Flash News
Shoferja humb kontrollin në aksin Devoll-Miras, dy të plagosur
SPAK sekuestron pasuritë e dy ortakëve të Evis Berberit
Goro në burg, Blerina Balaj komandohet kryetare e Bashkisë Himarë
Video/ Tensione në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës, qytetari pështyn në fytyrë Vangjel Tavon
Olsi, ashtu si Edi, qenka burrë p….
Namir Lapardhaja
Në vitin 1932 në Varshavë, kryeqytet i Polonisë, u botua një roman me titull “Pangopësia” me autor Stanislav Vitkieviç, i cili ishte njëkohësisht piktor, shkrimtar dhe filozof. Gjuha e këtij romani ishte e vështirë për publikun e gjerë, me fjalë të krijuara nga autori, përshkrime kafshërore të skenave erotike të përziera me diskutime filozofike mbi Huserlin. Ngjarjet i takonin bashkëkohësisë dhe ishin vendosur në Evropën e viteve ’40-’50, ndërsa mjedisi që përshkruhej ishte ai i artistëve dhe i shoqërisë së lartë aristokratike. Të gjitha ndodhin në një kohë kur qytetërimi perëndimor ishte i kërcënuar, ndërsa vendi ishte i pambrojtur dhe do të pësonte i pari goditjen e një ushtrie lindore, mongole apo kineze, e cila kishte pushtuar, tashmë, territoret nga Oqeani Paqësor në detin Baltik. Heronjtë e romanit janë njerëz fatkeq: ata kanë humbur besimin në gjithçka dhe çdo gjë që bëjnë u duket e pakuptimtë. Absurdi ka pllakosur të gjithë vendin. Pikërisht në këtë atmosferë, nëpër qytete të ndryshme shfaqen tregtarë shëtitës, të cilët shesin fshehtas pilulat Murti-Bing dhe çdo njeri që i përdor ato gjen qetësinë shpirtërore dhe lumturinë e përhershme, duke fituar imunitet ndaj çdo tundimi për vramendje metafizike. Epilogu i këtij romani është dhënë me pak fjalë: lufta ka vënë përballë ushtritë e Perëndimit me ato të Lindjes dhe, në çastin kur pritet të fillojë beteja, komandanti i ushtrisë perëndimore shkon e dorëzohet në shtabin e armikut; si “shpërblim” i pritet koka. Ushtria lindore pushton vendin dhe fillon “jeta e re”, në të cilën zbatohet Murti-Bingu dhe personazhet e romanit, dikur të rënuar shpirtërisht nga “pangopësia” filozofike, kalojnë në shërbim të sistemit të ri, ndërsa qetësia e tyre spikat përballë gjithçkaje që ndodh përreth.
Pikërisht mbi këtë histori e ngre parabolën e kapitullit me të njëjtin titull (Murti-Bing) Çesllav Milloshi në veprën monumentale “Mendja e robëruar”, shkruar në vitet ’51-’52, bash në kulmin e stalinizmit. Kjo vepër është sjell në shqip mjeshëtrisht nga Bashkim Shehu dhe është botuar nga “Pika pa sipërfaqe” (Tiranë 2019).
Ajo që na thotë Milloshi nga rrëfim është se Murti-Bingu, më fort se sa për fshatarin dhe punëtorin, është një tundim i madh për intelektualin, i cili konformohet me regjimin me zell dhe entuziazëm jo të paktë.
Sipas tij, në romanin e Vitkieviçit, vihen re disa elementë, të cilët ndihmojnë të kuptojmë se si njerëzit piqen për Murti-Bingun:
Elementi i parë që rendit ai është zbrazëtia, që ka të bëjë me mungesën e besimit fetar, i cili ka pushuar së ekzistuari. Në demokracinë popullore të regjimit të ri, feja nuk është më e përbashkët për të gjithë shoqërinë. “Kemi arritur, nëpërmjet kalimesh të paperceputeshme, në një situatë ku nuk ka më një sistem të njëtrajtshëm mendimi, ku do të mund të bashkoheshin fshatari që lëron tokën me një parmendë që e tërheq kali, studenti që merret me logjikën matematikore dhe punëtori që punon në një uzinë automjetesh. Nga një mungesë e këtillë vjen edhe ajo ndjesi e mundimshme mënjanimi apo shkëputjeje, që e mundon klasën e kulturuar dhe sidomos ata që “krijojnë kulturën”... Besimi fetar i ka lënë vendin filozofisë, e cila është arratisur në sfera gjithnjë e më të paarritshme për një profan... Muzika, piktura dhe poezia janë bërë krejt të huaja për shumicën dërrmuese të popullit....” – shkruan Çesllav Millosh.
Elementi i dytë që merr në konsideratë është absurdi. Ai sërish merr në analizë një prej heronjve të Vitkieviçit, i cili bën një shëtitje, ku e shqetëson ndjenja marramendëse e absurdit. Cila është arsyeja që e përligj ekzistencën e të gjithë këtyre përfaqësuesve të species njerëzore, ç’kuptim ka kjo lëvizje, këto buzëqeshje, këto përpjekje për të fituar para, këto zbavitje prej shtazësh budallaqe? Këto lloj pyetjesh janë, pothuajse, të pashmangshme dhe bashkudhëtare të asaj që quhet urrejtja ndaj borgjezisë. Ndaj, vijon më tej ai, le të ngrihet Njeriu i ri, i cili, në vend që t’i nënshtrohet botës, e transformon atë, njeriu që mendon në përmasa botërore dhe që vetë e krijon formimin e tij historik në vend që të jetë skllav i tij. Vetëm kështu mund të çlirohesh nga absurditeti i ekzistencës fiziologjike.
Elementi i tretë është domosdoshmëria. Sipas Milloshit, ajo që e karakterizon këtë personazh është frika për të menduar në mënyrë të pavarur. Jo thjesht se duhet të arrijë në konkluzione të rrezikshme, por tmerrohet nga shterpësia, nga ajo që Marksi e ka quajtur mjerimi i filozofisë. Ai thotë më tej se “kushdo që është i lidhur nga zinxhirët e dialektikës është i detyruar të pranojë se një filozof i izoluar që përpiqet të arsyetojë pa u mbështetur në citate të autorizuara, nuk është gjë tjetër veçse një budalla. Meqë punët kështu janë, gjithsecili duhet të mundohet me të gjitha forcat e tij të ndjekë “vijën” dhe kësisoj për të nuk do të ketë më pikëndalim. Kush ka thënë A duhet të thotë B, mirëpo A-ja gëlltitet lehtë. Është pilula e parë e Murti-Bingut dhe kalon fare lehtë pa u ndjerë; ajo shërbehet në pjata nga më të ndryshmet, nga ato që përbëjnë menynë e intelektualit bashkëkohës...”.
Suksesi është elementi që kurorëzon analizën e Çesllav Milloshit. Sipas tij, vjen një kohë kur bëhet e domosdoshme të merret e tërë doza e Murti-Bingut, edhe pse kjo nuk kalon pa dhimbje për pacientin. “Ai e di se tash e prapa duhet të shkëputet nga qenia e tij e dikurshme, - vijon më tej Millosh, - se kanë marrë fund lidhjet dhe shprehitë e tij të vjetra. Nëse është shkrimtar, pena i bie nga dora, e tërë bota i duket e errët e pa asnjë dritë shprese. Deri tani, kur shkruante, haraçi që duhej të paguante ishte fare i vogël: në artikujt dhe në romanet e tij paraqiste të këqiat e shoqërisë kapitaliste.... Ndërsa tani duhet kaluar në lavde (sipas terminologjisë zyrtare, ky quhet kalim nga realizmi kritik në realizmin socialiste...)”
Në epilogun e romanit të Vitkieviçit, heronjtë që kanë kaluar në shërbim të Murti-Bingut, shndërrohen në skizofrenë. Është lufta e brendshme midis një bote “të re” dhe asaj “të vjetër”, midis asaj që është dhe asaj që duhet të jetë, është dyzimi i brendshëm i tyre, i cili, pavarësisht pilulës “çudibërëse” nuk i lë të qetë duke i shkaktuar vështirësi të mëdha në jetën e përditshme.
Në fund le t’i kthehemi edhe një herë asaj se çfarë ndodhi me autorin e romanit“Pangopësia”: kur ai mori vesh se më 17 shtator 1939 Ushtria e Kuqe kishte pushtuar Poloninë, u vetëvra duke pirë helm dhe prerë damarët. Romani i tij, shkruar 7 vjet më parë, kishte shërbyer si profeci e asaj që do t’i ndodhte vendit më pas.