Policia i ka rritur standartet, nuk pranon më rryshfet nën 5 mijë lekë. Arrestohet 33-vjeçari për 4000 lekë ryshfet

Iku ajo kohë kur policët e rrugores mund t’i korruptoje me 200 apo 500 lekë! Tashmë ka standarte të reja. Nuk pranohen nën 5 mijë lekë e poshtë. Disa raste të bëra publke kohët e fundit, me 1000, 2000 deri në 4000 lekë flasin për këtë gjë.  Njoftohet se së fundi, Policia e Fierit ka arrestuar një 33-vjeçar me akuzën për korrupsion. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin G.S., 33 vjeç, banues në fshatin Mbyet, Fier.

Ditën e djeshme, në lagjen “1 Maj” Fier, ky shtetas duke udhëtuar me mjetin tip “Volkswagen”, iu ka dhënë rryshfet 4000 lekë punonjësve të policisë me qëllim shmangien e masës administrative pasi kishte makinën me xhama të zinj. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprën penale “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Gjithsesi, masat e policisë, sidomos rritja e gjobave ka shtuar më shumë abuzimet e policisë ndaj individëve, shoferëve, të cilët bien pre e arrogancës dhe dhunës policore, deri në arrestime. Jo të gjitha rastet janë të justifikuara. Për të rritur dozën e rryshfetit, policët vënë gjoba të majme. Rasti i kosovarit, para një jave, që për një gjobë që shkon deri në 1000 apo 2000 lekë, iu vu nga Policia e Fierit një gjobë 20 mijë lekë të reja.