Flash News

KRYESORE

Politiko, një Hirushe që vjen në ballo me këpucët e saj

Politiko, një Hirushe që vjen në ballo me këpucët e saj

Alfred Lela

Nuk dua që ky editorial i parë i Politiko.al të tingëllojë si shumë romantik, iluminist, ankimtar apo, qoftë edhe më i angazhuar, se një fjalim politik, apo, larg qoftë!, traktat për lirinë e medias, median si të tillë, shenjtërinë e profesionit, e të tjera. Edhe pse kushtet janë që të tingëllojë, herë nga pak e herë nga shumë, si të gjitha këto.

Politiko lindi si një shtrëngesë, si një dalje nga rrethimi, si një formë e të kuptuarit se çfarë është PR korporativ (public relations-marrdhënie me publikun) e çfarë është Gazetari; çfarë është një interes e çfarë është një ide; çfarë është një demagogji e çfarë është një ideologji; çfarë është një kameleon e çfarë është një njeri. Politiko është Hirushja që vjen në ballon e medias me këpucët e saj. Sepse nuk 'i ngriti këmbët' për t’i humbur: njërën apo të dyja këpucët.

Angazhimi im, themeluesit të Politiko.al,  prej 7 vitesh në një të përditëshme, u ndërpre prej një kushtëzimi ‘kontraktual’, në thelb të të cilit ishte kërkesa që, lajtmotiv i qëndrimeve të mia publike, me tekst në gazetë e e zë në Tv, të kumtonte “Edi Rama reformator; Edi Rama edhe një mandat të dytë”.

Kisha qenë pjesë e një outlet-i mediatik që, jo më shumë se para tre vitesh e gjysmë, i paraqiste publikut idenë se “Berisha meritonte një mandat të tretë” dhe se ai ishte “Reformator i madh”. Jetojmë në Shqipëri, një vend i vogël, insinjifikativ, dhe dy reformatorë në tre vjet janë shumë. Amerika në 100 vitet e fundit nuk ka patur më shumë se tre a katër të tillë në politkë. Po aq e gjithë Europa.

Shihni pra: ‘kryengritja’ ime nuk kishte të bënte as me nderin, erzin, etikën, rreshtimin politik apo ideologjik; edhe pse nga pak me të gjitha këto ka të bëjë, por me Logjikën. Nderi dhe etika nuk janë kode të dikujt që nuk është i sofistikuar, që nuk është i qytetëruar, që nuk është pehlivan mjaftueshëm. Jo: Nderi është te Logjika.

Mungesa e logjikës është prani e turpit. Të tjerat janë gjepura në fjalë dhe të tjerët grabitqarë në aksion.

Politiko.al ishte rrjedha logjike e gjërave pas ikjes nga MAPO. Politiko nuk është debutimi im. Dikur, para 12 vjetësh, koha e Amerikës në jetën time, e pata provuar me fletore.com, ndoshta një ndër të parat media të reja ngritur nga një gazetar shqiptar. Sprova zgjati diçka më shumë se tre vite dhe u ndërpre pas kthimit në Shqipëri.

Rrathët e jetës më takojnë sërish me atë që duket si mënyra kryesore me të cilën do të bëhen gjërat në media, tani e në të ardhmen: Online. Politiko.al bëhet sot pjesë e këtij universi dhe ka qëllimet e veta në të.

Të cilat nuk janë romantike, iluministe apo të angazhuara, e megjithatë  janë, nga pak e nga shumë, të gjitha këto bashkë. Të shkruajmë e të flasim nëpërmjet rreshtave të Logjikës, është qëllimi ynë. Këtë do të bëjmë.

Ndër gjërat që nuk do të bëjmë, janë disa, por rreshtimi i tyre do të tingëllonte si premtimiadë politike në fushatë elektorale. Do t’i shihni dhe kuptoni… kur të mos i bëjmë. Duken që të dyja: edhe gjërat që bën edhe ato që nuk bën.

Të gjesh se cilën linjë editoriale do të ndjekë Politiko.al nuk kërkon sforcim të imagjinatës. Ajo do t’i shohë djathtas motivet dhe logjikat e saj, por do të mundohet të jetë një zë urban i së djathtës, ku bëhet bashkë konservatorizmi te tradita me liberalizmin te ekonomi. Për të huazuar maksimën te një prej editorëve themelues të The Economist “ne jemi të qendrës ekstreme” (we are of the extreme center). Qendër që pret djathtas.

 

Të fundit