KRYESORE

"Pezullim të përkohshëm aktiviteti", çmimet e ulëta zhysin minierat

"Pezullim të përkohshëm aktiviteti", çmimet e

Sektori minerar po përballet me një ndër nivelet më të ulëta historike sa i takon çmimit të mineraleve. Nga 572 leje aktive minerare në vend, 11 kanë kërkuar pezullim të përkohshëm aktiviteti, për shkak të pandemisë por operatorët e tregut presin që deri në fund të vitit, bilanci të thellohet.

Kompanitë kanë nisur të rishikojnë planet e investimit, duke i shkurtuar, duke i shtyrë në kohë apo duke shkuar deri te ndryshimi i strategjisë, si një mundësi për të siguruar mbijetesën në një kohë të vështirë. Ekspertët e sektorit pohojnë se mungesa e likuiditetit dhe vështirësia e sigurimit të lëndëve të para, kryesisht ndihmëse, kanë vështirësuar aktivitetin e përditshëm, kurse luhatshmëria e shpeshtë e çmimeve i ka bërë të vështira parashikimet. Në lidhje me punonjësit, kompanitë po mundohen t’i “mbajnë”, duke mos rrezikuar largimin e tyre, pasi emigrimi ka sjellë hemorragji të konsiderueshme në zonat rurale për këtë sektor.

Çmimet e mineraleve në tregjet globale kanë marrë goditjen finale nga pandemia, kurse cikli rënës i tyre ka filluar prej kohësh. Efektit të COVID-19 nuk i ka shpëtuar asnjë sektor dhe ai minerar nuk mund të bënte përjashtim. Pavarësisht situatës së vështirë, operatorët e tregut në vend me leje minerare aktive, kanë vijuar të punojnë, duke shfrytëzuar atë pak likuiditet në dispozicion apo duke rishikuar pjesën e planit të investimeve.

Ata nuk i kanë prekur investimet që lidhen me operacionet kyçe të kompanive teksa një pjesë tjetër që nuk konsiderohet emergjente mund të jetë shtyrë në kohë. Në fund, të gjithë e pranojnë se 2020 do të jetë një vit i vështirë.

Për sektorin minerar, mund të jetë fatal në disa raste, pasi pritshmëritë për falimentime, nëse situata e çmimeve nuk ndryshon, janë të larta. Të dhënat paraprake zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk flasin ende për një sektor në krizë, por operatorët e tregut pohojnë se situata është e vështirë.

“Nga 572 leje minerare aktive (ku përfshihen metalorët, jometalorët dhe materiale ndërtimore), vetëm 11 prej tyre kanë kërkuar, referuar ligjit minerar, pezullim të përkohshëm të aktivitetit. Gjithashtu nuk ka pasur probleme mes të punëmarrësve dhe punëdhënëseve gjatë kësaj periudhe, pasi të dyja palët kanë respektuar kontratat kolektive dhe Kodin e Punës” – thotë Mehmet Hasalami, Drejtor i Programeve të Zhvillimit në Fushën e Minierave dhe Industrisë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Pesë ndikimet e pandemisë mbi sektorin minerar

Sokol Mati, ekspert për sektorin minerar në vend, shprehet se pandemia ka vënë në vështirësi subjektet që ushtrojnë veprimtari minerare dhe kjo është reflektuar në pesë aspekte.

“Së pari, vështirësitë e sigurimit të tregut dhe luhatja jo normale të çmimeve e ndikuar globalisht nga pandemia dhe lufta midis ekonomive të mëdha botërore (duhet të kemi parasysh se Kina është vendi ku shkojnë rreth 90% e eksporteve shqiptare të metaleve që përbëjnë rreth 80% të të ardhurave nga biznesi minerar)” thotë eksperti. Ai nënvizon se kompanitë janë përballur me vështirësi në sigurimin e lëndës së parë, kryesisht materiale ndihmëse të sektorit.

“Mungesa së aftësisë paguese të biznesit minerar shqiptar relativisht i ri për të paguar pa prodhim, kostot fikse për një periudhë disamujore ndalese të prodhimit” cilësohen si një tjetër problematikë. Po ashtu, edhe detyrimi i pagesave të fuqisë punëtore për moslargimin e tyre, pasi me imigrimin dhe emigrimin e madh në vitet të fundit, vështirësitë po shtohen për sigurimin e fuqisë punëtore dhe personelit të kualifikuar inxhiniero-teknik.

Ky aspekt po dominon vendimet e investimit për shumë objekte minerare në zonat rurale me popullsi të kufizuar. Problematika e pestë, sipas Matit, lidhet me likuiditetin e kufizuar e për rrjedhojë, edhe me mundësinë e ulët që ka sektori për t’u financuar nga institucionet financiare.

Materialet ndërtimore priten në rritje, interes për shkak të rindërtimit

Teksa sektori minerar për metalorët vuan nën efektin e pandemisë, duket se ndodh krejt e kundërta me subjektet që kanë interes për prodhimin e materialeve të ndërtimit. Tërmeti shkatërrues i 26 nëntorit vitin e shkuar, që la pas mijëra banesa të shkatërruara, bëri që të lindë edhe Programi i Rindërtimit që parashikohet të rrisë kërkesën për këto lloj materialesh.

“Me rëndësi është se asnjë subjekt nuk ka kërkuar mbylljen përfundimtare të aktivitetit minerar, por vazhdon puna normalisht. Me marrjen e masave nga qeveria për ndërtimin e pallateve dhe banesave të shkatërruara nga tërmeti ka pasur një interesim të veçantë dhe natyrisht, edhe angazhim për prodhimin e materialeve ndërtimore, për të plotësuar në kohë kërkesat për këto materiale të tilla si inerte” – pohon Hasalami nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Kompanitë përshtasin operacionet dhe aktivitetin me kushtet e pandemisë

Puna në miniera ka vijuar gjatë muajve të pandemisë, duke integruar protokollet e sigurisë. Luan Saliaj, nga AlbChrome, pohon se të njëjtat protokolle janë ndjekur nga fillimi e në vazhdim, duke synuar eliminimin e riskut. Paralelisht edhe takimet me partnerët ndërkombëtarë janë zhvendosur online, teksa logjistika përbën një tjetër sfidë në kohë pandemie.

“Shqetësim tjetër për mirëfunksionimin e industrisë minerare mbetet logjistika në nivel ndërkombëtar. AlbChrome është një ndër eksportuesit kryesorë në Shqipëri dhe mirëfunksionimi i logjistikës në nivel global ndikon shumë. Për sa u përket kontakteve me partnerët tanë ndërkombëtarë, pandemia i ka bërë shumë të vështirë takimet ballë për ballë. Jemi përshtatur me takimet virtuale nëpërmjet video-konferencave, por po shikojmë që në biznesin ku operojmë, kontakti njerëzor është i rëndësishëm

Të dy këto elemente, logjistika dhe takimet me partnerët, ndikojmë shumë në mirëfunksionimin e kësaj industrie” shprehet Saliaj./Monitor

Ditari politik

Të fundit