Piramida e shpirtrave, libër që në thellësi fsheh dhimbjen

Gio Pellegrini/ SoloLibri.net

Besa Editrice, 2019 – Autori, me nota ironike, paraqet problematika që lidhen me një komb i cili ka qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes për kompleksitetin e kushteve ekonomike, sociale dhe politike që e kanë karakterizuar  në kohë e që, edhe sot e kësaj dite, në disa aspekte janë burim i konsiderueshëm shqetësimi.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Piramida e Shpirtrave

Autor Virgjil Muçi

Romani Piramida e shpirtrave i Virgjil Muçit (Besa Editrice, 2019, përkthyer nga A. Prizreni), fitues i Çmimit Kadare 2019, çmim letrar prestigjioz që jepet çdo vit në Shqipëri për librin më të mirë, tregon historinë e Mark Marës, një menaxheri shqiptaro-amerikan i cili mbasi ka kryer një sërë veprash të paligjshme në Amerikë, për të cilat i është dashur edhe të kryejë dënimin me burg, vendos të kthehet në Shqipëri, vendin e origjinës, me synimin për të vazhduar jetën i shpenguar.

Protagonisti pret të gjejë një Shqipëri të pastër dhe idilike, sikurse i kishte rrëfyer shpesh e ëma, por me të mbërritur, e vërteta i paraqitet shumë ndryshe nga sa e priste. Marku gjen një vend të korruptuar, nën kthetrat e piramidave të pushtetit dhe në mënyrë të pashmangshme ringjallet Mara i vjetër, po ashtu i etur për pushtet. Qëllimet e mira nuk vlejnë më asgjë, gjithçka në jetën e këtij njeriu merr një kthesë tjetër dhe ai trulloset totalisht nga konfuzioni që mbretëron në mëmëdheun e tij. Marku që u kthye për të bërë paqe me origjinën e tij zhduket e tashmë është ringjallur grabitqari i cili krijon një piramidë të vetën të pushtetit.

Me nota ironike autori paraqet problematikat që lidhen me një komb i cili ka qenë në qendër të vëmendjes për kompleksitetin e kushteve ekonomike, sociale dhe politike që e kanë karakterizuar në kohë dhe që edhe sot e kësaj dite, në disa aspekte, janë burim i konsiderueshëm shqetësimi. Sarkazma e studiuar mirë dhe e matur shërben si kornizë e një rrëfimi që të nxit të reflektosh. Virgjil Muçi përballet me problematika mjaft aktuale, si ajo e korrupsionit për shembull, një plagë e përhershme e shoqërisë, por duke prezantuar në të njëjtën kohë edhe një Shqipëri që do t’ia dalë mbanë, një komb për të cilin rrugëtimi ka qenë gjithmonë i përpjetë, por që nuk pranon të dorëzohet përballë vështirësive. Piramida e shpirtrave është libër që të shijon, i rrjedhshëm, që të rrëmben ndonjë buzëqeshje e që në thellësi fsheh dhimbjen.