Flash News
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
Protesta trazon PS-në/ Zegjineja e ‘meme-ve’ sulmon influenceren: Shëmtirë, diote. Balla kapet me Reuters
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
Publikoi tezën e Letërsisë 20 minuta pas nisjes së provimit, përjashtohet maturanti në Kukës
Besnik Aliaj
Ky shkrim fokusohet në disa ide të PPV Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Tiranë, plan i cili ka ngjallur debate në lidhje me transparencën publike në procesin e hartimit, dhe sidomos për prezantimin e konceptit të debatueshëm të “PYLLIT ORBITAL”, që është importuar nga përvoja e planit të Milanos në Itali. Në fakt, kjo ide e kritikuar dhe kontestuar gjerësisht në Itali, është përqafuar pa kushte politikisht në Tiranë.
Sot Tirana po përballet me densifikim, ndotje të ajrit, dhe humbje të hapësirës publike; propozimi në fjalë ka gjeneruar diskutime nëse kjo është mënyra e duhur për të adresuar problemet mjedisore në rritje. Drejtuesit e Bashkisë Tiranë sot i sheh çdo ditë në TV me lopatë në dorë, duke pretenduar rritjen e cilësisë së jetesës, dhe duke inkurajuar mbjelljen e mijra dhe miliona pemëve sipas tyre.
Të mbjellësh pemë, në plan të parë duket diçka mjaft interesante, pse jo edhe bindëse. Çështja është si, ku dhe çfarë mbjell? Në fakt nëse ‘mbjellja e pemëve’ është veçse një akt pozitiv publik dhe politik, ajo nuk mjafton kurrësesi për të zgjidhur problemet mjedisore, ekologjike dhe peizazhistike. Në të kundërt, masa si ‘pylli orbital” mund të jenë krejt të gabuara, po t’i referohemi shkencës dhe përvojave e teknikave të tjera pozitive në botë, te cilat garantojnë sisteme që auto-funksionojnë përmes “zinxhirëve ekologjikë dhe natyrorë”.
Çmitizimi i Planit të Gjelbër të Milanos Itali
“Plani i Koordinimit Territorial për Rajonin e Milanos” – sipas Universitetit Politeknik të Milanos – u hartua në vitet 2005-2008 dhe u rishikua në vitin 2011. Qëllimi i këtij plani ishte për të koordinuar në një vizion të vetëm zhvillimin rajonal, me iniciativat vendore planifikuese dhe me institucionet që operojnë e marrin vendime në rajonin e Milanos (plane të nivelit më të ulët, plane zonash të caktuara, plane vendore/bashkiake, dhe ndërveprimin e pandërprerë midis tyre, etj). Nisma synonte të mbante hapur një debat publik përmes takimeve tematike që identifikonin instrumenta dhe orientime për të promovuar rritjen ekonomike përmes qëndrueshmërisë mjedisore. Vëmendje e veçantë i kushtohej: I) impaktit të ndërhyrjeve të parashikuara në sistemin e transportit, peizazhit dhe mjedisit; II) monitorimit të problemeve mjedisore që gjeneroheshin në zbatim të skenarëve infrastrukturore; III) rregullimin e marrëdhënieve me polet e zhvillimit dhe hub-et e ndërlidhjes mbi nivelin bashkiak. IV) strategjitë për kufizimin e konsumit të tokës; V) dhe monitorimit të zonave bujqësore e natyrore.
E parë në këtë perspektivë, thotë Ana Cestari te thevision.com … ka një problem thelbësor në “Planin e Qeverisjes së Territorit të Milano-s” (Piano di Governo del Territorio di Milano) që është pjesë e vizionit të mësipërm. Projekti për “Parkun Orbital” që është prezantuar në këtë plan, parashikon faktikisht bashkimin e rripit/fashës së gjelbër të parqeve rreth Milano-s, si për shembull: Parkun Bujqësor (Parco Agricolo), parkun në Veri (Parco Nord), parkun “Lambro”, parqet e “Forlanini Trenno-s”, e të tjerë; me objektivin për të formuar një hapësirë unike, e cila sipas planit synon të bëhet një lloj “super-parku urban” me përmasat më të mëdha në botë …
Mirëpo, asnjëherë nuk duhet harruar se këto parqe kanë karakteristika biologjike dhe ekologjike shumë të ndryshme nga njëri-tjetri, dhe bashkimi i tyre teorik në plan, në praktikë nuk funksionon. Kjo i bën këto parqe vështirësisht, në mos të pamundura, për t’u trajtuar me të njëjtën metodologji dhe strategji. Akoma më vështirë për këto parqe bëhet mundësia që ato të jenë të bashkuara, e për më tepër në një unitet të vetëm …
Pra, ideja dhe pretendimi për t’i projektuar ato në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtat instrumenta, më e pakta është jo-realiste, për të mos thënë e gabuar.
Përtej këtij konstatimi të parë dhe të përgjithshëm, analiza kritike e këtij vizioni zhvillimi nga ekspertë të tjerë në Itali vijon duke marrë në konsideratë pikëpyetjen themelore se … Cilat do të jenë për qytetin kostot dhe pasojat e realizimit në praktikë të idesë së “Parkut Orbital”? Duke ju referuar analizave dhe kërkimeve të Vittorio Ingegnoli-t, profesor i Departamentit të Shkencave dhe Politikave mjedisore pranë Universiteti Shtetëror të Milano-s, ai nënvizon që: … nëse realizohet ky projekt, Milano do të goditet nga fenomeni i njohur me emrin “ishulli i nxehtësisë urbane” (UHI, Urban Heat Island).
Sipas përshkrimit shkencor të këtij fenomeni, qyteti në tërësi dhe sidomos pjesa e ndërtuar e ajo qendrore, ka faktikisht në brendësi të tij një temperaturë më të lartë se sa zonat e gjelbra/bujqësore dhe rurale të periferisë, ku regjistrohen temperatura më të ulëta prej të paktën + 5 gradë Celsius.
Në këto kushte (referuar edhe ligjit të dytë të termodinamikës), lëvizja e ajrit të ngrohtë/ndotur në qytet, zakonisht inkurajon ngjitjen e ajrit lart-vertikalisht në qendër të qytetit (ku sipërfaqja e betonuar është e madhe) dhe pastaj gradualisht vijon me zhvendosjen drejt zonave periferike, ku temperaturat janë më të ulëta/freskëta. Kjo vorbull vertikale e krijuar prej ajrit të nxehtë, dhe zhvendosja e saj drejt periferisë, i lë hapësirë të lirë ajrit më të freskët/pastër/filtruar të periferisë që gjithashtu të zhvendoset nga zonat e gjelbra natyrore drejt boshllëkut të krijuar në zonat e banuara/ndërtuara dhe qendër (shiko ilustrimet). Ky cikël qarkullimi ajri, ku diferencat graduale te temperaturave janë esenciale, krijon një ventilim natyral mjaft jetik për kualitetin e jetesës në qendrat e banuara, dhe sidomos për filtrimin e pastrimin e ajrit në qytet nga ndotjet. Në këtë rast periferia e gjelbër funksionon realisht si mushkëri e qendrave të banuara.
Ndërkohë, sa më shumë rritet në përmasë një qendër e banuar (qytetet mbi gjysmë milion banorë), aq me kompleks dhe i vështirë bëhet ky cikël.
Transformimi i propozuar i rrethinave të qytetit në kufirin e tyre me zonat bujqësore/natyrale, nga një fashë graduale e kalimit rur-urbane dhe anasjelltas, në një “park orbital” në formën e një “perdeje të pyllëzuar” (shiko imazhet e planit edhe në Tiranë), do të rriste ndjeshëm edhe më tej diferencat e temperaturave ndërmjet zonës së ndërtuar dhe qendrës së qytetit kundrejt zonave bujqësore/natyrore dhe rurale. Për pasojë do të rritej volumi i transportit të ajrit që mbledh gjithë pluhurat/ndotjet në ajër, jo vetëm në zonat urbane, por edhe ato peri-urbane, duke i depozituar ato së bashku dhe, përfundimisht jo më në zonën e gjelbër të periferisë, por pikërisht në qendër të qytetit!
Kjo ndodh thjesht sepse perdja e “pyllit orbital” e ul papritur temperaturën edhe (disa gradë) më poshtë se periferia rurale duke i sedimentuar rrymat e ftohta të ajrit dhe rrjedhimisht edhe ndotjet/pluhurat pikërisht atje ku nuk duhet: në zonen urbane dhe në qendër të qytetit.
Prandaj, për të evituar efektin UHI (“ishulli i nxehtësisë urbane”), struktura e stofit urban të qytetit duhet çarë (në drejtimin periferi-qendër-periferi) nëpërmjet krijimit të “pykave/fashave të gjelbërta” (ose “stepping stones”), siç njihen teknikisht në gjuhën e shkencave të peizazhistikës dhe të mjedisit strukturat/sipërfaqet lienare urbane të gjelbëruara nga qendra drejt periferisë ose anasjelltas.
Kjo është një praktikë jo e panjohur dhe jo pa sukses, madje edhe për vetë planifikimin urban në Shqipëri (shiko: Plani urbanistik i Tiranës, ISPU 1985-89). “Pykat Urbane” depërtojnë në këtë mënyrë gradualisht në indin e ndërtuar urban duke e thyer monotoninë territoriale të sipërfaqeve të ndërtuara dhe betonizuara të qytetit, me arterie jetësore të natyrës, dhe duke garantuar për më tepër ventilim natyror më të mirë, pastrim sistematik ajri, dhe mikro-klimë më të balancuar. Në kritikën e ekspertëve italianë ndaj planit të Milanos nënvizohet se … dokumenti strategjik i Rajonit i Lombardisë “Rrjeti ekologjik rajonal dhe programimi territorial i njësive vendore” (Rete Ecologica Regionale e Programmazione Territoriale degli Enti Locali, aprovuar me Vendimin nr. 8/8515 të datës 26 janar 2008, paragrafin 1.3, i bashkëlidhur me dokumentin në fjalë), e përshkruan rrjetin ekologjik si një rrjet të përbërë nga nyje dhe korridore; më saktë, nga linja lidhëse që mund të jenë të përbëra nga fasha pyjore të vazhduara, ose nga njësi habitatesh të vazhduara që krijojnë efektin e ‘pykave të gjelbëra’ ose ‘stepping stones’.
Këto të fundit kanë funksion lidhës dhe/ose shpërndarës të përbërësve natyralë në mjedis. Ato i shërbejnë ruajtjes së klimës dhe ambjentit pa ndërhyrje të sforcuara apo deformime nga jashtë.
Atëherë, shtrohet me të drejtë pyetja tjetër: … Si ka mundësi që “DPCM - Dokumenti i Planit të Qytetit të Milano-s” (Documento di Piano della città di Milano, në veçanti Dokumenti nr.4 bashkelidhur “Mbi Vizionin Strategjik”) përmban lapsuse shkencore dhe konceptuale kaq të mëdha për shkencat e territorit dhe mjedisit, duke filluar që nga parashikimi i unazës së gjelbër (i ashtuquajtuari “parku orbital”) rreth qytetit, e deri tek mungesa e zbatimit të masave dhe instrumenteve si “pykat e gjelbërta” (“stepping stones”)? …
Më tej shtrohet pyetja tjetër: Cila është arsyeja që teknikat e prezantimit grafik të planit, theksojnë qëllimisht me ngjyrë më të errët gjelbërimin ekzistues? Sepse, falë teknikave edhe përvojave e teknikave të mëparshme grafike të planifikimit, tashmë të konsoliduara edhe në disa kryeqytete europiane (psh: koncepti “Green Belt” në Londër, apo “Finger Plan” ne Kopenhagen) këto zona mundet të evidentohen lehtësisht në plan pa patur nevojën e theksimit me karakter “manipulimi viziv/grafik”. Këto teknika gjithsesi janë sipërfaqësore në letër dhe me synimin e vetëm të arritjes së efekteve grafike populiste përmes ngjyrës së theksuar ‘të gjelbër’ … Në fakt ajo që sot ka rëndësi në të vërtetë për interesin publik dhe qytetarët, nuk është spekulimi populist me ‘ngjyrën jeshile’ në plan, se sa kualiteti i vërtetë i realitetit të gjelbër në terren, dhe asaj çfarë ndodh realisht me cilësinë e jetës dhe mjedisin në tërësi.
A mos është gabim “Tirana 2030” me idenë e “Pyllit Orbital”?
Arkitekti dhe urbanisti italian Stefano Boeri ka parashikuar një zhvillim të ngjashëm me konceptet e Planit të Territorit të Milanos edhe për rastin e “PPV, Plani i Përgjithshëm Vendor” për zhillimin e Bashkisë Tiranë, 2016. Por, nëse në Milano pati mjaft kontestime, filter dhe kritika; në Tiranë gjërat u menaxhuan me shpejtësi dhe fare pa transparencë. Kështu, PPV Tiranë parashikon, si dhe ne Milano, realizimin e një ‘sistemi pyjor orbital’ dhe të vazhduar përreth metropolit, duke përfshirë parqe dhe oaze natyrale të (pa)mbrojtura. Radiocentrizmi (sistemi “radial-unazor”) tipik i Tiranës synohet të thyhet nga bulevardi kryesor, i ngjashëm me akset që në Itali quhet “viale” (për koinçidencë ky aks është mobiluar me pemë të mbjella sipas “PRR, Planit Rregullues Tiranë” të vitit 1925 udhëhequr nga arkitekti italian Armando Brasini).
Por, në rastin e “pyllit orbital” të Tirana 2030, problemi është endemik, sepse ndërsa në raportin e planit flitet dhe predikohet, gjithmonë në emër të parimeve mjedisore dhe çështjeve të shëndetit-peizazhistik/natyror, de fakto në materialet grafike të planit gjithmonë konkludohet dhe rekomandohen masa që kanë të bëjnë vetëm me zhvillimin e aseteve urbanistike/ndërtimore të qytetit!
Ky mentalitet planifikues dhe projektues, që i referohet në mënyrë sistematike plani ‘Tirana 2030’, për fat të keq, ka të bëjë më shumë me modele dhe mentalitete mjaft të vjetra të ‘urbanistikës’ klasike italiane dhe mesdhetare. Kjo ndodh në një kohë kur ‘planifikimi’ bashkëkohor europian nuk bazohet më thjesht tek instrumentat hapësinore-estetike; dhe për më tepër nuk i konsideron më çështje si: ndërtimet, kullat, ansamblet e banimit apo zonat urbane në tërësi, si të vetmet asete zhvillimi dhe mirëqenie vendore.
Në të kundërt, katër shkollat kryesore të shkencës bashkëkohore të planifikimit urban europian tashmë kanë evoluar në atë pikë sa që e konsiderojnë si pikënisje, por edhe si pikë fundore auto-qëndrueshmërinë e zhvillimit të tërësisë territoriale dhe mjedisore. Vetëm ky unitet territorial i cili ndërvepron dhe plotëson cilësitë më të mira midis njësive të ndryshme ekologjiko-territoriale në mënyrë sa më organike e natyrore, na garanton cilësi dhe mjedis urban të jetueshëm dhe afatgjatë. Kjo logjike tashmë në Tiranë është ndërprerë brutalisht pikërisht për shkak të idesë se ‘pyllit orbital’ si një maskë e zhvillimit të ndërtimor si qëllim/justifikim në vetvete.
Sot, teoricienët bashkëkohorë me të shquar të arkitekturës dhe qytetit në botë bëjnë autokritikë për qëndrimet e pamoralshme profesionale që kanë patur ndaj qytetit të cilat çuan në recension ekonomik, social dhe politik. Madje, arkitektë si Rem Koolhas (Holandë), jo rastësisht, theksojnë me forcë se, tashmë si “vendbanim” duhet të konsiderojmë tërësinë rur-urbane të një territori, përmes shëndetit të tij mjedisor dhe peizazhistik. Qyteti, sipas Koohlas … nuk do kishte kuptim dhe as të ardhme pa zonën ruralo-bujqësore, dhe pa ndërveprimin organik të qendrës me periferinë natyrore e peisazhin në tërësi. Roli i tyre madje është jo vetëm i pa-zëvendësueshëm, por edhe përcaktues për të ardhmen e jetueshme të komuniteteve urbane.
Për këtë tashmë na duhet një model i ri jetese - thotë Koolhas - referuar më të mirës prej asaj që kemi mësuar nga e kaluara: rikthimi te natyra dhe rregullat e auto-suficensës së saj. Ajo që bën pastaj dallimin për një planifikues dhe administrator publik është prezenca e trashëguar dhe mbrotja me çdo kusht e këtyre cilësive natyrore në stofin urban, dhe jo e kundërta. Prandaj mbrojtja e natyrës dhe gjelbërimit në brendësi të zonave të ndërtuara/urbane, është ajo që publiku është i interesuar, sesa përdorimi i një alibie grafike “me ngjyrë jeshile” për të justifikuar pastaj densifikimin dhe vertikalizimin më tej të qytetit, duke rritur kështu rrezikshëm shanset për ndërprerjen e cikleve natyrore të shpjeguara më sipër.
Kjo situatë vetëm sa na çon drejt krijimit të fenomeneve të “ishujve të nxehtësisë urbane” në qytet, të cilat në rastin e Tiranës e kanë transformuar kryqytetin e Tiranës në tri dekada e fundit nga një “oaz të gjelbër” në një “hot-spot termik dhe mjedisor”. Rasti i rikonstruksionit të sheshit Skënderbej është një provë më shumë për këtë, mjaft të maten në mënyrë të pavarur temperaturat dhe ndotjet në këtë zonë!
Duke patur parasysh fokusin dhe trashëgiminë e theksuar të “grafikës estetike” dhe “imazhit arkitektonik” në urbanistikën tradicionale mesdhetare, shumë ekspertë të planifikimit dhe zhvillimit të qytetit bashkëkohor në këtë rajon vijojnë të bëjnë gabimin e mos-konsiderimit, dhe mos-leximit të peizazhit si një “sistem territorial në lëvizje të vazhdueshme”. Me sa duket, politikë-bërësit dhe vendim-marrësit e “Tirana 2030” kanë qenë të interesuar më shumë për gjelbërimin si një ‘akt’ i pastër politik dhe me interes elektoral, duke nxjerrë (për)fitime në publik nga akti i “mbjelljes së pemëve”. Sikur të mos mjaftonte kjo gjë, që është tipike për politikën, teoritë e planifikimit të qytetit bashkëkohor u përkeqësuan në Milano edhe nga nonsensi ekologjik i “pyllit vertikal”, që po tentohet të kopjohet akoma më keq tashmë në Tiranë.
Ky i fundit do të ishte një koncept i mirëpritur vetëm në kushtet kur ai vjen si një instrument/mase e imponuar, dhe pasi janë konsumuar më parë dhe në mënyrë strategjike të gjitha masat e tjera parandaluese-kuruese të gjelbëra dhe mjedisore, por jo të paraqitet me bujë si formula e artë dhe e vetme e “zgjidhjes”. “Pylli orbital” si në rastin e Tiranës dhe të Milanos e përkeqëson më tej situatën, pasi tashmë po tentohet të krijohet alibia e vendosjes së pemëve në rrathë, duke shpresuar që pas njëzetë vitesh ato do të formojnë “dhoma urbane dhe hapësira territoriale të mbushura me volume të densifikuara ndërtimore dhe të rrethuara me pemë”, thjesht sepse pretendojmë të kurojmë në mënyre egoiste sensin tonë estetik në territor, por kurrësesi nuk targetojmë zgjidhjen e problemeve strategjike dhe ekzistenciale të qytetit.
Nga ana tjetër barriera termike që “Pylli Orbital” krijon përreth qytetit i merr frymën përfundimisht indit tashmë të deformuar uban të Tiranës për shkak të efekteve urbicid të urbanizimit radikal në të. Për fat të keq, e gjitha ndodh në emër të ‘delirit’ profesional dhe politik të ndërtimit të një “muri orbital” pemësh, të cilat vetëm sa nderpresin “si me thikë” marrdhëniet e vështira të periferive të sotme natyrore (dhe për më tepër me diell), me zonat urbane të ndërtuara. Ky mur termik edhe pse i “gjelbër”, i heq në mënyrë të dhunshme shansin asetit më të çmuar natyror metropolitan të nëntokës, në mënyrë që ai të zhvillohet dhe të marrë frymë përmes pemëve/gjelbërimit në interes të cilësisë së jetës së zonave të ndërtuara/banuara.
Gjelbërimi në tërësi dhe pemët te “Tirana 2030” bëhen arbitrarisht atribut i periferisë, ndërsa qendra betonohet/densifikohet më tej çdo ditë e më shumë në emër të efiçences së investimit të interesave te privatë (aspak publike) financiarë. Kjo logjikë zbatohet në mënyrën më irracionale të mundshme si nga ‘star-arkitektët’ e huaj edhe nga teknicienë lokalë të cilët nuk kanë interes, kohë e as vullnet të njohin kushtet klimatiko-sociale-mjedisore vendore, pale më të njohin speciet autoktone në territor. Kjo katastrofë në ekspertizën e politizuar të Bashkisë, i bën investimet e “gjelbra” të dështojnë brenda pak kohëve. Rasti i mbjelljes së palmave në autostradën Tiranë-Durrës, të cilat u thanë pa kaluar një vit, apo mbjellja e pishave që nuk janë aspak të përshtatshme për autostrodat për shkak të ndotjes (halat-rrëshira) që shkaktojnë, jo vetëm që kanë dëshmuar mosnjohjen e habitatit natyral për këto specie, por janë shoqëruar me fatura të larta financiare të penevojshme, në një Bashki me burime të kufizuara financiare.
Imagjino se çfarë mund të ndodhë me "pyllin orbital"
Për fat të keq, politikanët e ditës që rendin me lopatë në dorë, për të inkurajuar kulturën mjedisore përmes aktit të “mbjelljes së pemëve”, shpesh nuk e kanë fare as idenë dhe as njohurinë se në çfarë lartësie apo klime mbijetojnë specie të caktuara, si psh: palma, pisha apo ahu, etj. Por, edhe nëse e dinë, interesat elektorale dhe tenderuese e bëjnë më të lehtë me sa duket për ta që të bëjnë sikur nuk shohin, duke e lënë qytetin të flasë me vete për veten dhe për atë që do që të duket! Profesori milanez Vittorio Ingegnoli shprehet: … duke patur parasysh traditën estetike dhe fizike të urbanistikës mesdhetare, duke dëgjuar teoritë e “pyjeve orbitale dhe vertikale”, për një moment të krijohet ideja se më në fund ka filluar të kuptohet dhe lexohet peizazhi si një sistem në lëvizje të vazhdueshme …, por me sa duket jo, sepse interesat politike dhe kontraktuale bëjnë që edhe nga pemët mund të nxirret (për)fitim individual ose grupi, por kurrësesi përfitim publik!
Sot, një eskpert planifikues dhe peizazhist i ndershëm, dhe që nuk është vegël interesash i askujt, por qëndron vetëm kampion i interesit publik si dhe betimit profesional, duhet të dijë mirë se forma dhe natyra e territorit ka një kuptim ekologjik që shkon përtej imazhit arkitektonik dhe PR-it politik të kohës. Madje në lojë hyjnë variabla të tjerë si: sasitë në lloje të pemëve/specieve të mbjella; tipologjitë e pemëve/pyjeve, si dhe shpërndarja e tyre; të cilat janë themelore për vetë shëndetin e peizazhit dhe për pasojë, edhe për shëndetin komunitar në qendrat e banuara.
Sot kemi mjaft shembuj të cilat kanë sukses në drejtime të caktuara, por që në mjaft raste dështojnë qoftë dhe pjesërisht në çështje esenciale të qëndrueshmërisë peizashitike dhe mjedisore. Për shembull, studioja holandeze “Inside Outside” është e famshme për projektin “Biblioteka e Pemëve” në Porta Nuova Milano. Por, edhe në këtë rast mjaft interesant dhe edukativ, ekpertët e projektimit të qytetit ndjekin vetëm funksionet sociale dhe estetike, në kurriz të atyre ekologjike. Projekti në fjalë nuk dëshmon ndjeshmëri, për shembull, për reduktimin e stresit ambjental, purifikimin e ajrit apo për pozicionimin e pemëve në zonë, etj. Argumentet pro që përdoren, si: thyerja e “ishullit të nxehtësisë” dhe ringjallja e “rrjetit ekologjik” në zonë nuk merren në konsideratë.
Vittorio Ingegnoli kishte propozuar në fazën e garës për konkursin e “City Life” po në Milano, përdorimin e metodës së pykave të gjelbërta “stepping stones”. Sipas propozimit të tij, kjo zgjidhje do të parandalonte grumbullimin e pluhurave të imët në qendrën e qytetit duke mundësuar kështu që rrjeti ekologjik kryesor të rigjallerohej, duke e lidhur qendrën e qytetit me parqet/pyjet më të afërta me Milanos (Rajoni Biaggio Cusago, deri në Ticiono). Por, për shkak të pasigurisë politike, tipike në vende si Italia dhe Shqipëria, shumë projektues dhe administratorë vendorë të zotë dhe njohës të kësaj ekspertize në këtë fushë janë larguar ose zëvendësuar padrejtësisht nga administratat lokale dhe nga konkurset lokale/ndërkombëtare, duke çuar kështu në situata klasike mosnjohje, ose në njohje sipërfaqësore, ose degradim të aftësive projektuese në kontekstet përkatëse vendore.
Tipik është edhe rasti i konkursit ndërkombëtar “City Life” në Milano apo “Hyrja e Parkut” në Tiranë, të cilët edhe pse u bllokuan ose riorganzuan, u fituan nga arkitektë dhe urbanistë të katapultuar me njohje të vakët të kontekstit lokal, njësoj si rasti i Gustafson Porter në Milano, i cili zgjodhi realizimin e një “parku tradicional” në vend të një “parku ekologjik” duke humbur shansin për të impaktuar modelin e jetesës në qytet.
Disa Konkluzione për Tiranën …
Lidhja midis shëndetit të peizazhit dhe atij njerëzor (shëndetit publik) është shumë e ngushtë. Asgjë nuk mund të justifikojë nënvleftësimin e tyre për shkak të presionit të ditës dhe problemeve që mund të dalin prej aty. Natyrisht, raporti midis patologjive të njeriut dhe shëndetit të peizazhit është zakonisht i lidhur edhe me diskutimin delikat mbi ndotjen mjedisore. Por, në tërësinë e raporteve të problematikës së përbashkët të ndotjes mjedisore me ato të peizazhit, ato që i përkasin ndotjes, realisht, përbëjnë vetëm një pjesë fare të vogël, ndërsa peizazhi merr një rëndësi të dorës së parë.
Ekzistojnë dhe janë të prekshme sot edhe ato që njihen si “patologjitë strukturale dhe funksionale”, të cilat i përkasin transformimeve radikale në kohë të shkurtër, emergjenecave apo edhe katastrofave. Në fushën e transformimeve radikale, hyn edhe ajo e planifikimit të imponuar për rajonin e Milano-s, apo çfarë ka ndodhur dhe po ndodh ne Tiranën metropolitane në 3 dekadat e fundit për shkak të rrethanave specifike të zhvillimit. Ndërkohë që Tirana po përballet për shembull me nevojën e madhe për një sistem të ri transporti, rrjedhimisht edhe me nevojën për operacione masive infrastrukturore me impakt mjedisor; nga ana tjetër ajo po përballet edhe me emergjencën në rritje të ndotjes së ajrit në nivele kancerogjene, të rritjes së incidencës së zjarreve dhe përmbytjeve.
Ndaj, njohuria dhe investimi i duhur në fushat e peizazhin natyror, urban dhe infratsrukturor, mund të ishte një shans për t’i dhënë zgjidhje shumë problemeve njëkohësisht. Kjo nuk mund të realizohet më në rrethe të mbyllura e partizane, pa transparencë, në mënyrë të njëanshme e sipërfaqësore. Kësaj as propaganda s'ka ç’farë i mbulon më! Nxjerrja jashtë loje e Këshillit Bashkiak, e Komisionit përkatës për planifikimin, apo edhe e vetë Opozitës dhe kritikëve të tjerë publikë, vetëm sa e ka përkeqësuar situatën dramatike në Tiranël.
Ndaj për të dalë nga qerthulli që ofron “pylli fasadë” dhe akti elektoral i “mbjelljes së pemëve”, do ishte e nevojshme që të pranohej më parë me kurajo se, jemi shkencërisht në rrugën e gabuar, duke mos njohur realitetin, apo nën presionin e interesave të caktuara, për të mos thënë më shumë! Më pas duhet të përqendrojmë forcat, njohuritë dhe disiplinat e ndryshme lokale që e duan qytetin dhe vendin, në studimin e asaj që është akoma e panjohur për politikë-bërjen vendore dhe qendrore.
Dalëngadalë, më pas duhet të përpiqemi të kuptojmë që pemët, në të vërtetë, janë si bashkësi individësh që rriten dhe jetojnë si një familje e madhe, siç e shpjegon profesori tjetër milanez Stefano Mancuso në punimin e tij shkencor “Plant Revolution” ku nënvizon:… Pemët, në fakt, komunikojnë me njëra-tjetrën, dhe janë në gjendje që, nëpërmjet transmetimit të informacionit, të parashikojnë edhe ndryshimet e ambjentit. Ekziston një rast i veçantë, për shembull, te bimët, të cilat janë në gjendje të marrin formën dhe ngjashmëritë e elementëve të mjedisit që i rrethon. Bima quhet “Boquilla Trifoliata”, një specie vegjetale e shpërndarë sidomos në Amerikën e Jugut dhe Mesdhe me një aftësi të jashtëzakonshme adaptimi dhe mimetizimi: gjethet e saj sipas vendit dhe kushteve lokale marrin ngjashmërinë e konteksit ku zhvillohen, duke e ndërruar kështu morfologjinë e saj në varësi dhe shprehje të kushteve të mira apo të vështira mjedisore.
Pra, gjethet e Bouquilla-s mund të bëhen më të trasha ose më të holla, ato mund të zgjaten ose mund të transformohen edhe në gjemba, edhe pse kjo kërkon një sforco shumë të madhe nga bima. Bima në këtë rast shpreh fizikisht kushtet, kontekstin dhe stresin mjedisor qe e rrethon! Shkurt, leksioni që na vjen nga kjo histori është se varet nga ne si individë dhe si komunitet nëse nëpërmjet vendimeve tona duam te rrisim bimë të bukura e të shëndetshme, apo të sjellim në jetë bimë të tmerrshme ‘gjembaç’ apo hiç/asgjë fare për të ardhmen!
Më tej Manusco pohon … Që të imitohet diçka, si fillim duhet njohur ajo që kërkohet të imitohet. Por zakonisht ne jemi të ndikuar nga sjellje rezistente dhe të pashpjegueshme në raport me bimësinë në tërësi, dhe vuajmë nga sindroma “plant blindness” (verbëri bimore). Ndërkohë që vetë shkenca e projektimit mjedisor dhe të peizazhit bazohet në njohjen, kuptimin, dhe shpesh herë, mbi imitimin e vetë peizazhit, përfshi shqyrtimin dhe miratimin skrupuloz të përbërësve të familjes së pemëve që vendosim të mbjellim. Bëhet fjalë gjithmonë për një çështje dëgjimi dhe respekti ndaj vetes dhe shoqërisë, dhe nëse duam të impaktojmë pozitivisht shoqërinë në të ardhmen apo jo.
Me sa duket, është vetë bota bimore që na mëson principet e demokracisë dhe të të qëndruarit bashkë si komunitet, dhe jo e kundërta.
Në përfundim, mund të thuhet se:
- Tentativat për të futur axhendën peizazhistike dhe mjedisore në planifikimin dhe qeverisjen e territorit janë të mirëpritura, sepse ato mund të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për transformimin real të qyteteve dhe përmirësimin e jetës së komuniteteve. Sidoqoftë, trajtimi i tyre sipërfaqësor, jo i thelluar shkencërisht, apo djallëzor dhe për interesa banale të çastit, i bën dëm jo vetëm shkencës së peizazhit dhe mjedisit në vetvete, por mbi të gjitha qytetit dhe banorëve të tij.
- Konceptet e “parkut vertikal” apo “parkut orbital” janë inspiruese në raport me PR-in politik dhe marrdhëniet publike. Por, edhe pse kreative, ato mund të kontribuojnë padashur në ndërprerjen e cikleve natyrore në territor, dhe të shndërrohen në alibi djallëzore për densifikimin/betonizimin e mëtejshëm të qytetit, nga qarqe politiko/zhvilluese monopoliste, duke e përkeqësuar seriozisht situatën mjedisore dhe kualitetin e jetës. Në vend të zhvillimit të gjelbërimit unazor, rekomandohet ndërhyrja përmes koncepteve të “pykave të gjelbëra” (steping stones) periferi-qendër-periferi, të cilat garatojnë vijimësinë e ventilimit/pastrimit të ajrit dhe të zinxhirit ekologjik natyror, si instrumente të kualitetit jetësor dhe qëndrueshmrisë në qytet.
- “Akti i mbjelljes së pemëve” duhet të zëvendësohet me kulturën e peisazhit dhe edukatën publike mjedisore që kërkon së pari të njohësh dhe kuptosh realisht speciet individuale, funksioninim e tyre në komunitetet e gjelbra dhe në territor; për më tepër komunikimin e tyre në rrjet si një model natyror bashkëjetese. Në të kundërt, të mbjellësh pemë nuk është baraz me shërimin e mjedisit, madje kjo, për shkak të injorancës shkencore apo djallëzisë politike, mund të degjenerojë në humbje serioze të investimeve dhe, akoma më keq, në shkatërrimin përfundimtar dhe të parikthyeshëm të cilësisë së jetesës.

Të fundit
"Rama jepe dorëheqjen!”, mijëra protestues vijojnë marshimin në rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 22:30
Pas tri orësh para Kryeministrisë, protestuesit nisin marshimin nëpër rrugët e Tiranës
9 Qershor 2026, 20:53
Aktori i njohur nga protesta: Ika nga Shqipëria sepse nuk doja të shisja shpirtin
9 Qershor 2026, 20:32
“Vetëm hëna të ka ngel pa vjedh”, mesazhe të forta ndaj qeverisë me pankartat pikante
9 Qershor 2026, 20:12
Meçollari akuza nga protesta: Në Palasë dhe Dhërmi është tjetërsuar mjedisi
9 Qershor 2026, 19:38
Reuters: Brukseli kritikon Tiranën për Zvërnecin, mjedisi kusht për anëtarësimin në BE
9 Qershor 2026, 19:19
Gjykojeni protestën nga kundërshtarët
9 Qershor 2026, 18:20
Pas katër seancash, Ilir Beqaj përmbyll kërkesat paraprake
9 Qershor 2026, 18:11
OKB mesazh për Iranin, Libanin dhe Gazën: Respektoni armëpushimet
9 Qershor 2026, 17:06
10 ditë që tronditën “sistemin”
9 Qershor 2026, 16:53
Operacion anti-drogë në pesë qytete të Kosovës, 5 të arrestuar
9 Qershor 2026, 16:44
Aksident në Greqi, ndërron jetë 16-vjeçari shqiptar
9 Qershor 2026, 16:25
Komisioni Evropian: Ministri i Mjedisit na tha se punimet janë pezulluar në Zvërnec!
9 Qershor 2026, 16:14
Rama 'përplaset' me gazetaren rumune: U kanë bllokuar trurin!
9 Qershor 2026, 16:13
“Revolucioni i Flamingove” përplas Ramën me Iranin
9 Qershor 2026, 15:56
Ky është Armand Shakaj, i dyshuar si autor i zhdukjes së Eglant Koçit
9 Qershor 2026, 15:30
Senatori demokrat Bernie Sanders: Populli po i thotë JO oligarkisë globale në Shqipëri!
9 Qershor 2026, 15:17
Paqja globale, në rënie për të 12-in vit radhazi, Shqipëria renditet e 36-ta në botë
9 Qershor 2026, 14:47
Prokuroria e Vlorës sekuestron 5 mln euro pasuri
9 Qershor 2026, 14:29
Foto/ Dyshohet se u rrëmbye, kjo është fotoja e fundit 34-vjeçarit para zhdukjes
9 Qershor 2026, 14:20
Kopjac i Vuçiçit dhe në krizë
9 Qershor 2026, 14:11
Zhdukja e Eglant Koçit, arrestohet një person me urdhër të Prokurorisë
9 Qershor 2026, 13:23
Protesta përplas Ramën me mediat botërore, rreziku i krizës së imazhit!
9 Qershor 2026, 13:01
Dhunuan drejtorin e AKU-së në Shkodër, arrestohet njëri prej autorëve
9 Qershor 2026, 12:43
Eksperti i sigurisë ngre alarmin: Grupet kriminale strehohen në zonat e Kamzës!
9 Qershor 2026, 12:36
Vrasja në Paskuqan/ Autori është gjurmuar deri në Bovillë, ka braktisur mjetin
9 Qershor 2026, 12:24
Kush e komandon sot Edi Ramën?!
9 Qershor 2026, 12:14
Rama del 'blof'/ Si po i përqafojnë turistët e huaj protestat në Shqipëri
9 Qershor 2026, 12:00
Si e bindi Rama Perëndimin se fati i Shqipërisë lidhet me emrin e tij
9 Qershor 2026, 11:20
Berisha në konferencën e EPP: Shqipëria ndodhet në sallën e urgjencës
9 Qershor 2026, 10:27
Nga kullat te lumenjtë: kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
9 Qershor 2026, 10:04
Operacioni në Vlorë, zbardhen emrat e 6 të arrestuarve
9 Qershor 2026, 09:44
Këmbimi valutor, me sa shiten dhe blihen monedhat e huaja sot
9 Qershor 2026, 09:26
Transmetoi 'live' protestën, Balla sulmon Reuters: Kanë hall tjetër, jo Shqipërinë
9 Qershor 2026, 09:13
Policia zbarkon në Vlorë, disa të arrestuar, mes tyre një i kërkuar ndërkombëtarisht
9 Qershor 2026, 08:56
Horoskopi, njihuni me parashikimin e yjeve
9 Qershor 2026, 08:40
Shpopullimi alarmant/ Në një vit, Shqipërisë i ikin 33 mijë të rinj
9 Qershor 2026, 08:28
Mot i paqëndrueshëm dhe vranësira, parashikohen reshje shiu në disa zona
9 Qershor 2026, 07:59
Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri
9 Qershor 2026, 07:45
Kritikoi Ramën, Zegjine Çaushi sulmon influenceren: Të bësh ironi ti shëmtirë...
8 Qershor 2026, 22:37
Nard Ndoka jep lajmin: Sali Berishës i është hequr “non grata”
8 Qershor 2026, 21:59
Rekord firmash në peticionin “Rama Out”, mbi 1 mln e 700 mijë nënshkrime nga shqiptarët
8 Qershor 2026, 20:59
Notarja Eva Buzo i bashkohet protestës: Jeni frymëzues, bota po e dëgjon zërin tuaj!
8 Qershor 2026, 20:48
Kaja Kallas propozon diplomaten portugeze si ambasadore të BE-së në Shqipëri
8 Qershor 2026, 20:28
Shqiptarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës, Reuters raporton “live” protestën nga Tirana
8 Qershor 2026, 19:07
35-vjetori i PS-së, Rama pritet me protesta në Shkodër
8 Qershor 2026, 18:07
Tensione mes Iranit dhe Izraelit, BE: Rajoni i bllokuar mes luftës dhe armëpushimeve
8 Qershor 2026, 17:42
Shi dhe rrëshqitje dherash në aksin Moglicë–Gramsh, kufizohet qarkullimi në një krah
8 Qershor 2026, 17:21
Mosha e pensionit akoma më e vështirë se jeta në punë
8 Qershor 2026, 17:03
Zgjedhjet në Kosovë, asambleja parlamentare e KE: Pati ndërhyrje nga Serbia
8 Qershor 2026, 16:54
Euro e nis javën në rënie të mëtejshme, zbret drejt pragut të 95 lekëve
8 Qershor 2026, 16:34
Sondazh/ A mendoni se protestat e fundit kanë dëmtuar imazhin e qeverisë Rama?
8 Qershor 2026, 16:22
Boçi: Mazhoranca po bllokon debatin për ligjin që ndalon propagandën gjinore tek fëmijët
8 Qershor 2026, 16:15
Vrasja në Kamëz, autori qëlloi me 10 plumba, në shënjestër ishte edhe shoku i viktimës
8 Qershor 2026, 16:07
Nga kullat te lumenjtë/ Kostoja e padukshme e etheve të ndërtimit
8 Qershor 2026, 15:56
Miratohet në parim amnistia penale, 380 të dënuar lirohen mënjëherë
8 Qershor 2026, 15:11
Abuzimet me fondet “SASPAC”, Apeli lë në burg Ilir Beqajn
8 Qershor 2026, 14:58
FIFA ndryshon traditën historike, ja si do të prezantohen skuadrat në Botërorin 2026
8 Qershor 2026, 14:46
U vra pas një konflikti në Kamëz, ky është 27-vjeçari që u nda nga jeta
8 Qershor 2026, 14:43
Të shtëna me armë zjarri në Velipojë
8 Qershor 2026, 14:38