Përse dështojmë kundër Edi Ramës?

Red Varaku

Pesë vjet më parë Edi Rama fitoi zgjedhjet dhe u bë kryeministër i Shqipërisë. Për shumicën e të djathtëve dhe antarëve të Partisë Demokratike kjo ishte diçka e paimagjinueshme dhe gati qesharake atëkohë. Në fakt, në zgjedhjet e vitit 2013, po të mos ishte për koalicionin e shumëpërfolur që ai bëri me Partinë e Ilir Metës, Partia Socialiste bashkë me të do të vazhdonin të ishin edhe sot në opozitë.

Tani që Edi Rama i fitoi zgjedhjet dhe u rizgjodh Kryeministër, nuk duhet asesi të mendohet se kjo gjë ndodhi rastësisht dhe në mënyrë të pamerituar. Ky është një fakt dhe nëse ne nuk e pranojmë, do të vazhdojmë të mbetemi në një ‘limbo’ (jashtë realitetit), kësisoj të paaftë për ta ndryshuar.

Të gjithë kundërshtarët e z.Rama, përfshi këtu edhe opozitën, duhet të pranojnë që kanë dështuar në strategjinë e përdorur në luftën kundër tij gjatë këtyre viteve. Sepse, strategjia e përdorur në vend që ta dobësonte, e ka bërë atë  edhe më të fortë. Këtë e dëshmuan edhe zgjedhjet e vitit 2017. Kundërshtarët e tij nuk arritën ta dobësonin figurën e tij, dhe nuk arritën të bindnin me strategjinë e ndjekur. Sot, ai është edhe më i fuqishëm dhe, fatkeqësisht, ka futur në dorë të gjitha pushtetet.

Merita asesi nuk i duhet mohuar. Ai arriti t’i bindë edhe njëherë shqiptarët, edhe pse ndaj tij pati akuza shumë të rënda nga opozita në lidhje me kriminalizimin e shoqërisë shqiptare nëpërmjet bandave të drogës. Të fitosh zgjedhjet, pas një qeverisje kryekëput të dështuar, pa një program të qartë dhe pa asnjë ofertë politike, duhet pranuar që është gjenialitet. Z. Rama sot është njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri, me një autoritet të pakonkurueshëm brenda Partisë Socialiste dhe një mbështetje të admirueshme edhe pas katër viteve qeverisje tërësisht të dështuar.

Zgjedhjet e vitit 2017 i fitoi bindshëm dhe, ç’është më e rëndësishme, pa pasur nevojë për ndihmën e ish-aleatit të tij ‘të çmuar’, Ilir Meta.

Pra, ia doli që të rizgjidhej Kryeministër dhe sot të krijon përshtypjen e një njeriu që nuk do të bjerë shpejt nga pushteti. Popullariteti i tij duket sikur rritet në përpjestim me dështimet.  Cila është arsyeja e këtij popullariteti? Përse shqiptarët e mbështetën atë, edhe pas një qeverisje të dështuar gjatë katër viteve? Përse një person që e ka rrënuar ekonomikisht dhe moralisht këtë vend, gëzon akoma mbështetje?

Së pari, një nga arsyet më të rëndësishme të këtij popullariteti është strategjia e gabuar e opozicionit në raport me të. Një opozicion që shënjestër kryesore pati dhe ka Ramën si person, dhe jo Ramën si Kryeministër. Nëse fokusi i opozicionit janë sulmet personale mbi z.Rama, atëherë këto sulme do të prodhojnë efektin e kundërt, ato do të rrisin popullaritetin e tij. Fokusi i opozicionit te personi dhe jo te qeverisja, ka bërë të mundur një simpati të votuesve të moderuar/gri në Shqipëri për Ramën. Votuesit e moderuar/gri mendojnë se sulmi personal ndaj z.Rama është një sulm ndaj reformave që ai po ndërmerr. Sipas tyre është një sulm që ndërmerret pikërisht nga përfaqësues të ‘establishmentit të vjetër’ të cilët ndjehen kërcënuar nga humbja e privilegjeve dhe Vetingu. Kjo është një tezë të cilën z.Rama nuk përton ta përsërisë në çdo takim dhe dalje publike.

Së dyti, Rama ia ka dalë që ta shfokusojë debatin politik duke e orientuar atë më shumë në një debat rreth personalitetit të tij kontrovers, sesa në një debat rreth performancës së qeverisë së tij. Megjithë përpjekjet e mëdha të z. Basha, i cili duhet thënë se është i vetëm në këtë betejë civile, për të orientuar debatin rreth qeverisjes, , z. Rama ia ka dalë gjithmonë të shndërrojë këtë të fundit në një debat rreth tij dhe për të. Të gjitha mediat kanë rënë në grackën që ai di ta ngrejë me shumë mjeshtëri, duke u bërë kështu, mbase në mënyrë të pandërgjegjshme, aleatët më të mirë të kryeministrit.

Së treti, media dhe aktorë të tjerë të rëndësishëm opinion-bërës dhe politikë-bërës janë aq të obsesionuar me personalitetin ‘problematik’ të z. Rama, saqë sapo ndodh ndonjë ngjarje substanciale politike, ata menjëherë e shndërrojnë atë në sulm personal, kësisoj në një debat steril që vetëm sa përforcon pozitat e KM, sepse e paraqet atë si heroi, i cili atakohet personalisht nga ‘snajperët politikë’ opozitarë, pikërisht sepse i është kundërvënë dhe po lufton ‘dhëmb për dhëmb’ me establishmentin e vjetër, ‘rrumpallën’ e tranzicionit, pengesën kryesore të integrimit në Bashkimin Evropian etj.

Sigurisht, që kjo nuk është një dinamikë e re. Këtë dinamikë e kemi vënë re edhe gjatë qeverisjes katër vjeçare, po ashtu edhe gjatë fushatës së vitit 2017, fushatë në të cilën ai u fut pa një program politik dhe nuk i premtoi asgjë; megjithatë fitoi bindshëm. Këtë dinamikë e hasim edhe tani kur të gjithë merren me karakterin kontrovers të tij dhe harrojnë qeverisjen e degraduar dhe rrënimin ekonomik. Kjo dinamikë duhet të ndalet menjëherë sepse nuk është gjë tjetër veçse një marketing falas për z. Rama, duke e shndërruar atë në “kalorësin” që sulmohet, pikërisht sepse po lufton me ata që i “kanë pirë gjakun këtij populli.” Kjo është një fabul që e dëgjon jo pak midis njerëzve.

Edhe Opozita duhet të ndryshojë strategjinë e opozicionit ndaj tij. Ajo nuk duhet të bjerë në grackën e sulmit personal ndaj KM. Fokusi i kësaj strategjie duhet të jetë vetëm te qeverisja, si dhe te arsyet që sollën dhe bënë të mundur një lider të tillë me prirje të pastra autokratike. Ajo duhet të dëshmojë që nuk është pjesë e së ashtuquajturës kastë politike, nëpërmjet akteve të qarta distancuese ndaj saj, duke vlerësuar me objektivitet çdo iniciativë të qeverisë, gjë që do t’i sillte asaj kredibilitetin opak.

Po ashtu, Opozita duhet të gjejë personalitete të besueshme, jashtë establishmentit të vjetër, për të dhënë shembullin e saj që nuk po kthehet në një monarki ku njerëzit i gëzojnë dhe trashëgojnë privilegjet e pushtetit deri në vdekje. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë ajo do ta ketë gati të pamundur të luftojë tendencat autokratike të z. Rama.