Flash News

KRYESORE

Peshqit në rrjetën e shqyer të reformës

Peshqit në rrjetën e shqyer të reformës

Patrik Sadikaj

Kjo historia e peshqve që do kapen, herë në shtator e herë në janar, është bërë si ato paralajmërimet e Ramës me ujin e dritat. Në fund, në rrjetë apo në grep bien vetëm qytetarët.

Peshkaqenët asnjëherë!

Iku dhe janari, siç edhe e prisnim, pa asnjë peshk të madh në tryezën e Reformës në Drejtësi. Unë futem tek ata qytetarë aktivë që e duan këtë vend, arsye që më mban ende në këtë vend që po na merr në qafë fëmijët tanë. Pra, unë dhe gjithë shqiptarët e duam drejtësinë e drejtë dhe të pakorruptuar. Ndaj dhe Reforma në Drejtësi është një hap pozitiv për këtë vend.

Por, ashtu siç ia kishim frikën, kjo reformë (e votuar edhe nga peshqit e mëdhenj që synon të kapë), u tret pak nga pak dhe tani është banalizuar aq shumë sa ka humbur çdo lloj besimi qytetar se do bëhet. Banalizimi ka shkuar deri aty sa në institucionet thelbësore të saj janë propozuar apo përzgjedhur njerëz të një niveli banal përfaqësimi.

Aq jocilësorë janë sa, gjyqtarët e korruptuar po na duken yjet e sistemit. Punë shorti, mund të thotë ndonjë idhtar i protestave apo çadrave të vetingut! Po, nganjëherë fati i keq nuk na ndahet ne shqiptarëve. Por, fati kërkohet dhe ata këtë kanë kërkuar. Njerëz pa integritet në hallkat e pastrimit të drejtësisë nuk sjellin gjë tjetër vetëm produkt pa ndonjë vlerë. Loja me shoqërinë civile është një shembull i keq. Prapaskenat e politikës që kontrollon zakonisht shoqërinë civile, e çuan gati në luftë Reformën dhe prodhuan një Kryeprokuror të vetëm njërës palë. 

Kjo kompromenton edhe punën e këtij institucioni që ka flamurin e betejës me peshqit e mëdhenj. Si përfundim, e zhgënjejmë edhe faktorin ndërkombëtar, dhe peshqit e medhenj janë për qejfin e tyre në miljet e llumta të detit të politikës shqiptare.

Madje, në ndonjë rast, edhe ato pak cironka që kishte kapur rrjeta i hedhim prapë në ujë. Reformë në Drejtësi për mua, është ajo që jep rezultate. Jo një Reformë që heq ca njerëz nga sistemi për t'u zëvendësuar nga ca të tjerë. Vetingu as hahet as pihet, shqiptarët prapë nuk po marrin drejtësi dhe pronat e tyre vazhdojnë t'i gllabërojnë të fortët, politikanët e lidhur me ta dhe gjyqtarët e korruptuar. Loja me Reformën, shpesh e bekuar nga ndërkombëtarët në Tiranë, e ka çuar drejtësinë gati në grahmat e fundit. Duhet një mrekulli që të shmanget më e keqja. Por, ashtu si fati, edhe mrekullitë nuk ndodhin pa u kërkuar.

Sot jemi në shkurt. Peshqit do të kapeshin në qershor, pastaj shtator e më pas në janar. Deri tani në rrjetën e shqyer të drejtësisë kanë ngecur vetëm ata të ngratë që nuk kanë paguar dot ujin e pijshëm që po kap naftën çmim.

 

Të fundit