Flash News

KRYESORE

A po bën gati Ilir Meta 'çadrën' e radhës në Bulevard?

A po bën gati Ilir Meta 'çadrën' e radhës

Alfred Lela

Ilir Meta është në periudhë trilemash këto kohë. Pasi pranoi, gjykuar nga murrëtimi i portretit, pa ndonjë dëshirë, vendin vakant të Presidentit të Republikës, ai i la Petrit Vasilit, karrigen e kryetarit të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Megjithëse nuk është as President ende, dhe as kryetar de jure i LSI, ai është i përfshirë në fushatë për ish-partinë e tij, në mënyrë të drejtpërdrejtë, të pandërprerë e të pakthim.

Edhe pse pati thënë se fushatën do t'ia linte Petrit Vasilit.

Duhet pranuar megjithatë se Ilir Meta 'u thirr' në këtë betejë. Të cilën e pati menduar komode, ndërtuar mbi gjasën se Partia Demokratike nuk do të hynte në zgedhje. Në një rast të tillë laboratorik Meta do të gëzonte Presidencën, ndërkohë që partia e tij do të fryhej artificialisht, duke marrë 40 a më shumë deputetë.

Endrra e një nate vere.

Një marrëveshje e momentit të fundit mes dy të mëdhenjve të politikës, krerëve të dy partive kryesore, Rama e Basha, e shembi si kështjellë rëre outpostin politik të Ilir Metës. Ajo marrëveshje, përveç shumë gjërash, ishte edhe një gjë: përpjekje për t'i hequr rolin e kingmaker-it Ilir Metës.

Kjo mund të mos funksionojë, dhe Meta mund të kthehet sërish i ringritur si sifinksi, por shenjat janë se këmbët kanë filluar t'ia ndjejnë frikën.

Dalja në fushatë me bateri të shtuara dhe retorikë të fortë, është vetëm pjata e parë në darkën që do konsumohet më 25 qershor. Një konferencë shtypi e jashtëzakonshme, e thirrur dje e certifikon pasigurinë që Ilir Meta ndjen.

Dje, edhe pse thotë se nuk është ende President; edhe pse e ka pranuar se nuk është kryetar i LSI, u katapultua në kohë, pikërisht me 24 korrik, kur edhe bën betimin si President i Republikës. Si me një makinë kohe z. Meta lëshoi paralajmërime kërcënuese për 'shkelësit e zgjedhjeve'.

Ai tha se nuk do të dekretonte as Kryeministër dhe as ministra, nëse prekeshin zgjedhjet. Duke imituar kështu skenarin maqedonas të Presidentit Ivanov i cili nuk pranoi fillimisht të dekretonte qeverinë e re të Zoran Zaevit, me pretendimin se ishte e bazuar në një platformë shqiptare dhe antimaqedone.

Platforma e Presidentit në pritje të Shqipërisë ishte 'shenjtëria e zjedhjeve'.

Të kujtjmë se, me një shqetësim të tillë u fut në protestë edhe Partia Demokratike e Bashës, duke e futur në krizë sistemin politik. Prej krizës doli zgjidhja politike e 18 majit mes Ramës e Bashës, e cila e futi në limanet e përkohëshme të qetësisë problemin e zgjedhjeve.

Tani prej këtyre limaneve kërkon të nisë anijen e stuhisë dhe luftës Ilir Meta.

A po bën edhe ai gati 'çadrën' e vet në Bulevard?

Simbolikisht, ai është në një lloj 'çadre politike': as në Kuvend, as në Qeveri dhe, në pritje të Presidencës.

Faktikisht, ai është i trembur nga trysnia që dy të mëdhenjtë po ushtrojnë, kur fushtatës i kanë mbetur edhe 10 ditë për tu mbyllur.

Ilir Meta ka një lëkurë të trashë politike dhe këto zgjedhje do të tregojnë se sa i vlen lëkura, elektoralisht, partisë së tij. Presidenca është thjesht një 'çadër' sa i takon sovranitetit dhe kompetencave. Ilir Meta nuk mund ta pranojë që, nga një king maker të bëhet një xhuxhmaxhuxh honorifik në të djathtën irelevante të Bulevardit.

Për këtë ai është gati që, nëse rezultati i zgjedhjeve të pas 10 ditëve 'nuk i pëlqen', të faktorizohet duke u bërë me 'çadër' mu në mes të Bulevardit.

E kemi parë këtë skenë dy herë, dhe e treta nuk do na habiste. Përkundrazi, mund të na qetësojë.

Të fundit