Flash News

KRYESORE

Policia, aksion intensiv në Vlorë, sekuestron edhe 9 kg drogë

Ndërkohë që vetë Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, ka zbritur në Vlorë, policia vijon punën për gjetjen dhe asgjesimin e kanabisit dhe drogës në këtë rreth. Njoftohet se janë goditur dhe dy raste të tjera të "Prodhimit e shitjes së kanabisit në Vlorë. Sekuestrohen në të dy rastet rreth 9 kilogramë e 120 gramë lëndë narkotike Cannabis Sativa. Procedohet penalisht në gjendje të lirë një shtetase. Policia bën me dije se, në kuadër të masava të marra kundër prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike policia ka konstatuar raste të tjera gjatë kontrollit të ushtruar në fshatin Drithas, kryesisht në lagjen ''Mëhallë”.

Shërbimet e Seksionit të Policisë për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë më datë 18.07.2017 kanë konstatuar në oborrin e shtëpisë së shtetases P.M., 52 vjeçe, banuese në Drithas, një sasi lënde narkotike Cannabis Sattiva duke u djegur.

Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e saj i janë gjendur edhe dy thasë plastik të mbushur me lëndë narkotike Cannabis Sattiva në gjendje të tharë, me peshë totale 4 kg e 720 gram.

Ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë ndaj saj për veprën penale ''Prodhim dhe shitja e narkotikëve'' , parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

U mor kjo masë ndaj shtetases P.M., pasi me gjendje shëndetësore rezulton e sëmurë me probleme mendore.

Gjithashtu nga kontrollet e ushtruara edhe në fshatin Velçë,Vlorë, në vendin e quajtur ''Presaran'', në një distancë 70 m nga banesa e një të moshuari është gjendur dhe sekuestruar një thes i mbushuar me lëndë narkotike Cannabis Sattiva, me peshë totale 4 kg e 400 gram.

Polica po vazhdon hetimet për zbulimin dhe kapjen e autorit, posedues të lëndës narkotike.

Të fundit