Flash News

KRYESORE

Video/ Plani me 5 pika i Bashës: Nga testimet te rihapja e ekonomisë, si rikthemi në normalitet

Video/ Plani me 5 pika i Bashës: Nga testimet te rihapja e ekonomisë,

Kryedemokrati Lulzim Basha publikoi planin e tij për daljen nga emergjenca. Bsha ka paraqitur një plan me pesë pika për rikthimin në normalitet. Si fillim, Basha kërkon rritjen e testimeve, si një mundësi për të ulur kostot e qëndrimit në karantinë. “Vetëm rritja e numrit të testimeve mundëson identifikimin real të të prekurve dhe frenimin e përhapjes së virusit. Izolimi i qytetarëve dhe bllokimi i ekonomisë na kushton qindra herë më shumë se rritja e numrit të testimeve. Sa më shumë persona të testuar, aq më shpejt identifikohen të prekurit dhe ndalohet përhapja e COVID-19. Bllokimi i ekonomisë dhe popullsia në karantinë kanë kosto shumë më të lartë sesa testimi i qytetarëve”, thotë Basha.

Edhe pika e dytë lidhet me epideminë, gjurmimin e kontakteve të personave të infektuar. “Duhet bërë gjurmim i plotë i burimit dhe i kontakteve të të prekurit. Testimi i mjekëve, policëve e personave në vijën e parë. Kjo kërkon burime njerëzore, trajnimin dhe përdorimin e kapaciteteve lokale shëndetësore”, shkruan Basha. Ai kërkon gjithashtu, në pikën e tretë të planit, që të shtohet mbështetja për shëndetësinë. “Të sigurojmë mjetet dhe pajisjet për personelin shëndetësor. Të garantojmë që kapacitetet tona shëndetësore të përballojnë fluksin e personave që kanë nevojë për trajtim”, shkruan Basha.

Në pikën e katërt Basha propozon një matje të impaktit dhe rezultatit të masave të marra. “Duhet një sistem i saktë i matjes së impaktit që kanë masat e marra. Nëse ne e dimë çfarë impakti kanë ato - ulin, mbajnë konstant apo rrisin numrin e të infektuarve -atëherë do të kemi mundësi të reagojmë menjëherë në menaxhimin e situatës, duke i shtrënguar apo lehtësuar më shumë masat e marra”, shkruan kryedemokrati.

Në fund, Basha kërkon ‘tranzicion drejt hapjes së ekonomisë’, duke u kërkuar bizneseve përshtatjen me realitetin e ri. “Rifillimi kërkon përshtatjen me realitetin e ri. Qytetarët dhe bizneset do duhet të mësohen të funksionojnë në kushtet e distancës 1,5 m. Sa më shpejt të adoptohet kjo mënyrë e re aq më shpejt mund të rifillojë ekonomia dhe të reduktohet karantina. Qeveria duhet të mbështesë me fonde dhe lehtësira mënyrën e re të funksionimit të ekonomisë”, shkruan Basha.

https://www.facebook.com/166424440075412/posts/3101880863196407/?vh=e&d=n

Të fundit