‘Piramida e shpirtrave’, një roman ‘kinematografik i Virgjil Muçit

Tobias Xhaxhiu

Mark Twain, në serinë e refleksioneve të tij mbi rëndësinë e fjalës së shkruar dhe rolit të saj në shoqëri, një herë pat thënë se “ndryshimi midis fjalës së duhur dhe fjalës pothuajse të duhur është vërtet një çështje e rëndësishme, pasi është si ndryshimi midis dritës dhe xixëllonjës”.

Kjo shprehje më erdhi ndërmend teksa lexoja për herë të parë dhe në përkthim romanin fitues të Çmimit “Kadare” 2018, “Piramida e shpirtrave” të Virgjil Muçit, botuar së fundmi në Itali nga editori Besa-Muçi, nën përkthimin dinjitoz të Adriana Prizrenit. Libri (për ata që s’e kanë lexuar ende) flet për Mark Marën, një biznesmen amerikan me origjinë shqiptare, i cili zbarkon në Tiranën kaotike të kapërcyellit 1996-1997, me një qëllim të thjeshtë e sublim, vetëpastrimin e qenies. E shkuara e tij e errët amerikane e ka njohur me burgun, ku kish rënë si pasojë e përfshirjes në skema të mashtrimit financiar. Tollovia e përgjithshme në Shqipëri nuk përbën problem për Marën, pragmatizmi amerikan i të cilit i kumton se shtegu i vetëm për të shkelur parajsën kalon nëpër këtë purgator ballkanik, të mbushur me Piramida të padukshme.

Mara e njeh rëndësinë e parasë dhe kupton se vendi i tij i origjinës është një oaz informaliteti dhe ekonomie primitive të tregut, ku është e mundur të shesësh gjithçka, madje dhe ajrin. Kështu, krejt rastësisht, në një ulëse të avionit ai ndeshet me romanin “Frymë të vdekura” të Gogolit, intriga e të cilit do të implikohet më vonë. Në ambientet e hotel “Dajtit” (që autori e krahason me një ngrehinë të kolonializmit të vonë), ai do të miqësohet me njëfarë Robert Farka, administrator i hotelit, një alegori e Virgjilit udhërrëfyes në ferrin Dantesk. Ai do ta shpjerë Marën në zyrat e instancave shtetërore të rangut më të lartë, ku shqiptaro-amerikani do të pritet ngrohtë nga miqtë e tij të saponjohur, synimet e të cilëve janë thellësisht populiste, duke iu paraqitur publikut një imazh të rremë të afrimit të investitorëve ndërkombëtarë. Hotel “Dajti” strehon të tjerë personazhe ekzotike, si misionari amerikan Mark Ferreti, i cili në mungesë të ndjekësve të sektit, gjendet buzë falimentit të misionit të tij shpirtëror. Dëshpërimin ia rrëfen Marës. Ky i fundit, i frymëzuar nga faqet e librit të Gogolit, nga maketet financiare të Piramidave dhe nga qorrsokaku ku gjendet kleriku, vendos të ngrejë Piramidën e tij, atë të shpirtrave.

Romani përshkruhet nga një qasje origjinale filozofike, e cila përkthehet në një larmi këndvështrimesh si ato të një xhami kaleidoskopi. Udhëtimi i personazhit të Markut në purgatorin e tij shpirtëror shoqërohet nga hulumtime sociale, psikologjike, madje antropologjike, që burojnë si nga uni i tij ashtu dhe nga deduksionet e personazheve të tjera. Secili prej tyre është një karakter më vete, pasqyrë e një shoqërie në krizë të thellë, që nën zhuritjen e kaosit, arriti të nxjerrë në sipërfaqe llumin e një moçali të ndenjur. Autorin mund ta vlerësojmë edhe për faktin se në dallim nga shkrimtarë të tjerë me qëndrim melodramatik, të cilët ofrojnë për lexuesin romantizëm në shkrimet e tyre mbi epokën, Muçi rrëfen pa dorashka një atmosferë të degraduar. Ajo që përkufizohet si “çudi shqiptare” është në epiqendër të ngjarjes.

Më tepër sesa absurd, romani është një satirë e realitetit tragjik të tranzicionit, i cili vijon të endet si një shpirt që s’ka gjetur prehje edhe në Shqipërinë e ditëve tona. Kjo vepër, tanimë e botuar në Itali, një vend i afërt kulturalisht, rajonet jugore të së cilit kanë një qasje të ngjashme në politikat e zhvillimit, ofron një mundësi të re për hapje e për katarsis. Lexuesi italian mund të njohë një pjesë të errët, kaotike dhe qesharake të historisë sonë postkomuniste, që për rrethana gjeografike i përfshiu edhe ata gjatë eksodit.

Libri, për nga vetë subjekti i tij, ofron gjithashtu hapësirë për një adaptim kinematografik, që me penën e duhur, në drejtimin e skenarit, do të ishte një propozim i denjë.

Libri do të prezantohet në festivalin e Mantovës (Festivaletteratura) që do të mbahet në datat 4 – 8 shtator 2019./Gazeta Liberale