Flash News

OP-ED

Pika 1, po; pika 2, po... pika 8, po. Atëherë për çfarë të flasim? 

Pika 1, po; pika 2, po... pika 8, po. Atëherë për

Osman Stafa

Pika 1, po, pika 2, po …pika 8 po, po atëherë për çfarë të flasim?

Për çfarë duhet dialogu?

Dialogu do të duhej në një rast kur Kryeministri do të kishte një jo, ndër pikat e kërkuara nga studentët. Apo Kryeministri mendon se meqë të gjitha pikave u tha po, studentët do venë dorën në zemër dhe do i thonë jo, ndonjë pike, e kështu do duhej dialogu. Por jo, Kryeministri u thotë  po  pikave, por nga ana tjetër do dialog. E çuditshme dhe e padëgjuar më parë!

Sepse nuk ka një çështje për t’u dialoguar në momentin që Kryeministri i pranon të gjitha. Dhe në momentin që t’i i pranon, të mbetet vetëm zbatim, plotësim i kërkesave. Dhe kjo do të ndodhte vetëm në një vend demokratik, ku Kryeministri i vendit do kishtë kërkuar një ndjesë publike, do kishte pranuar kërkesat, do kishte nisur nga puna menjëhërë për të zgjidhur problemet.

Çfarë do më thoni që Kryeministri ka 6 vite në pushtet dhe nuk di çfarë problemesh kanë në Shqipëri mijëra studentë? Po më thoni që ai nuk i di kushtet e konvikteve ku rrinë mijëra studentë? Po më thoni që ai nuk e di që pedagogët ushtrojnë presion mbi studentët duke kërkuara para dhe favore seksuale? Po më thoni se Kryeministri nuk e di që në universitete nuk ka biblioteka dhe laboratore? Kryeministri nuk e di që pedagogët nuk sheshin librat e tyre me çmime të kripura? Pse, kjo protestë studentore e kthjelloi atë që të nisë punën për të rregulluar problematikat e arsimit?

Atëhërë ose vërtetë nuk i di, ose i di dhe e ka lënë problemin ashtu të pazgjidhur. Sepse janë 6 vite që studentët ngrenë zërin për problematikat e tyre dhe askush nuk i dëgjon. Jo pak, ë?

E gjitha çfarë po tenton Kryeministri është që këtë protestë të studentëve ta kthejë në favor të tij. Ai do të jetë në anën e studentëve dhe pasi dëshiron t’i këtë përpara do të zhvillojë dialog-monologun e tij, me orë me radhë, e pastaj do dalë edhe përpara mediave, do bëjë një foto me studentët, do buzëqeshë, do u hedhë atyre dorën supeve dhe do thotë për publikun: “Nga sot unë jam me studentët, nga sot ata për çdo pedagog që abuzon, apo u merr lekë, do më shkruajnë në numrin tim, së bashku do bëjmë reformën në arsim, së bashku ne treguam se rruga e dialogut është e vetmja. Partia Socialiste është mbështetëse e studentëve, dialogu u vonua për shkak të Lul Artistit dhe Doktoreshës së Shkencave, Monës”.

Kështu do të mbyllet e gjithë protesta më e madhe e zhvilluar ndonjëherë nga studentët pas viteve '90. Dhe Rama do të mbahet mend që ka qënë me studentët dhe i dëgjoi ata.

E kundërta!

Rama plotëson pikat dhe krijon precedentin. Ashtu si studentët, nesër mund të ngrihen përsëri qytetarët, duke qënë të pakënaqur me kushtet e jetesës, ekonomike, shëndëtësore, punësimit, politikave sociale, arsimit, e çdo gjë tjetër.

Dhe krijimi i precedentit dhe fitimi i të drejtave me protestë, do frymëzonte shumë të tjerë, që u ka ardhur në majë të hundës.

Prandaj kjo nuk është kurrësesi një protestë ekonomike, thjesht për të ulur ca tarifa, apo për të plotësuar ato 8 pika që studentët kanë kërkuar.

Kjo protestë është gjithashtu për të frymëzuar të gjitha ata që mendonin se nervi protestues i këtij populli kishte vdekur. Eshtë një protestë model e treguar ditë më radhë dhe ka treguar se kur ka një qëllim të përbashkët, një interes të përbashkët, ai mund të arrihet.

Sido që t’i shkojë fundi kësaj proteste (uroj që Kryeministri të reflektojë, të plotësojë kërkesat dhe pastaj të fillojë mënjëherë nga puna për plotësimin e tyre) ajo e arriti qëllimin e saj. I tregoi klasës politike që kupa është mbushur dhe në një moment ose tjetrin do plasë.

Ne që prej vitit 1990 vazhdojmë të jemi në trazicion. 28 vite. Më shumë se një çerek shekulli dhe askush nuk merr asnjë përgjegjësi më çfarë ka dështuar në këtë vend, veçse ata ndërrojnë karriget me njëri-tjetrin sa herë ka zgjedhje dhe kaq. Populli paguan taksa, edhe pse pa punë, merr ilaçe të skaduara, vuan mungesën e tyre nëpër spitale, mjekët po ikin, arsimi në norma të frikshme dështimi, PPP-të dështim të gjitha, abuzimi me tenderat ndodh ditën me diell, vendet e punës me mik ose me tesera partie, krimi i pakontrolluar, drogërat në duart e fëmijëve.

A janë fakte këto? Çfarë nuk ndryshon në këtë vend? Vetëm politikanët. Ata janë aty gjithmonë. Nuk ikin. Dhe pse? Sepse ne i kemi lejuar, sepse ne u kemi dhënë pushtet pa kufi.

Prandaj është e nevojshme që njerëzit t’i dalin për zot vetës së tyre, të ardhmes së tyre, nëse vërtetë dëshirojnë të jetojnë në këtë vend.

Koha është tani që të mos pendohemi nesër.

*Gazetar në TV Klan.

Të fundit