Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në botë

Mirëmëngjes!

Politiko.al mbështetur në raporte të gazetave amerikane, ju sjell një blic lajmesh nga bota në ‘Posta e mëngjesit’. Për të marrë ‘Postën’ çdo mëngjes me email na shkruani në [email protected]

■ ShBA është ende në valën e parë të pandemisë, paralajmëroi eksperti i saj i lartë i sëmundjeve infektive të hënën, me më shumë se 250,000 raste të reja të shpallura në të gjithë vendin vetëm në pesë ditët e para të korrikut. Vdekjet kanë tejkaluar 130,000.

■ Jair Bolsonaro, presidenti brazilian dhe korona-skeptiku i njohur, tha të hënën se do të bëjë një test të ri për virusin pas shfaqjes së simptomave të Covid-19.

■ Izraeli mbylli bare, palestra dhe pishina dhe kufizoi grumbullimet pasi rezultatet pozitive nga testet u shtuan.

■ Testet e reja në përgatitje për koronavirusin, si mjeti i redaktimit të gjeneve Crispr, mund ta zbulojnë virusin në më pak se një orë. Por me shumë gjasa do të duhen muaj para se këto teste të arrijnë klinikat.

■ Koronavirusi po përshpejton zhvendosjen drejt transaksioneve pa para, ndërsa qeveritë në Indi, Kenia, Suedi dhe vende të tjera po promovojnë pagesat dixhitale për arsye të shëndetit publik.

■ Ndahet nga jeta në moshën 91 vjeçare kompozitori i famshëm italian, Ennio Morricone. Fituesi i Oskar si kompozitor do të mbahet mend si autor i tingujve më të bukur të kinemasë italiane dhe botërore.

■ Xu Zhangrun, një profesor kinez në Universitetin prestigjioz Tsinghua, u arrestua të hënën në Pekin – një nga disa akademikët në Kinë që kanë kritikuar ashpër Partinë Komuniste në pushtet.

■ Një gjykatë ushtarake ruse dënoi një gazetar të pavarur me akuzën e “justifikimit të terrorizmit” në një tekst të vitit 2018 kritik për shërbimet e sigurisë. Kjo i forcoi shtrëngesat mbi fjalën e lirë, madje edhe Këshilli i të drejtave të njeriut të Kremlinit i dënoi akuzat.

■ Të mërguarit nga Ujguri i kërkuan të hënën Gjykatës Penale Ndërkombëtare të hetojë Pekinin për genocid dhe krime kundër njerëzimit, përpjekja e parë për ta bërë Kinën përgjegjëse për goditjen ndaj pakicës myslimane.

■ Një qytet në rajonin kinez të Mongolisë së brendshme vendosi masa kontrolli pas një rasti të konfirmuar të murtajës bubonike, e cila shkaktoi Vdekjen e Zezë në Mesjetë. Antibiotikët mund të kurojnë sëmundjen nëse jepen herët.