Flash News

KRYESORE

'Peshqit e mëdhenj' gjejnë drejtësi vetëm te Fevziu

Gentian Gaba 

Mbrëmja televizivie e së martës duhet të ketë shënuar një rekord shikimesh për programin Opinion të Blendi Fevziut.

Tema ishte e një rëndësie të veçantë, gjendja mizerabël e ARMO, e cila shkaktoi një debat të ethshëm në studio. Në përballjen televizive ndërhynë në rend kronologjik, gruaja e ish-pronarit të ARMO, Rezart Taçi; Besnik Sulaj, ose siç e njohim të gjith Beso i Tajvanit, dhe, Taçi, dora vetë.

Edhe sikur të ishte një skenografi e parapërgatitur, nuk do të kishte qenë kaq e gjetur.

Nën ritmin e diktuar nga Fevziu, teatri absurd i akuzave dhe kundërakuzave solli në skenë një gurgule të dhënash që, duke buruar nga përgjegjësit e situatave të krijuara, do të ishin material i artë për Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku.

Vendodhja e Taçit, paqartësia e shumave të detyruara ndaj shtetit, përgjegjësitë e shkarkuar te të tretët, akuzat ndaj ish-ministrit Bode, na treguan një Rezart Taçi të gatshëm për të thënë “të vërtetat e tij” mbi situatën e ARMO. 

Ndërsa ish-presidenti i klubit 'Dinamo' tregoi diçka ende më interesante dhe aktuale.

Besnik Sulaj, nëpërmjet telefonatës në Opinion, dëshmoi se nuk është gjë tjetër veçse personi që qëndron pas blerjes së dytë të ARMO, ose e thënë ndryshe, ai ështe “investitori serioz” që Rama prezantoi përballë naftëtarëve në vitin 2016. “Beso of the Taiwan”, pseudonimi i duhur nga dje, u ndie i detyruar të tregonte edhe ai të “vërtetat e tij”.

Mbrëmë, përpara shumë shqiptarëve që ndiqnin Opinionin, Sulaj dhe Taçi treguan të vërtetat e tyre, sikur të ishin dy opinionistë, madje duke debatuar me të pranishmit në studio.

Përse dy sipërmarrës ndihen të detyruar të ndërhyjnë telefonikisht në një program televiziv, dhe mbi të gjitha të hedhin poshtë maskat e tyre?

E thjeshtë, jetojmë në Repulikën e opinioneve; aty ku ndjenjat plebishitare dominojnë mbi drejtësinë tradicionale.

Përtej fatkeqësisë sociale, ekonomike, politike që përfaqëson ARMO, programi i djeshëm i Fevziut është ilustrimi më i mirë i shoqërisë sonë; e cila tashmë shquhet për humbjen drastike të dallimit midis opinioneve dhe fakteve.

Fakti (për ju që e keni harruar) është diçka që ndodh ose ka ndodhur; është konkret, i verifikuar dhe i verifikueshëm.

 Opinioni është një ide, një pikëpamje subjektive.

Për shembull, borxhet marramendëse të ARMO janë fakte; komentet e Taçit dhe Sulajt mbi përgjegjësinë e të tretëve për situatën, dhe jo të tyre, janë opinione.

Jam i sigurt që biznesmenët e njohin shumë mirë diferencën midis njërës dhe tjetrës; sigurisht këtë diferencë e dinë shumë mirë thuajse të gjithë frekuentuesit e 'Opinionit', dhe të salloneve të tjera televizive. Por, jam gjithashtu i sigurt, se pjesa dërrmuese e qytetarëve që ndjekin nga ana tjetër e ekranit e kanë humbur aftësinë për të ndarë të parin nga i dyti. Por, mbi të gjitha, mbrojtja përballë opionionit publik përbën një akt më të rëndësishëm sesa mbrojtja përballë drejtësisë tonë.

Kjo ka ardhur si pasojë e një drejtësie të cunguar; nga politizimi i debatit publik; nga  polarizimi i tejskajshëm midis kahëve të ndryshëm, të cilët kanë abuzuar me përdorimin e opinionit, qëllimisht për të shmangur faktet, pra për të relativizur çdo paligjshmëri dhe çdo përgjegjësi.

Në këtë kontekst, qytetarët nuk gjykojnë dot në mënyrë të ftohtë, duke bazuar vendimarrjen mbi faktet, por e zhvillojnë atë në bazë të opinioneve, duke u ndarë përfundimisht nga e vërteta, për të përqafuar vizionin e palës që duket më bindëse, por jo gjenuine.

Këtë e kuptuam tetorin e shkuar. Tri ditë pas daljes së përgjimeve nga Prokuroria e Katanias, në të cilat përfshihej ish-ministri Saimir Tahiri, u gjendëm përballë një situate paradoksale.

I lëshuar nga të gjithë, edhe nga partia e vet, Tahiri zgjodhi të tregojë të “vërtetën e tij” në Opinion. Me aftësinë komunikative, duke përdorur emocionet për t’u shfaqur si një baba që shkonte në burg padrejtësisht, si një politikan si gjithë të tjerët (pra duke nënkuptuar se edhe kolegët e tij janë fajtorë sa dhe si ai), arriti të dalë nga lëmi i fakteve (kanabizimi, Audi, përgjimet) për t’u futur në atë të opinioneve dhe emocioneve subjektive.

Ndonëse beteja e tij me drejtësinë do të jetë e gjatë, Tahiri tregoi se i vetmi gjyq ku “peshqit e mëdhenj” janë të gatshëm të shkojnë, është ai ku Fevziu është gjyqtari, dhe opinioni publik është juria.

Sigurisht, ky nuk është një gjyq real, sepse në praninë e një drejtësie normale, asnjë politikan nuk do të guxonte të pranonte që e kishte makinën në përdorim me kushërinjtë trafikantë; askush nuk do të pranonte se është ai që drejton de facto ARMO dhe jo “amerikani serioz”.

Por, kjo është 'mrekullia' e Shqipërisë, ku opinioni mbizotëron mbi faktet, dhe  drejtësia e Fevziut është më e fortë se e Arta Markut.

 

Të fundit