Flash News

KRYESORE

Përse ishte e parakohshme kërkesa për një autonomi të plotë universitare?

Përse ishte e parakohshme kërkesa për një autonomi të

Edi Puka

 Në disa shkrime, botuar në gazetën “Panorama”, kam debatuar dhe argumentuar me kolegët në lidhje me debatin e parakohshëm bazuar në kërkesën për një autonomi më të zgjeruar universitare. Gjendem i detyruar t’i rikthehem kësaj tematike pasi debati u zhvillua në lidhje me aspektet e autonomisë financiare, burimeve njerëzore etj. Në këtë debat dilte në pah mungesa e aftësisë për të menaxhuar një liri të tillë, gjë që për fat të keq u vërtetua edhe nga raporti përfundimtar i akreditimit të pjesës më të madhe të universiteteve shtetërore në vendin tonë. Procesi i akredititmit u krye nga agjencia britanike: QAA. Ky proces u përtyp dhe u ripërtyp, si gjithmonë, me shumë dyshime dhe problematika prej fillestari. Gjithashtu nuk munguan teoritë konspirative të radhës, të tipit: procesi ishte i padenjë dhe i pa mbështetur në një metodologji shkencore?!, ose: procesi u ndërtua për të goditur universitetet shtetërore?! etj.

Pavarësisht kompleksitetit mendor që na karakterizon prej shumë dekadash, ku Fuqitë e Mëdha dhe më specifikisht anglo-amerikanët, të cilët tentojnë të shkatërrojnë “shkëmbin e granitit” në të cilin ne qëndrojmë, procesi evidentoi të vërtetën e hidhur që prej shumë vitesh mundoheshim ta vinim në evidencë, kjo jo për ndonjë përfitim meskin, por për një drejtësi morale dhe profesionale përkundrejt studentëve, të cilët, në këtë mesele, nuk kanë asnjë faj. Raporti përfundimtar për pjesën më të madhe të universiteteve nxori në pah realitetin e arsimit të lartë në vendin tonë. Bazuar në metodologjinë e përdorur në lidhje me shkallën në rritje, sipas cilësisë, e evidentuar me vitet e akreditimit, renditja qe shumë e qartë. Kryesohet lista nga universitetet publike me pronësi private dhe përfundon lista me universitetet publike me pronësi shtetërore. Kaq mjafton për të patur një panoramë të detajuar të situatës të krijuar. Por, përse kjo situatë? Çfarë ka ndodhur ndër vite? I kujt është faji apo kush duhet të kërkojë ndjesë për këtë situatë të krijuar? Mendoj se situata e krijuar e ka gjenezën e saj në fillim të viteve 90’. Vite të cilat u karakterizuan nga një anarki institucionale, por edhe mendore e të gjithëve ne. Universitetet, si të gjitha institucionet e tjera shtetërore të vendit patën një kolaps të kuptueshëm deri-diku, lidhur kjo me situatën e çuditshme që përjetoi vendi ynë në kalimin e hidhur nga pseudo-komunizmi në pseudo-demokraci. Mbase të gjithë ne ishim të pa përgatitur për një ndryshim të tillë radikal. Kaq shumë nuk ishim të përgatitur sa edhe në ditët e sotme, thjesht 27 vjet më pas, disa koncepte mendore mbeten të njëjta, kjo bazuar në shpërfilljen e procesit të akreditimit, përçmimin e profesionistëve të cilët morën pjesë, konceptin e të mospranuarit të së vërtetës etj. Sigurisht, e kemi të vështirë të pranojmë kritikat dhe të vërtetat evidente. Kjo bën pjesë në kulturën tonë. Si popull, në tërësi, e kemi shumë të vështirë të kërkojmë falje për një veprim të gabuar që mund të kemi kryer. E kemi shumë të vështirë, pasi si mënyrë sjelljeje del jashtë kontekstit të formimit tonë njerëzor dhe sigurisht do të na duhet shumë kohë që të bëjmë tonin konceptin europian të të menduarit, ku kërkohet falje pavarësisht situatës, si një sens etik i marrëdhënieve ndërmjet njerëzve. Por për t’u kthyer te tema kryesore, a ishte e parakohshme kërkesa për autonomi universitare? Me sa duket, bazuar edhe në të dhënat e fundit të renditjes së bërë, besoj se po.

Mungesë aftësie menaxheriale financiare!

Mungesë aftësie menaxheriale të burimeve njerëzore!

Mungesë aftësie për të përmbushur objektivat kryesore të një institucioni të arsimit të lartë!

Aktualisht, për fat të mirë apo të keq, universitetet tona shtetërore nuk janë gati për një formë të tillë lirie. Nuk është se nuk është shprehur një realitet i tillë, por mbase, besoj, përpara evidencës së paraqitur nga britanikët, ka ardhur momenti që ta pranojnë edhe vetë ata. Pranimi i sëmundjes është edhe hapi i parë pozitiv përkundrejt një kurimi të mundshëm, në këtë rast do të ishte një reformim tërësor mendor dhe institucional.

Le të shpresojmë!

Të fundit