit“.

„Vendet e tjera të gjashtëshes Ballkanike“, Vuçiçi nuk i identifikoi, por mund të supozohet se ai ka patur parasysh edhe Bosnjë e Hercegovinë, Malin e Zi e ndoshta edhe Kosovën. Por, kjo, përsëri nuk është krejt e ditur, se për çfarë bën fjalë paralajmërimi i Kryeministrit Rama, se vendi i tij do të dalë nga procesi i „Shengenit të vogël“„, nëse në të nuk do të përfshihet Kosova“.

Ndërkohë nga Kosova kanë arritur reaksione tejet negative ndaj deklaratës së Novi Sadit në të cilat hidhet poshtë ideja që vendi i tyre mund të hyjë në këtë „Shengenin e vogël“. Albin Kurti, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, partia fituese në zgjedhjet e paradokohëshme dhe ndoshta edhe kryeministri i ri i Kosovës, ishte shumë i vendosur: „Serbia është e përkushtuar për të krijuar një platformë të re të Serbisë së Madhe- Serbisë i nevojitet kjo platformë për t'u zgjeruar dhe nuk duhet të lejojmë një Jugosllavi të Katërt që është edhe qëllimi i saj“. Po ashtu edhe Vjosa Osmani, antare e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila po ashtu përmendet si kryeministre e mundshme e Kosovës, e ka emërtuar „Shengenin e vogël“ si „gabim total“, duke konstatuar se „Shqipëria dhe Serbia nuk kanë prekje kufitare (nuk ndërkufizohen) përveçse nëpërmjet Kosovës“.

Reaksionet nga institucionet në Bosnjë e Hercegovinës ndaj këtij projekti dhe ftese të Aleksandër Vuçiçit që vendi ynë t’i bashkohet „Shengenit të vogël“ kanë munguar dhe janë reduktuar në mbështetje që e ka shprehur Mirko Sharoviçi, ministër i Tregtisë dhe i Marrëdhënieve Ekonomike në rang shtetëror.

„Mbështes fuqishëm iniciativën e „Shengenit të vogël“, mendoj se mund të kontribuojë në një bashkëpunim më të madh ekonomik dhe tregtar, tregti të lirë dhe tregti ashtu siç e duan punëdhënësit ose më mirë të themi kompanitë në Bosnjë e Hercegovinë“, tha Sharoviçi. Ai shpjegoi se me deklaratën e Novi Sadit „janë bërë llogaritë për përparimin e sistemit të kalimeve kufitare, gjë që sjell eleminimin e barrierave që shfaqen më së shpeshti në këto kalime“.

Deklarata që liderët e tre vendeve ballkanike (Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut) nënshkruan në Novi Sad është në radhë të parë një platformë për vendosjen e një tregu të brendshëm, gjë që është shkalla më e madhe e integrimit ekonomik, pakrahasimisht më e madhe dhe më përmbyllur sesa projekti CEFTA (i vitit 2006) me të cilin vendet e rajonit marrin detyrimin për tregti të lirë. Për njohjen më të mirë të kushteve në Ballkan, në mënyrë të veçantë nëse kemi parasysh të shkuarën jo të largët dhe konfliktet mes shteteve, projekti CEFTA është krejtësisht i mjaftueshëm, dhe për një kohë të gjatë edhe kuadri më i mirë për bashkëpunim ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Shkalla e integrimit që është parashikuar me Deklaratën e Novi Sadit tejkalon në një shkallë të madhe të gjithë kuadret e bashkëpunimit rajonal, tregtisë së lirë dhe iniciativat udhëheqëse që përmban Strategjia e Bashkimit Europian për Ballkanin Perëndimor.

Në këtë kuptim, vështirë të pranohet „diskursi“ ekonomiko-teknik që favorizon Ministri Mirko Sharoviç, meqënëse „Shengeni i vogël“ nuk merr parasysh, as kanë diskutuar për të, biznesmenët, eksportuesit, as shoqatat rajonale të auto-transportuesve, por atë e pranojnë, ose e hedhin poshtë, shtetet dhe udhëheqjet e tyre, në përputhje me intereset dhe prioritetet e tyre.

„Shengeni i vogël“ është projekt politik eminent, të cilin Serbia ia imponon fqinjëve për shkaqet dhe interesat e saj. Për çfarë interesash dhe motivesh bëhet fjalë, është e mundshme vetëm të konkludohet se „Shengeni i vogël“ potencialisht krijon parakushtet që Serbia të bëhet hegjemoni ekonomike dhe pastaj edhe politike në Ballkanin Perëndimor. Për këtë Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës, si kreatore e politikës së jashtme, duhet ta shqyrtojë seriozisht se në çfarë mënyre dhe me çfarë platforme do të paraqitet në takimin e radhës së kësaj iniciative rajonale që është caktuar të mbahet me 11 nëntor në Ohër.

Sikurse është thënë, Bosnjë e Hercegovina, kur bie fjala për integrimet ekonomike, është e përfshirë në mënyrë të suksesshme në programin CEFTA, i cili është vënë në pikëpyetje para së gjithash për shkak të marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës, gjë që ka bërë që Kosova të mos marrë pjesë në CEFTA. Në vend që të zbutë raportin e saj ndaj antarsimit të Kosovës në organizatat dhe integrimit rajonale, Serbia „shpik“ një sistem të ri, paralel, të vetin të „tregut të brendshëm“ (krahas atyre ekzistuese CEFTA-a, dhe MAP REA) nga i cili, sikurse paralajmërojnë jo vetëm politikanët shqiptarë, por edhe analistët ndërkombëtarë, Kosova do të qëndrojë jashtë. Askush nuk garanton se të njëjtin fat do të ketë edhe Bosnjë e Hercegovina, sikurse nuk ka asnjë dilemë që vetëm Serbia, nga ky projekti „Shengeni i vogël“, mund të sigurojë benefite të rëndësishme ekonomike, dhe supremaci politike ndaj rajonit ballkanoperëndimor.

Nëse merren në shqyrtim aspektet ekonomike të këtij asociacioni të ri rajonal, duhet thënë se Bosnjë e Hercegovina 70% të shkëmbimit te saj tregtar e realizon me vendet e Bashkimit Europian, ndërsa shkëmbimi me vendet e CEFTA-s mezi i „kalon“ 15%. Kur bëhet fjalë për imoport nga vendet e grumbulluara në CEFTA, deri në 90% të importit vjen nga Serbia. Nuk ekziston një arësye rajonale që vendi të mos i shpenzojë burimet politike dhe energjinë organizative në mundësinë e integrimit me partnerin më të madh ekonomik, Bashkimin Europian, me të cilin zhvillon 2/3 e qarkullimit tregtar, në vend që të merret me projekte të mjegullta dhe jo të njëmendta.

Janë interesante, nëse nuk janë madje edhe hipokrite përpjekjet e politikanëve nga Republika Srpska, ndër të cilët, për të qenë të sinqertë, ministri Sharoviç është më pak i dyshimti, dhe të qenit dakord të tyre për integrimin e ekonomik rajonal nën patronatin dhe standardet që propozon Serbia. Pra, ata që me vite e dhjetëvjeçarë të tërë, gërryejnë me duar e me këmbë, duke punuar kundër integrimit ekonomik, kundër fluksit të mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve në vetë vendin e tyre, përnjëherësh na u bënë fanatikë të „integrimeve ekonomike rajonale“.

„Shengeni i vogël“ potencial, hapja e kufinjve, liberalizimi i plotë i tregut të mallrave, kapitaleve, njerëzve dhe shërbimeve (ato nuk janë parashikuar në protokollin e CEFTA-s), të gjitha këto do të sillnin me vete rreziqe të paparashikueshme për sigurinë, ndoshta më të rëndat pikërisht për Bosnjë e Hercegovinën si kufiri më perëndimor mes Shengenit të „vogël“ dhe të „madh“ (Kroacisë).

Sot është e dukshme, por prirja ka qenë e tillë edhe disa muaj përpara, sipas së cilës, nëpër të ashtuquajturën „rrugë ballkanike“, në vendin tonë derdhen me qindra emigrantë që arrijnë kështu apo ashtu, por gjithsesi nëpërmjet kufinjve të shteteve ballkanike. Cili do të ishte invazioni i emigrantëve nëse do të hapeshin tërësisht kufijtë, do të eleminoheshin edhe ato shërbime kufitare edhe kështu të dobëta? Edhe sot e kësaj dite, Serbia, me marifetllëqe të ndryshme, „shtyn“ migrantë nga territori i saj drejt Bosnjë e Hercegovinës; me „Shengenin e vogël“ nuk do të kishte nevojë, sepse këto njerëz të varfër në mënyrën më legale do të turreshin drejt Cazinska Krajinës (në Veri të Bosnjë e Hercegovinës kufiri me Kroacinë. Shën. i përkth). Nëse Mirosllav Lajçaku, shefi i diplomacisë sllovake, në vitin 2015, në kohën e valës më të madhe të emigrantëve drejt Bashkimit Europian tha se „Shengeni kapitulloi para migrantëve“, sot nuk ka arsye të besojmë se edhe „Shengeni i vogël“ do të zhytej para turmave të migrantëve dhe se Bosnjë e Hercegovina do të ishte viktima më e madhe e tij.

Si do të funksiononte, pa kufij, kontrolle kufitare, skena rajonale e kriminalitetit, e narko-mafijes,  nuk po flasim për celulat terroriste me këtë rast, megjithëse është e qartë për të gjithë se çfarë mundësish të padëgjuara më parë do të hapte para mafias ndërkombëtare ky liberalizim i qarkullimit dhe i tregjeve të brendshme në territoret tona nga jugu në veri.

Është për t'u supozuar se Aleksandër Vuçiçi, për këtë idenë obsesive të „Shengenit të vogël“ ka edhe mbështetje brenda qendrave vendimmarrëse europiane dhe ndërkombëtare. Unioni doganor Ballkanik për të cilën Vuçiçi vepron aktivisht, nuk është fort larg idesë së presidentit francez Emanuel Makron (i cili para pak kohësh kaloi dy ditë të paharrueshme si mik i Vuçiçit në Serbi) mbi „Europën me shumë shpejtësi“ dhe në shumë nivele. „Shengeni i vogël“ i Vuçiçit, nuk e përshpejton, por përkundrazi e ngadalëson, rrugën drejt Bashkimit Europian të secilit prej 5-6 shteteve, dhe ua tërheq vëmendjen nga prioriteti dhe shpenzon shumë resurse dhe energji.

Por që të mos e rëndojmë shpirtin, as të mos e dënojmë pa të drejtë „Shengenin e vogël“, i cili në këtë fazë po funksionin (si çdo gjë tjetër kur bëhet fjalë për Vuçiçin), në nivelin e projektit, maketit politik apo provizoriumit. Ndoshta ky projekt ka edhe përparësitë e tij, anë të mira dhe të dobishme, por ato në këtë fazë janë të maskuara me shumë vëmendje, të panjohura. E vetmja gjë që merret vesh, konturet e së cilës njihen shumë lehtë në këtë fazë, është synimi i regjimit në Serbi që, si vendi më i madh, me ekonominë më të madhe dhe me ndihmën e bashkësisë ndërkombëtare, në këtë rast dëshiron të kompensojë humbjen e përhershme të Kosovës,  ta udhëheqë zonën ballkanike më së pari nëpërmjet zonës së ekonomisë dhe energjetikës e pastaj edhe me ambjente të tjera të politikës, ushtrisë, sigurisë dhe çfarëdo ambjenti tjetër.

Këtë njerëzit në Bosnjë e Hercegovinë duhet ta dinë dhe ta thonë me zë të lartë.

*Përktheu për Politiko.al: Xhelal Fejza

 

 

 

Të fundit