Flash News

KRYESORE

Platforma qeverisëse e PD-së, dy premtimet e Bashës: Ulje e çmimit të naftës me 300 lekë, dhe rritja me 200 mijë lekë e pensioneve

Platforma qeverisëse e PD-së, dy premtimet e Bashës: Ulje e

Duket se Partia Demokratike e ka tashmë platformën e saj qeverisëse. Në daljet publike por edhe takimet që ka zhvilluar me qytetarët, kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka prezantuar disa nga nismat që do të ndërmarrin demokratët pas ardhjes në pushtet.

Në një takim me banorët e Pirgut në qarkun e Korçës, pak javë më parë, Basha tha se vitin e parë të qeverisjes do të jenë 150 milionë euro për subvencionimin e fermerëve. Po në këtë takim, kreu i PD-së foli edhe për rritjen e pensioneve.

“Buxheti ynë për subvencionet vitin e parë do të jetë 150 milion euro dhe do të vazhdojë duke u rritur sipas projeksionit tonë, siç do të vazhdojë të rritet edhe prodhimi i bujqësisë shqiptare.

Ne do të nisim që prej ditës tonë të parë në pushtet, rritjen e pensioneve. Rritja e parë do të jetë në nivelin e 200 mijë lekëve dhe deri në fund të mandatit, pensioni minimal në Shqipëri do të jetë 250 mijë lek të vjetra për pensionist”, u shpreh Basha.

Ndërkohë, mbrëmjen e djeshme, në studion e emisionit ‘Real Story’, Basha bëri të ditur një pjesë tjetër të programit qeverisës të PD-së. Kreu i demokratëve tha se hapi i parë në pushtet do të jetë ulja me 300 lekë e çmimit të naftës dhe se do ta realizojë këtë duke eliminuar atë që e quajti ‘taksën Rama’.

“Taksa e ulët 9 përqind, e sheshtë, konkurruese për Ballkanin. Ulja e çmimit të energjisë, ulja e çmimit të naftës. Hapi ynë i parë nesër në pushtet do të jetë ulja me 300 lekë e çmimit të naftës, eliminimi i taksës Rama mbi naftën. Rritja e kufirit të biznesit të vogël në 120 milionë lekë të vjetra dhe pajisja me pullën në ambientet e jashtme që do të ndalojë abuzimin me tatimorët që sillen si banda sot me biznesin e vogël, të madh e të mesëm dhe me investitorët e huaj. Natyrisht që ne kemi një platformë e cila jo vetëm ngjall shpresë po garanton zhvillim, garanton vende pune dhe ne do ta bëjmë këtë”, tha Basha.

Të fundit