Flash News
Përfshihet në flakë një apartament te bulevardi ‘Zogu i Parë’ në Tiranë
Berisha: Ishim opozita e parë që kërkuam anëtarësimin në NATO pas rënies së komunizmit
Lirohet nga qelia ish-kryebashkiaku i Fushë Arrëzit, Fran Tuci
Konstituimi i grupit të dialogut PD-PS, Bylykbashi: Prioritet është Reforma Zgjedhore
Konstituohet grupi i dialogut mes opozitës dhe mazhorancës për ‘Reformat’
Gantian Gaba
Karriera e Adriatik Llalës në krye të institucionit të akuzës u mbyll në të njëtën mënyrë me të cilën nisi në vitin 2012; me një debat mbi afatet e mandatit të Kryeprokurorit si pasojë e ndryshimeve kushtetuese. Në ikje e përcolli “Reforma në drejtësi”, e cila u miratua në Kuvend me 140 vota pro; në ardhje e shoqëruan ndryshimet kushtetuese të muajt prill 2008, që në histori do të kujtohet si marrëveshja Berisha-Rama.
Atëmot, palët politike, nisën një proces të shpejtë dhe bilateral, jo publik, të ndryshimit të Kushtetutës në disa elementë thelbësor. Procesi u mbyll me votim konsensual midis dy partive kryesore politike. Thënë thjesht, sistemi u dizenjua enkas për të vendosur në dorën e fituesit të zgjedhjeve të vitit 2009, kontrollin e të gjitha pushteteve. Politikisht, kjo përkthehej në stabilitet të qeverisë, por, juridikisht dhe moralisht, krijoi premisat për autokracinë që sundon sot.
Nuk është çudi që të gjejmë te deklaratat e liderit të opozitës së atëhershme, që sot është në rolin e Kryeministrit, togfjalshin “largimi i Ina Ramës është antikushtetues”; dhe akuza ndaj Presidentit të sapozgjedhur me shumicë të thjeshtë, Bujar Nishani, i cili prezantonte Adriatik Llallën si kandidaturë për funksionin e Prokurorit të Përgjithshëm. Rropama e Ramës në vitin 2012, dhe tentativat për të sulmuar çdo akt të qeverisë Berisha në ushtrimin e detyrave kushtetuese, zgjati shumë pak, pasi ishte një bast që ai kishte hedhur vetë me antagonistin e tij në prill të vitit 2008. Si pasojë “PS nuk e paragjykoi” Llallën, madje abstenoi në votim duke mos përdorur kartonat kundër tij.
Llalla e ushtroi detyrën në frymën e marrëveshjes që e solli në krye të akuzës; një ekuilibrist që eci me kërbaçin e drejtësisë mbi një litar të tendosur midis të majtës dhe të djathtës, por larg rezultateve që 'Gomorra shqiptare' kërkonte nga një Kryprokuror.
Sot, qytetari Llalla është përballë një rokade ironike (nga akuzues në të akuzuar). Jo vetëm për mëkatet e tij, të cilat me siguri janë të shumta, por për shkak të një deus ex machina, “dajës Sam” dhe “priftërinjve” shqiptarë që interpretojnë vullentin e tij. Megjithatë, akuzat e ngritura kundwr tij, momenti në të cilën ato shpërthyhen në arenën publike, nuk lënë vetëm hapwsirë për dyshime mbi fatin e ish-Kryeprokurorit, por për drejtësinë dhe drejtimin që ajo do të marrë në të ardhmen.
Rasti kurioz i z. Llalla mund të ilustrohet lehtësisht nëpërmjet dy metaforave të huazuara nga bota shtazore dhe tradita pagono-biblike, duke e përshkruar atë si një “peshk prilli” ose si 'dhia e Dhjatës së Vjetër'.
“Peshku i prillit”, në disa vendeve të botës, përkon me ditën e parë të këtij muaji, gjatë të cilës organizohen shaka të ndryshme; te ne kjo ditë përkon me atë të “rrenave” ose gënjeshtrave. Për koincidencë, muaji, është muaji në të cilin pritet çelja e negociatave, dhe metafora, peshku që drejtësia e re duhet të kapë me rrjetën e saj, përkon më shumë se kurrë, me figurën e ish-Kryeprokurorit.
Metafora e dytë është ajo e dhisë, e cila, sipas Bibëls, ngarkohej nga priftërinjtë me të gjitha mëkatet e popullit dhe më pasë dërgohej në shkretëtirë për t’i shlyer ato.
Kjo është edhe dilema mbi Adriatik Llallën. Është një peshk me të cilin po luhet “rrenash” në funksion të integrimit? Apo është dhia e zgjedhur për të shlyer të gjitha mëkatet e drejtësisë të vjetër?
Në pamje të parë diferenca midis peshkut dhe dhisë duket fare e vogël, pasi kapja ose dërgimi i tij në “shkretëtirë” kanë ndëshkimin e Llallës si rezultat final.
Problemi qëndron te qëllimet për të cilat ai dënohet ose dërgohet në dënim.
Nëse arrestimi bëhet në funksion të integrimit, do të jemi përsëri përballë një drejtësie të drejtuar nga një vullnet politik, me një vazhdimësi xanxare e cila fillon me mbarimin e mandatit të Ina Ramës dhe përfundon me zgjedhjen e Arta Markut (më në fund Edi Rama zgjodhi Prokuroren e tij).
Ndërsa një arrestim i kryer në funksion të gjetjes së viktimës sakrifikale, mbi të cilën ngarkohen njëzet e tetë vite padrejtësi, kërkon të mbyllw me Llallën, hallkën më të dobët, ciklin e reformimit; duke larë formalisht hesapet me financuesit dhe arkitektët e Reformës, të cilët janë në fund të mandatit të tyre shqiptar.
Një popull i etur për drejtësi, ndoshta nuk do të arrijë të gjejë diferencën midis dy rasteve, pasi pret me padurim rrokullisjen e kokave përpara këmbëve. Mirëpo, një kurban që kullon gjak nuk mund të mjaftojë për të shlyer mëkatet e një sistemi që kullon korrupsion, aq më tepër kur “priftërinjtë” që përzgjedhin “viktimën” meritojnë të njëjtin fat.