Policia e Shtetit: Veliera me 1 ton hashash e kapur në Greqi nuk u nis nga Shqipëria

Policia e Shtetit hodhi poshtë lajmin e publikuar në disa media greke se mjeti lundrues që u kap në Peloponez me mbi 1 tonë hashash, dyshohet se kishte ardhur nga Shqipëria.

Me në njoftim për shtyp, ky institucion sqaroi se menjëherë pas kapjes nga autoritet greke të mjetit lundrues u vu në dijeni nga homologët, për të dhënat e mjetit dhe personat në bord me qëllim verifikimin e tyre. Të ndaluarit janë shtetas ukrainas.

Policia nisi hulumtimet dhe nga verifikimi i bërë në regjistrat e PKK Sarandë, Himarë, Vlorë, Porti Jahteve Orikum dhe QNOD, për disa muaj, mjeti lundrues Velier “MY DREAM” i kapur me drogë dhe dy personat ukrainas në bord, nuk kanë hyrje-dalje në Shqipëri.

“Njëkohësisht gjatë kësaj periudhe nuk është konstatuar as nga QNOD e as nga Policia Kufitare asnjë rast i dyshimtë, i ndonjë mjeti lundrues që të ketë lundruar në drejtim të Greqisë, apo të vendeve të tjera fqinje.

Policia Kufitare shkëmben në vijimësi informacion me homologët, me qëllim parandalimin dhe goditjen e rasteve të trafikimit të lëndëve narkotike nëpërmjet kufijve.

Sqarojmë faktin se në 15 gusht në Sarandë ka hyrë një mjet lundrues Yaht me emrin “Dream” me 3 shtetas turq në bord, të cilët kanë kryer proceduara të rregullta hyrje-dalje dhe mjeti është kontrolluar konform rregullave nga Policia Kufitare. Ky mjet nuk ka asnjë lidhje me mjetin lundrues Veleria të kapur me drogë në Greqi.”, ishte sqarimi i policisë shqiptare.

Një velierë e nisur nga Shqipëria me mbi një ton drogë u kap nga policia greke. Sipas mediave greke, në velierë ndodheshin 1 ton e 65 kilogramë e 750 gramë hashas, ndërsa kishte si destinacion Turqinë, ku do të shkëmbehej me heroinë të pastër.

Policia arrestoi dy persona nga Ukraina, 28 dhe 42 vjeç, të cilët ndodheshin në velierën e mbushur me drogë.