Flash News

OP-ED

Plagët tona

Plagët tona

nga Virgjil Muçi

 

E huazuam këtë titull nga libri i njërit prej mendimtarëve tanë më në zë të viteve tridhjetë, thjesht e shkoqur, për t’iu rikthyer rishtazi njërës prej atyre “plagëve” që bien në sy te ne shqiptarët e kohëve moderne edhe sot e gjithë ditën. Në veprën e vet “Europa” (e para vepër e madhe e humanizmit europian), Enea Silvio Piccolomini, alias Papa Piu II, duke folur për Skënderbeun dhe bëmat e këtij Atleti të Krishterimit (siç e kishte cilësuar ai vetë, duke shprehur stimën për luftëtarin e pamposhtur kundër fuqisë më të madhe të kohës) nuk lë pa përmendur, jo pa një fije shpotie, ç’është e  vërteta, edhe atin e heroit tonë, Gjon Kastriotin.

Humanisti i madh qesëndis shpengueshmërinë (pragmatizmin do të thoshim ne sot e kësaj dite) me të cilën fisniku arbër linte një fe për të marrë një tjetër (nga i krishterë në musliman dhe anasjelltas), në varësi të koniunkturave politike dhe interesave ngushtësisht vetjake për të ruajtur e zgjeruar pronat dhe feudet e veta.

E cituam Papën humanist për të nxjerrë rrënjët e atij defekti që, me sa duket, është shprehje elokuente e një tipari jo fort të mbrothtë që e paskëshin pasur jo vetëm stërgjyshërit tanë arbër, por e kundrojmë edhe sot mes nesh, pasardhësve të tyre, në një epokë që shumëkush dhe sipas volisë e quan moderne, por një zot e di se sa është e tillë krahasuar me ato që kemi lënë pas.

Thënë më shqip e kam fjalën për lehtësinë me të cilën ne, shqiptarët e kohëve moderne braktisim një gjë dhe gjithë pasion përqafojmë një gjë  tjetër; dhe këtu nuk është fjala vetëm për fe e besim (ashtu si ati i Kastriotit të madh), por edhe atdhe, ideologji, parti, dhe për t’i dhënë një dozë të lehtë humori, edhe skuadrën e futbollit që kemi për zemër.

Por, duke i lënë mënjanë shakatë, më vjen keq të them se kjo është e vërteta e hidhur, kur sheh e dëgjon se si dikush la aksh parti për t’u hedhur në pëqinë e filan partie (pa zënë ngoje ata që duke mos ua mbushur syrin gjë prej gjëje shkojnë e krijojnë partinë e  tyre), thjesht e shkoqur për punë interesash dhe/ose mllefi (siç thotë një fjalë e urtë “Për inat të sime vjehrre shkoj e fle me mullixhinë”) e kështu me radhë.

Kësodore veç një Zot e di se çfarë kishte për të shkruar Papa humanist për huqet e stërnipërve të Kastriotit sikur të ishte gjallë e mes nesh.

*Shkruar për Politiko.al. Ndalohet ribotimi pa lejen e redaksisë.

Të fundit