Flash News

KRYESORE

Peshku në det, tigani në zjarr

Peshku në det, tigani në zjarr

Patrik Sadikaj

Iku janari! Iku po nuk pranoi asgjë. Që prej fillimit të këtij muaji jam ulur në tryezën e restorantit të madh politik dhe po pres "peshqit e mëdhenj". Prit gomar të mbij bar, i thonë kësaj, se peshkimi duket se është shtyrë për në shkurt.

Por shkurti është 28-të ditësh e peshku i madh është lënë të kapet me 30. Do vijë edhe pranvera e peshqit, mesa duket, do të lodrojnë rehat në detin, lumin dhe liqenin e korrupsionit pa u druajtur aspak nga grepi që, medemek, ka hedhur Reforma në drejtësi në ujë. Deri tani vetëm një vrimë në ujë e asgjë më shumë.

Në fakt nuk e kam besuar kurrë këtë shprehjen: në muajin x do të arrestohen kokat e mëdha të krimit e korrupsionit! Na e kanë thënë dhjetra herë diplomatët, politikanët, ministrat dhe vetë kryeprokurorët, që muajin e parë presin kokat e rivalëve e pastaj flenë gjumë në prehrin e politikës. Pra, në janar peshk nuk ka. Hani pak përshesh me kos se ku i dihet, mund të mbeteni pa ngrënë fare edhe në shkurt.

I kam dëgjuar diplomatët të thonë çdo vit: ky është viti i madh për Shqipërinë... do bëhet nami kundër korrupsionit dhe krimit, por në dhjetor vjen gjithmonë e më i keq bilanci. Vërtetë, ata nuk kanë detyrimin të na i bëjnë punët ne, por them se kanë mundësi të bëjnë atë që kanë premtuar.

Në asnjë vend të botës, nuk ka ambasadorë më të përfshirë se në Shqipëri. Ata janë përcaktues të jetës politike dhe, normalisht, edhe të peshkimit të peshkaqenëve të politikës dhe atyre të lidhur me politikë. E kemi degjuar shpesh shprehjen: 20-40 apo 300 bandat e krimit në Shqipëri, por harrohet po aq shpesh se kryebandat janë në pushtet e politikë, dhe ne i votojmë me bekimin e të huajve sa herë vijnë zgjedhjet.

Gjithsesi, të shpresojmë!

Të ëndërrosh nuk kushton asgjë; fundja ambasadorët ikin, ndoshta, pa u kapur ndonjë peshk i madh. Ata që zgjohen nga ëndrra janë shqiptarët dhe e gjejnë veten të rrethuar nga peshkaqenët e drogës, korrupsionit, e kështu me rradhë. Fundja ëndrrat të bukura janë, kështu ia fusim gjumit prapë duke vënë tiganin në zjarr, por me peshkun në det.

Të fundit