Flash News

KRYESORE

Policia e Fierit sqaron akuzat e Bashës: Si qëndron e vërteta për pengmarrjen!

Policia e Fierit sqaron akuzat e Bashës: Si qëndron e vërteta

Pas akuzave publike të bëra dje nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku pretendonte se pengmarrja e një personi është mbajtur e fshehtë nga policia, ka reaguar kjo e fundit. Në denoncimin e Bashës, thuhej se pas kësaj ngjarje fshihej “sponsori më i madh i Partisë Socialiste në Fier, Renato Çami”. Por, Policia e Fierit në reagimin e saj mohon akuzat, ndërsa thekson se lajmi është publikuar në faqen zyrtare. Ja reagimi i policisë:

“Në lidhje me statusin e publikuar nga Kryetari i Partisë Demokratike në rrjetin social ‘Facebook’ ku akuzohet Policia e Fierit për fshehjen e një ngjarje, informojmë se ngjarja në fjalë nuk është fshehur, por sipas procedurës standarde të punës është publikuar dhe mund të gjendet lehtësisht si çdo njoftim tjetër në faqen zyrtare online të Policisë së Shtetit. 

Burime nga Policia thanë se i dëmtuari nuk ka dhënë asnjë emër personi të dyshuar, por ka bërë vetëm përshkrim fizik, sipërfaqësor, duke pretenduar se nuk i njihte autorët. Por nga ana tjetër, kreu i opozitës, që i referohet denoncimit të bërë nga një punonjës i Policisë së Fierit, deklaron se autori i kësaj ngjarjeje është shtetasi Renato Çami dhe sipas tij, Policia nuk ka ndërhyrë.

Renato Çami, emri i vërtetë i të cilit është Renato Saliu, është konsideruar vazhdimisht si eksponent krimi në qytetin e Fierit. Ndërsa krahu i djathtë i tij është konsideruar shtetasi Gramoz Yzeiri, i cili deri në vitin 2009, ku u ekstradua nga Amerika, konsiderohej si një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte një ndër më të kërkuarit e drejtësisë shqiptare. Gramoz Yzeiri, nga lagjja Sheq i Madh i Fierit, njihej si person me precedentë të shumtë penalë. Rezultonte i skeduar në listat e personave të shpallur në kërkim që nga viti 2003, i kërkuar për vrasjen e Xheladin Qelisë, ngjarje e ndodhur në vitin 1998, në qendër të qytetit të Fierit.

Për këtë ngjarje u dyshua si i implikuar edhe Renato Çami, madje kishte dyshime se vrasjen e kryen në bashkëpunim. Sipas Policisë, Gramoz Yzeiri, së bashku me Renato Saliun, kanë ndaluar shtetasin Xheladin Qelia, i cili ka qenë duke udhëtuar me një motor së bashku me një person tjetër, me inicialet Sh.J. Autorët nën kërcënimin e armëve, pasi kanë ndaluar viktimën dhe personin që e shoqëronte, kanë qëlluar me breshëri automatiku mbi shtetasin Xheladin Qelia, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Pas kryerjes se krimit, Yzeiri dhe Çami janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.

Konkretisht ngjarja e pasqyruar në web “Më datë 03.10.2017 u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, për veprën penale “Heqje të paligjshme të lirisë” parashikuar nga neni 110/2 i Kodit Penal, si dhe po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, pasi më datë 03.10.2017 është paraqitur dhe ka bërë kallzim shtetasi F.L., 20 vjeç, banues në fshatin Petovë Fier, se në datë 02.10.2017, në lagjen “1 Maj” Fier është rrahur nga disa persona dhe është mbajtur peng për disa orë në një banesë”.

Policia e Shtetit është e vendosur të kryejë detyrën me përgjegjësi e seriozitet dhe të ndëshkojë çdo paligjshmëri e këdo që shkel ligjin. E për këtë arsye, Policia e Shtetit fton çdo qytetar dhe parti politike të kërkojë informacion duke u garantuar përgjigje në kohë, për të shmangur pasaktësitë në mos abuzimet me faktet.”

Të fundit