Policia serbe bllokon në kufi artisten shqiptare për shkak të “UÇK”-së. Haradinaj: Beogradi po rrënon edhe ato pak mundësi komunikimi

Një fotografi e kohës së luftës ku mbahet mbishkrimi “UÇK” dhe flamuri shqiptar, janë bërë shkak për ndalimin e fotografes Eliza Hoxha, në Merdarë, në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë.

Policia e Serbisë ka bllokuar tre fotografi si dhe katalogun e ekspozitës të artistes Eliza Hoxha, të cilat kishin paraqiteshin në ekspozitën “Midis ëndrrës dhe realitetit”, në kuadër të edicionit të pestë të festivalit “Mirëdita-Dobrdan”, që organizohet në Beograd.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar për ngjarjen duke thënë se Serbia me këtë akt po rrënon edhe ato pak mundësi për një komunikim normal mes dy shteteve.

“Autoritetet serbe me aktin e ndalesës në kufi të artistëve kosovarë, të ftuar në festivalin “Mirëdita, dobar dan” në Beograd, po rrënojnë edhe ato pak mundësi për vendosjen e një komunikimi normal me Kosovën, qoftë edhe përmes artit, si gjuhë universale. Artistët dhe të rinjtë nga Kosova po i nënshtrohen bastisjes së rreptë në kufi me Serbinë, ku policia serbe ua ka bërë me dije se dy ekspozita nuk do të lejohen për shkak të përmbajtjeve artistike të tyre”, ka shkruar Haradinaj.

Në këtë mënyrë, sipas Haradinajt, Serbia po e minon normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila është në kundërshtim me vlerat evropiane.

Pak më parë këtë veprim të Serbisë, e ka dënuar edhe zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, i cili ka paralajmëruar reciproritet për shtetin serb nëse vazhdon keqtrajtimin e qytetarëve të Kosovës.