Flash News

KRYESORE

“Poli i dështakëve”

“Poli i dështakëve”

Naum Mara

Në një restorant të Durrësit, janë mbledhur sërish, pesë “udhëheqës” politikë. Agron Duka, Dashamir Shehi, Vangjel Dule, Ben Blushi dhe Nard Ndoka. Këtë radhë kanë edhe një të gjashtë, ish-presidentin Bamir Topi.

Në momente krize qeverisjeje dhe politike, një takim kryetarësh partish duhet të ngjallë shpresë. Media nuk mbeti indiferente ndaj një takimi të tillë, para gotave të verës dhe pjatave me fruta deti.

Të gjashtë pjesëmarrsit e drekës janë “politikanë të stazhionuar”, por "të dështuar".

Të gjithë, duke përjshtuar Vangjel Dulen, kanë pasur portofole ministrash në qeveritë e majta dhe të djathta.

Të gjithë, përveç Dashamir Shehit, janë përfolur për korrupsion.

Të gjithë i kanë shpënë partitë e tyre në minimume historike, përveç Ben Blushit, i cili është në procesin e “shkatërrimit” të forcës politike, që krijoi një vit më parë.

Nuk dihet nëse e vendosën ta formojnë “Polin e tretë“, i cili vërtetë do jetë një mozaik i çuditshëm të djathtësh, të majtësh dhe populistësh. Ndoshta do e formojnë në vitin e ardhshëm ose nuk do e formojnë kurrë. Por, të gjashtë bashkë ndjehen më të fortë.

Sigurisht, që e njohin me themel politikën shqiptare, se kanë qenë si në skenën ashtu dhe në prapaskenat e saj.

Të njohur për batuta plot kripë, besohet se kanë pasur një drekë të këndshme, ku kanë treguar se sa “qesharakë“ janë Rama, Berisha, Basha dhe Kryemadhi dhe, se si do vepronin këta, po të ishin në vendin e tyre.

Por, për të mirën a të keqen e Shqipërisë, këta nuk janë në vend të tyre. Kanë nga pas nga një “partiçkë“ e cila i ndihmon të jenë në jetën politke, disa të jenë deputetë për shkak të aleancës me PD-në dhe të gëzojnë disa privilegje të vogla.

Edhe pse brenda vetes e dinë që janë të dështuar, e kanë vështirë ta thonë në publik.

Por a mund t’i shërbejnë këta të gjashtë Shqipërisë?

Unë mendoj që mundet.

Po të formojnë “Polin e të penduarve”.

Si hap të parë duhet të tërhiqen vetë nga politika dhe t’ju bëjnë thirrje të gjithë “të përlyerve” më të mëdhenj: “Tërhiquni, ose në të kundërt ne do flasim!”

Dinë shumë Topi, Blushi, Shehi dhe Duka. Ndoshta më pak Dulja dhe Ndoka.

Megjithatë, të gjashtë mund ta ndihmojnë Shqipërinë po qe se do “kërcënojnë“ ish krerët e tyre se “një ditë do flasin”.

Kjo gjë do i shpëtojë edhe nga etiketimi “dështakë“.

 

Të fundit