Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri

Mirëmëngjes!

“Posta e mëngjesit” ju sjell një blic lajmesh kryesore ndodhur dje në Shqipëri. Klikoni në hiperlinqet blu nëse doni të lexoni më shumë. Nëse e doni ‘Postën’ në emailin tuaj na shkruani në [email protected]

█Gjermania merr presidencën e BE në kulmin e pandemisë për 6 muajt e ardhshëm, mes prioriteteve edhe negociatat me Shkupin e Tiranën; Meta: Mundësi që nuk duhet humbur. Ambasadori gjerman: Përmbushni reformat para konferencës së parë të anëtarësimit

█Besiana Kadare, vajza e Ismail Kadare emërohet nënkryetare e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara:  Përgjegjësi e jashtëzakonshme për t ‘ i shërbyer vendit. E uron ambasadorja Yuri Kim.

█Investigimi i BIRN: Qeveria ‘manipuloi’ bilancin e ndihmave për shtresat në nevojë gjatë COVID-19. Qeveria rezulton të jetë operatori më i vogël në këtë operacion, ndonëse i monopolizoi shifrat në reklamimin e solidaritetit të saj me shtresat në nevojë.

█Greqia ndryshon mendje, shtyn hapjen e kufirit me Shqipërinë për në 15 korrik. Përjashtohen disa kategori personash si banorët afatgjatë në shtetet anëtare të BE etj.

█Dy humbje jete dhe 45 persona kanë rezultuar pozitivë në 24 orët e fundit në Shqipëri. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, dy viktimat e prekura me coronavirusin e ri kishin sëmundje bashkëshoqëruese.

Ish- deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka reaguar mbi raportin e KLSH-së, duke theksuar se në 7 vite qeverisje, të majtët i kanë shkaktuar vendit një dëm ekonomik prej 6.2 mld euro.  

Kryeministri Rama ka marrë pjesë në prezantimin e projektit të segmentit Milot- Fier, projekt ky për ndërtimin e aksit 115 kilometra. Rama është shprehur se ky projekt do të jetë një investim me pagesë, i bërë në bashkëpunim me partneritetin publik-privat. 

E lidhur: Ish ministri i Financave, Arben Malaj ka reaguar pas prezantimit të projektit të segmentit Milot- Fier. Malaj shprehet kundër skemës së propozuar nga Rama.  

█“Zgjedhjet në universitete po aq të paligjshme sa ato politike të 30 qershorit të 2019”, është shprehur akademiku Artan Fuga pas bërjes publike të datës për zhvillimin e tyre nga ministrja Besa Shahini. Në kundërshti me këtë veprim të ministres ka dalë edhe PD me një deklaratë nga selia blu të ish-deputetes Vokshi.

█Ka skaduar afati i Komisionit të Posacëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, ka dorëzuar sot në Kuvend draftin final të marrëveshjes së arritur me opozitën.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë në një deklaratë për mediat është shprehur se ekonomia shqiptare është goditur rëndë nga pandemia. Sejko bën me dije se papunësia është rritur me 11 përqind, ndërsa 17 mijë vende pune janë shkurtuar.

█Komisioni Europian ka përcaktuar kornizën e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.