‘PO’-ja e Gjermanisë, një lajm i keq për Edi Ramën

Marsel Lela

Grupet parlamentare të koalicionit qeverisës CDU/CSU dhe SPD në Bundestagun gjerman votuan dy ditë më parë rezolutën, përmes së cilës shprehën qëndrimin pro hapjes së negociatave me Shqipërinë në mbledhjen e Këshillit Europian në tetor. Por me 9 kushte aspka të lehta dhe asfare përkëdhelëse.

Njëri prej këtyre kushteve është ‘dënimi i personave të përfshirë në vjedhjen e votave’. Edhe pse kryeministri Edi Rama nxitoi ta hapte (edhe një herë tjetër) ‘shampanjën’, duke e cilësuar këtë si sukses historik të qeverisë së tij, ky kusht e vë atë jo pak në siklet. Plotësimi i këtij kushti do të thotë një hetim deri në instancat më të larta të qeverisë, pasi vjedhja e votave është njëra nga akuzat ekselente që rëndon mbi të tijtë.

Përgjimet e bëra nga Prokuroria dhe të publikuara nga gazeta gjermane BILD për vjedhjen e votave në Dibër në zgjedhjet e vitit 2017, kanë si personazhe kryesorë zyrtarët më të lartë të Qeverisë, përfshi këtu, edhe pse incognito, kryeministrin Edi Rama.

Risjellim në vëmendje si personazhe të dosjeve në fjalë ish-ministrin e Energjisë Damian Gjiknuri, ish-deputetin Pjerin Ndreu, Artan Gaçin etj. Po ashtu, një ndër personazhet pjesë e përgjimeve ishte edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, të cilin për ironi Kryesia e Partisë Socialiste e vendosi në krye të Komisionit hetimor Parlamentar kundër presidentit Ilir Meta.

Me vendosjen e ‘çunave problematikë’ në pozitat më të larta moralo-investigativo-reformiste, Rama vulosi vendosmërinë e tij për të mos i marrë parasysh ‘bombat’ e BILD, pasi sipas tij përgjimet nuk mund të konsiderohen si prova bindëse. Por kushti për dënimin e personave të përfshirë ne vjedhjen e votave, lë të nënkuptohet se koalicioni qeverisës gjerman nuk e ka marrë me aq sportivitet sa Rama publikimin e përgjimeve nga tabloidi berlinez.

Kushti i Bundestagut përkthehet në një hetim të hollësishëm të çdo prove e akuze për vjedhje dhe manipulim votash. Pra, hetim i zyrtarëve të qeverisë dhe i vetë kryeministrit, si të përfshirë në këtë skandal. ‘Gëzimi’ i  kryeministrit në deklaratat dhe postimet e tij në rrjetet sociale për një ‘arritje historike’ mbushur plot me kushtëzime të tjera, nuk përkon me gadishmërinë e tij për t’i realizuar këto kushte.