Flash News

KRYESORE

Politikanët urojnë Pashkët

Politikanët urojnë Pashkët

Sot besimtarët katolikë festojnë Pashkët. Pashkët kremtohen për të përkujtuar ringjalljen e Jezu Krishtit.

Fjala Pashkë në të vërtetë do të thotë kalim: Për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri ndërsa për të krishterët nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar.

Mesha e Pashkëve u mbajt dje në gjithë botën si rrallëherë, pa pjesëmarrjen e besimtarëve, për shkak të masave të marra nga qeveritë për frenimin e koronavirusit.

Urimet e politikanëve shqiptarë nisën që mbrëmë dhe vijojnë edhe sot.

Kryeministri Rama ka postuar një video herët në mëngjes ku shkruan: Pashkë të Gëzuar.

Presidenti Meta uroi mbrëmë në Facebook:

Të dashur qytetarë shqiptarë!

Të dashur besimtarë katolikë dhe ungjillorë!

Gëzuar dhe për shumë vjet Festën e Shenjtë të Pashkëve! Festën e Ringjalljes, të jetës, të shpresës dhe të dritës!

Sot Pashkët po i kremtojmë me "dyer të mbyllura" për shkak të pandemisë, që po shkakton shumë dhimbje, varfëri dhe frikë.

Ndaj më shumë se kurrë të gjithë kemi nevojë të ndjejmë thellë në shpirt e në zemrat tona mesazhin e Krishtit të Ringjallur, i cili na porosit: "Unë jam i Gjallë në mesin Tuaj, prandaj MOS KINI FRIKË".

Ringjallja e Krishtit na siguron se Zoti, për këdo që e beson, është i pranishëm kudo, në çdo vend dhe në çdo kohë. Ndaj le t'i shndërrojmë këto momente të vështira që po përjetojmë, në forcë e kurajo, sepse edhe fizikisht larg njëri-tjetrit, por me solidaritet e gjithëpërfshirje, ne mund dhe do t'ia dalim.

Sepse siç na porosit edhe Papa Françesku: "Ringjallja e Krishtit është forcë dhe kurajo në momentet më të vështira për mbarë njerëzimin. Dashuria na bën të shpresojmë në një botë më të mirë".

T'i gëzohemi thjeshtësisë së Festës së Pashkëve në familjet tona, dhe le ta ndajmë gëzimin tonë në lutje për shëndetin e të afërmve tanë, për shërimin e të prekurve nga kjo pandemi dhe për të gjithë mjekët e infermierët, heronjtë tanë, që po shërbejnë me përkushtim e sakrifica të pashembullta në vijën e parë të mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari. Të lutemi edhe për priftërinjtë dhe klerikët që po ndihmojnë sa mundin dhe janë pranë kategorive më të përvuajtura.

Të ndajmë të mirat dhe lumturinë tonë veçanërisht me të moshuarit, të vetmuarit dhe njerëzit më në nevojë, të cilët më shumë se kurrë kanë sot nevojë, jo vetëm për dhembshuri, por për dashuri dhe ndihmë.

Ju uroj të gjithëve Pashkë të bardha e të bekuara, me shpresën që mesazhi i kësaj Dite të Shenjtë të sjellë ringjallje të vërtetë në shpirtrat e zemrat tona, në familjet tona, në shoqërinë dhe në mbarë kombin tonë!

Një urim të veçantë kam për komunitetin e dashur të shqiptarëve në Italinë mike të prekur rëndë nga pandemia, për arbëreshët e mrekullueshëm, për arbanasit fisnikë të Kroacisë, dhe për të gjithë besimtarët shqiptarë kudo ndodhen.

Monika Kryemadhi:

Në vigjilje të kremtimit të Pashkëve, ringjallja e Krishtit sjell pranë familjeve tona shpresën e gëzimit të jetës përtej vështirësive.

Pas javëve të kreshmës, të kaluara në një situatë të vështirë si kjo që po përballemi të gjithë bashkë në kushtet e pandemisë, kjo ditë e bekuar na fton të shikojmë përpara duke hapur zemrën ndaj të mirës, të forcojmë besimin te Zoti dhe dashurinë për njëri-tjetrin, për vendin, kombin. Kështu, e nesërmja jonë do të jetë me siguri e lumtur.

Pashkë të bekuara, me shpresën se paqja dhe harmonia do të mbizotërojnë gjithmonë në familjet tuaja! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët! 

Urimi i kreut të PD, Lulzim Basha

Të dashur motra dhe vëllezër që kremtoni këtë ditë të shenjtë të Pashkës dhe Ringjalljes së Jezu Krishtit, unë dhe familja ime ju urojmë nga zemra, për shumë vjet Pashkët!

Një urim dhe lutje të veçantë kam sot për ata që po përballen me sëmundjen, për personelin shëndetësor, për punonjësit e policisë, të forcave të armatosura, për klerikët dhe shërbëtorët e Zotit, për prindërit dhe vogëlushët në familjet në nevojë, për të moshuarit, për të sëmurët e më të pamundurit.

Në këto kohë të vështira, drita e shpresës dhe kurajos ndeztë në zemrat dhe mendjet e çdo familje shqiptare besimin se ditë më të mira na presin.

Zoti ju bekoftë ju dhe familjet tuaja, Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ku janë!

Të fundit