Flash News

KRYESORE

Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri

Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi

Mirëmëngjes!

“Posta e mëngjesit” ju sjell një blic lajmesh kryesore ndodhur dje në Shqipëri. Klikoni në hiperlinqet blu nëse doni të lexoni më shumë. Nëse e doni ‘Postën’ në emailin tuaj na shkruani në [email protected]

■  Ish-ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka mbajtur sërish një qëndrim të kundërt me mazhorancën, sa i takon propozimit të Luela Hajdaragës si ambasadore e re e Shqipërisë në Greqi.

■ Akademia e Shkencave ka publikuar një studim të shtrirë gjatë muajve të pandemisë që ka prekur Shqipërinë. Nga studimi i realizuar nga specialistët akademikë Genc Sulçebe dhe Prof. Dr. Alban Ylli rezulton se vendi ynë është ende larg imunitetit të tufës.

■  Artistë dhe përfaqësues të lokaleve të natës protestuan sërish dje para kryeministrisë, kundër vendimit të qeverisë për mbylljen e bizneseve të tyre pas orës 20.00. Policia procedoi 12 persona për “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”.

E lidhur: Nga fyerja te ‘heqja e kafshatës’, si u goditën nga masat e qeverisë artistët shqiptarë gjatë pandemisë.

■  Komisioni i Disiplinës ka bërë publike vendimet e fundit, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Pukë, në sfidën mes Tërbunës dhe Egnatias, duke përjashtuar ekipin pukjan nga aktiviteti për dhunën e ushtruar ndaj futbollistëve dhe drejtuesve.

■  Presidenti FSHF-së Duka, ka reaguar për sfidën e parë të gjysmëfinales së Kupës së Shqipërisë Bylis-Tirana, e cila dyshohet se është trukuar. Ai theksoi se rasti po hetohet jo vetëm nga juristët shqiptar, por edhe nga ndërkombëtarë dhe UEFA.

■  Kreu i PD, Lulzim Basha, gjatë vizitës së tij në Kosovë ka marrë një dhuratë të veçantë në kullën e Isa Boletinit, teksa pasardhësit e heroit të Kosovës i dhanë flamurin 108-vjeçar të kryengritjes para Shpalljes së Pavarësisë.

E lidhur: Basha,në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, ka premtuar se Kosovës do i vendoset infrastruktura portuale në dispozicion në Shqipëri duke pasur një pjesë të portit detar si territor të saj.

■ Ministria e Shëndetësisë së Kosovës njoftoi se është rënduar sërish bilanci i viktimave nga koronavirusi, teksa përgjatë 24 orëve të fundit kanë humbur jetën 5 persona. Po ashtu janë konfirmuar me COVID-19, 168 raste të reja, ndërsa janë shëruar 157 pacientë.

■ Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti emëroi Skënder Hysenin në postin e koordinatorit shtetëror në dialogun me Serbinë.

■ Zbardhen detaje nga takimi prej dy orësh mes kryeministrit Rama dhe ambasadores amerikane Yuri Kim të zhvilluar në Kryeministri. Mësohet se, në takimin mes palëve u diskutua për marrëveshjen e 5 qershorit në Këshillin Politik dhe Reformën Zgjedhore.

■ Arrihet në një marrëveshje për reformën zgjedhore mes maxhorancës dhe opozitës parlamentare. Marrveshja mes palëve është arritur pas takimit në kryesinë e Kuvendit mes kryeministrit Rama dhe Taulant Ballës, me krerët e grupeve parlamentare të opozitës. Ndërsa ky konsensus për Rudina Hajdarin është një fitore në planin personal, pasi e "mbajti premtimin për futjen në axhendë të hapjes së listave", Murrizi ka qëndruar stoik në vendimin e tij për të mos njohur "5 Qershorin".

E lidhur: “I kënaqur me konsensusin e gjerë të arrirë sot” është shprehur edhe kryeministri Rama. Në një prononcim për mediat, në përfundim të takimit me grupet parlamentare të opozitës,Rama po ashtu i ka bërë thirrje Bashës që nesër të mblidhet Këshilli Politik dhe të mos bëjë gabimet e të shkuarës, por të ulet në tryezë. Po ashtu, Rama është shprehur i bindur për votimin më 23 korrik të marrëveshjes së 5 qershorit, pavarësisht përcarjes së opozitës parlamentare.

■ Një atentat me armë zjarri ndodhi dje në Elbasan ku humbi jetën  Emiljano Ramazani,39 vjeç, me precedentë të mëparshëm penalë, pasi në vitin 2007 u arrestua për drogë.

■ Gjyqtari i Apelit të Tiranës Gjin Gjoni ka dhënë dorëheqjen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor para përballjes me vettingun.

■ Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit u pozicionua para SPAK për të kërkuar vendosjen e sekuestros preventive për truallin e godinës. Edmond Budina i dha një mesazh ambasadorit të BE, Soreca për faktin se nuk ka reaguar për çështjen e Teatrit dhe se ‘peshqit e mëdhenj i ka para syve’.

■ Kryeministri Edi Rama këmbëngul në hapjen e listave edhe pse opozita joparlamentare dhe ndërkombëtarët janë shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese. Rama, qëndrimit të tij për lista të hapura, i ka dedikuar një spot, të ngjashëm me spotet elektorale.

■Ministria e Shëndetësisë njofton se në 24 orët e fundit kanë humbur jetën 4 persona nga koronavirusi. Njoftohet se nga 482 testime të kryera, kanë rezultuar pozitivë 119 persona.

Të fundit