Flash News

KRYESORE

“Përshëndetje nga Shqipëria” me pullat postare të veriut mes tradicionales dhe modernes

“Asgjë e madhe në botë nuk është realizuar pa pasion” pikërisht kështu do të shprehej Georg Wilhelm Hegel vite më parë, për të treguar se veprat e mëdha janë më shumë sesa rendimet pune.

Këtë gjë e reflekton pikërisht edhe projekti i dizajneres Merilin Tota, e cila ka zgjedhur të risjellë pullat shqiptare nën imazhet e motiveve tradicionale të zonës së veriut të Shqipërisë.

Në një intervistë dhënë për Politiko.al, Tota tregon sesi nisi ky projekt i cili ka marrë jo pak vlerësime. Lahuta, djepi, xhubleta etj janë vetëm disa nga detajet që reflektohen më së miri në këto punime, të cilat Tota ka menduar ti gërshetojë me ngjyra dhe kombinime tejet moderne por pa humbur thelbin e tyre.

Janë të paktë të rinjtë të cilët shfaqin interes ndaj vlerave që përmban kultura tradicionale e vendit tonë. Aq më të paktë janë ata të cilët, zgjedhin ta lidhin profesionin e tyre me të. Megjithatë ajo pëqindje e vogël që mbetet, sikurse është Tota nuk bëjnë gjë tjetër veçse të na suprizojnë.

Punimet e Merilin Totës nuk janë thjesht projekte në sirtar, pasi çmimet me të cilat ajo është vlerësuar janë të konsiderueshme.

Parisi ka zgjedhur ta shpallë jo pak por 8 herë fituese në kategorinë “Graphic Design”. Politoko.al ka sjellë të gjithë koleksionin e plotë të pullave të dizenjuara nga Tota.

Intervista e plotë:

Për të gjithë ata që nuk e njohin autoren e projektit kush është Merilin Tota?

Merilin Tota është një grafik dizajner e sapodiplomuar në MSc Dizajn i Aplikuar, pranë Universitetit Polis. Fituese e disa çmimeve kombëtare dhe ndërkombëtare në dizajn, ku do të veçoja çmimin “Design & Design Award” Paris 2017, 8 herë fituese, në kategorinë e “Graphic Design”. Jam dashuruar me artin dhe dizajnin që herën e parë që mora lapsin me ngjyra në dorë. Vazhdimisht teksa vizatoja, ngjyrosja, bëja piktura dhe bëja punë dore, si çdo fëmijë, e ndjeja që do të kisha një karrierë të lidhur me kreativitetin. Teksa e kaloj shumicën e kohës pranë kompjuterit, duke punuar, besoj shumë në fuqinë e konceptit të fortë me një përfundim të papritur të finalizimit të punëve. Gjithmonë e sfidoj veten që të eksploroj sa më shumë në çdo projekt. Ideja e të qenurit një dizajnere “god damn good”(‘tmerrësisht’ e mirë), është ajo që më zgjon dhe më motivon çdo mengjes.

Si nisi ky projekt?

Ky  projekt lindi në kuadër të temës së diplomës në master. Ideja fillestare ishte të krijoja një paketë me pulla poste dhe kartolina, me qëllim për të promovuar pjesën Veri-Perëndimore të Shqipërisë, pra pjesën e Alpeve dhe zonave përreth Shkodrës. Duke qenë se koha ishte e kufizuar, u përzgjodhën disa nga elementët më karakteristik, të cilët t’i kujtojnë më shumë ato zona.

Procesi i punës filloi me një studim që iu bë zonës së përzgjedhur, në mënyrë që të merreshin si bazë për përpunimin grafik objektet më identifikuese dhe përfaqësuese të atyre zonave. Pas kësaj u bë një seleksionim akoma më i saktë i atyre objekteve që duheshin mbajtur e më pas punuar mbi to, edhe pas konsultimeve të bëra me specialistë të fushës e historianë. Kur të gjitha këto u kopsitën dhe materialet bashkë me stilin grafik i cili do të përdorej për adaptimin e këtyre objekteve nga koha në të cilën janë përdorur, në ditët e sotme, filloi puna intensive për të bërë të mundur sjelljen e këtij projekti në mënyrën më të denjë të mundshme.

Kombinimi i tradicionales me modernen,a mendove në ndonjë moment se rrezikoje të  mos 'pëlqeheshe' nga audienca?

Në fakt fillimisht ishte pak e “rrezikshme”, duke qenë se publiku është mësuar që këto objekte ti shohe gjithmone fizikisht ose nëpërmjet fotove, ku janë të shfaqura të gjitha detajet dhe karakteristikat e tyre dhe nuk dija se si do ishte reagimi i tyre kur ti shihnin këto objekte në mënyrë grafike. Por pas disa survejimeve, ku krijuam disa prototipe të para të kartolinave, vure re që shumica patën reagime pozitive në lidhje me to dhe i mirëpritën. Duke parë edhe ngjyrat që ishin shumë të ngrohta dhe verore edhe objektet u pëlqyen, kështu që një pjesë e frikës kaloi akoma pa dalë produkti përfundimtar.

Nëse flasim për detajet, djepi apo lahuta, si arrite të sillje një ide të tillë në këtë projekt? Duke qenë se fatkeqësisht jo shumë të rinj rendin pas tradicionales.

Fakti që janë zgjedhur objekte të tilla si: lahuta, kulla, xhubleta, djepi, opingat etj, është sepse janë objekte të cilat janë përdorur dhe kanë ekzistuar në të kaluarën, por tani janë drejt zhdukjes por që janë edhe pjesë e trashëgimisë kulturore. Dikur ishin shumë përfaqësuese për zonën, por në ditët e sotme po bëhet gjithnjë e më e vështirë aksesimi dhe gjetja e tyre. Kjo vjen si rezultat i mospërdorimit aq të madh, si dhe ajo që është më e rëndësishme, shumica e këtyre objekteve nuk prodhohen më në Shqipëri, thjesht në raste të rralla kur vetë banorët e atyre zonave e ruajnë akoma me fanatizëm traditën e prodhimit e përpunimit të këtyre objekteve në mënyrë tradicionale.

Është bërë kjo mënyrë e paraqitjes grafike, për të vetmen arsye, risjelljen e atyre objekteve në kohë.

Ke pasur mbështetje gjatë kohës kur ke punuar?

 E vetmja mbeshtetje në fillim të punës ishin pedagogët dhe  historianët të cilët më drejtuan në përzgjedhjen e objekteve specifike të cilat do të ishin më shumë përfaqësuese për këtë fazë të projektit (projekti do të ketë edhe një fazë të dytë).  Më pas e gjithë  puna, si grafike ashtu edhe shkencore është bërë totalisht nga unë.

 Ka pasur kosto ky projekt? (Jo vetëm nga ana financiare)

Përveç kostos financiare, e cila ishte e përballueshme në buxhetin e një studenti, kostoja tjetër ishte ajo kohore. Duke qenë se ky projekt kaloi nëpër disa faza dhe filtrave të ndryshëm, me ndryshime stilistokore, në lidhje me kompozimin, anën grafike, etj., mori goxha kohë dhe kjo ishte një kosto tjetër akoma më e madhe se ajo financiare.

Sa kohë të është dashur për ta përfunduar?

Sikurse e përmenda edhe më lart, periudha kohore ishte e konsiderueshme, sepse përpunimi grafik ka zgjatur nga janari deri në fund të majit, pra rreth 5 muaj.

Kush është mesazhi që ke dashur të përcjellësh?

“Greetings from Albania” është një projekt i vetë-inicuar, me qëllim që të tregojë diversitetin e gjerë të pjesës veriore të Shqiperisë në një stil pop-art ilustrues. Pas  gjithë 'titujve negativë'  vitet e fundit të shkaktuara nga kriza në vend, vendosa të krijoja diçka të bazuar në anën pothuajse të harruar të Shqiperise (së veriut në këtë rast).

Në një mënyrë të gjallë, kjo iniciativë e imja për mbledhjen e pullave dhe kartolinave tregon anën më të bukur të vendit. Aspektet shoqërore dhe politike tani na bëjnë të harrojmë se Shqipëria është një nga vendet më të bukura në tokë. Vendi i cili kombinon natyrën dhe historinë që të lë pa frymë, plazhet e mrekullueshme dhe ushqimet tradicionale.

I.H

 

Të fundit