Politikanët francezë duan që ndeshja ndaj Turqisë mos të luhet: Ushtarë të një ushtrie armike

Disa politikanë franceze kanë kërkuar që takimi kundër Turqisë sot në mbrëmje në Paris i vlefshëm për eliminatoret e Euru 2020 të anulohet, pasi futbollistët turq përshëndetën ushtarakisht pas golit që i shënuan Shqipërisë në fitoren 1-0 ditën e premte në Stamboll.

Ky gjest erdhi pak ditë pasi presidenti turk Rexhep Taip Erdogan nisi një ofensivë ushtarake në Siri për të larguar forcat kurde nga kufiri, pas vendimit të presidentit të SHBA-së Donald Trump për t’u tërhequr nga Siria e Veriut.

Cenk Tosun shënoi golin e fitores në shtesë kundër kuqezinjve, duke i dhënë mundësinë kombëtares së tij që të mbajë kryesimin, edhe pse kritikat janë shtuar pas gjestit të lojtarëve turq.

Madje të njëjtën përshëndetje ushtarake në mbështetje të ushtrisë turke dhe martirëve turq kundër “terroristëve kurdë” lojtarët e përfaqësueses e bënë edhe në dhomat e zhveshjes.

Jean-Luc Melenchon, lider i partisë majtiste franceze “France Insoumise” shkroi në Twitter: “Nëse lojtarët e Turqisë bëjnë mbështetjen ushtarake, atëherë ata duhet që të presin që të trajtohen si ushtarë të një ushtrie armike. Kështu që ne nuk luajmë futboll ndaj tyre. parimet sportive nuk ekzistojnë më në të tillë situatë”, shkroi ai.

Kurse, Jean Christophe Lagarde, lideri i partisë së qendrës së djathtë, UDI, tha: “Me këtë përshëndetje ushtarake, skuadra turke e futbollit e ka kaluar kufirin që duhet të ndajë sportin nga politike. Nuk mund t’i presim me dinjitet ata që përshëndesin masakrimin e aleatëve kurdë”,

Liderja e partisë të ekstremit të djathtë, “Fronti Nacional”, Marine Le Pen, shkroi në Twitter: “Të qenurit platformë e propagandës së Erdoganit, aksionet e të cilit në Siri shqetësojnë komunitetin ndërkombëtar, kjo kombëtarja e ka tejkaluar vlerat e sportit . Është koha që UEFA të sanksionojë këtë veprim politik”,

Pak ditë më pas, edhe gjimnasti turk Ibrahim Colak përsëriti përshëndetjen ushtarake në podium, pasi mori medaljen e artë për fitoren në unaza në Kampionatin Botëror të Gjimnastikës.