Flash News

KRYESORE

Politika nacionaliste e Serbisë trazon edhe Bosnjë-Hercegovinën

Politika nacionaliste e Serbisë trazon edhe Bosnjë-Hercegovinën

Serbia nga dita në ditë vazhdon që të shfaqet edhe më shumë “nacionaliste”, ku deklaratat apo nismat e drejtuesve të saj zemërojnë shtetet e tjera të rajonit. Ndërsa përplasjet me Kosovën dhe Kroacinë janë shtuar, herë pas herë situata përkeqësohet edhe me Bosnjë Hercegovinën.

Në shtetin boshnjak ndodhet edhe Republika Serpska, në të cilën jetojnë në shumicën e saj serbë dhe në parlamentin serb pritet që të votohet një dekret, në bazë të të cilit ushtria serbe do të ketë detyrën që të “ruajë Republikën Serpska si një entitet brenda BeH”.

Propozimin e bëri të martën ministri serb i Mbrojtjes, Aleksandar Vulin.

“Republika Serpska dhe ruajtja e saj është prioritet i politikës sonë të jashtme. Shteti i Serbisë në këtë mënyrë shumë qartë tregon se çfarë është interesi nacional dhe çka duhet ruajtur. Para nesh sikur s’është kujtuar askush për këtë”, tha ai.

Anëtari kroat i presidencës boshnjake, Zhelko Komshiç i tha presidentit serb Aleksandar Vuçiç, që të mos lejojë që një dispozitë e tillë të gjendet në versionin final të strategjisë së mbrojtjes dhe të sigurisë së vendit të tij sepse kjo do të nënkuptonte vënien në pikëpyetje të sovranitetit të një shteti fqinj.

Edhe homologu i tij boshnjak Shefik Xhaferoviç tha se ky dekret është një shprehje e politikës agresive ndaj Bosnje e Hercegovinës.

“Entiteti Republika Serpska është pjesë e shtetit sovran të Bosnje e Hercegovinës dhe nuk është vetëm entitet i popullit serb, por edhe i popullit boshnjak e kroat dhe i tërë popujve tjerë që jetojnë atje, sikurse edhe e tërë Bosnja e Hercegovina”.

Të fundit