Flash News

POLITIKOFF

Ermal Meta rrëfen Shqipërinë përmes romanit të ri: Kanuni, fati dhe rrënjët që nuk i mohoj kurrë

Ermal Meta rrëfen Shqipërinë përmes romanit të ri:

Këngëtari me origjinë shqiptare, Ermal Meta, ka botuar romanin e tij të dytë me titull “Le camelie invernali”, një rrëfim i thellë për trashëgiminë kulturore, peshën e Kanunit dhe përplasjen mes të kaluarës dhe modernitetit. Libri është publikuar nga “La Nave di Teseo” dhe është pritur me interes nga lexuesit dhe kritika.

Në një intervistë të fundit, Meta tregon se historia sillet rreth dy të rinjve shqiptarë, Uksanit dhe Kamirit, që përballen me një hakmarrje të pashmangshme për shkak të Kanunit – kodi zakonor shqiptar që, sipas tij, “për fat të keq ende ekziston në thellësitë e shoqërisë shqiptare”.

“Edhe pse ika nga Shqipëria në moshën 13-vjeçare, nuk e mohoj origjinën time. Kanuni është diçka që të gjithë ne e njohim. Është pjesë e historisë sonë, pavarësisht nëse e pranojmë apo jo”, shprehet Meta.

Romani i ri përfaqëson një hap të rëndësishëm në karrierën e tij si shkrimtar, pas suksesit të romanit të parë “Domani e per sempre”, i përkthyer në 10 gjuhë dhe i nominuar për çmimin prestigjioz “Strega”.

Përveç muzikës dhe letërsisë, Ermal Meta jeton një fazë të re personale. Ai dhe partnerja e tij Chiara kanë përfunduar procesin e adoptimit të dy vajzave shqiptare, të cilat tashmë jetojnë me ta në Itali së bashku me vajzën biologjike të çiftit, Fortuna Marie, që së shpejti mbush një vjeç.

“Jemi shumë të lumtur. Kjo është një zgjedhje që buron nga zemra. Shpresoj që vajzat të ndihen menjëherë pjesë e familjes – sepse gjërat e vërteta nuk skadojnë kurrë”, thotë ai.

Në muajin qershor, Meta nis turneun veror në Itali, por thekson se do të kujdeset të jetë sa më pranë familjes së re që ka ndërtuar. “Shpresoj që zjarri i pasionit për artin të digjet gjatë, por më shumë se gjithçka, dua të jem aty për ata që dua.”

Të fundit