Plotësimi i vendeve vakante është përparësi absolute e KLGJ-së

Nënkryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Maksim Qoku, deklaroi se plotësimi i vendeve bosh në trupën e Gjykatës së Lartë është një përparësi absolute për institucionin.

Ai shtoi se sistemi gjyqësor po përballet me një stok prej mbi 30 mijë procesesh gjyqësore.

KLGJ u ndesh me një boshllëk të madh në drejtimin e gjykatave, që erdhi prej shkarkimit të kryetarëve gjatë procesit të rivlerësimit.

Aktualisht janë zgjedhur të 37 nënkryetarë në të gjithë gjykatat e vendit.

Qoku shtoi se në korrik shfaqën interes për t’u bërë anëtarë të Gjykatës së Lartë 22 kandidatë, u skualifikuan 14 dhe vazhdojnë garën 8 kandidatë, përzgjedhja përfundon së shpejti dhe do t’i dërgohen presidentit për emërim.

Komentet e tij u bënë në konferencën e Koalicionit Drejtësi për të Gjithë, mbështetur nga Bashkimi Europian, me pjesëmarrjen e organizatës “Save the Children” dhe “Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara”.

Ai tha se deri në dhjetor të këtij viti mbaron puna për përgatitjen e një harte të re gjyqësore të Shqipërisë.

Në bazë të reformës në sistemin e drejtësisë, KLGJ do të menaxhojnë buxhetin e gjykatave, kualifikimin e gjyqtarëve, emërimet e magjistrantëve dhe punonjësve të tjerë.