Flash News

POLITIKOFF

Festa e Ditës së Verës, cila është orgjina e saj dhe si kremtohet

Festa e Ditës së Verës, cila është orgjina e saj dhe si
Foto ilustruese

Dita e verës e konsideruar ndryshe edhe si dita e largimit të dimrit është një festë që ka krijuar tashmë traditën e saj jo vetëm te banorët e Elbasanit, por edhe për qytete të tjera të vendit. 

Dita e Verës është një festë me origjinë të lashtë dhe zanafillën e ka në faltoren “Zana e Cermenikës” e cila ndodhet në rrethinat e Elbasanit, qe sipas gojedhenave, ishte perëndësha e gjuetisë, pyjeve dhe e të gjithë natyrës. Mendohet se kjo zanë dilte nga faltorja e saj datën e 14 marsit.

 Festimi kryhet në nderim të natyrës së bukur shqiptare dhe bimësisë që merr jetë në këtë datë. Tashme kjo festë është bërë edhe ditë kombëtare pushimi. Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në Lezhë e në zona të tjera ndizen zjarre e për t'i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte.

Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan po edhe në Dibër, Strugë e Prespë. Simboli i kësaj dite është verorja, që krahas hijeshisë dhe thjeshtësisë së tyre, përcjellin dhe urimet për shëndet të mirë gjatë të gjithë vitit.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, "14 mars"). 

Edhe këtë vit kjo festë do zhvillohet në kushtet e pandemisë. Aktivitetet, sikurse një vit më parë janë të ndaluara, por zbukurimet nuk kanë munguar në qytete. Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar bashkia e Elbasanit hodhi fishekzjarrë në qendër të qytetit, ndërsa qytetarët e shijuan nga dritaret e banesave të tyre, për shkak të orës policore. Dita e Verës këtë vit nuk është e favorizuar as nga kushtet atmosferike. Dita e sotme ka nisur me vranësira dhe priten reshje shiu.

Të fundit