Posta e mëngjesit/ Me 2 rreshta: Çfarë pati rëndësi dje në Shqipëri

Mirëmëngjes!

“Posta e mëngjesit” ju sjell një blic lajmesh kryesore ndodhur dje në Shqipëri. Klikoni në hiperlinqet blu nëse doni të lexoni më shumë. Nëse e doni ‘Postën’ në emailin tuaj na shkruani në [email protected]

█ SPAK ka kërkuar konfiskimin e 17 pasurive bazuar në ligjin antimafia të Valentin Selajt, ish i dashuri i moderatores Viola Spiro, dhe familjarëve të tij, pasi dyshohet se janë të fituara si rrjedhojë e aktivitetit kriminal, konkretisht trafikimit ndërkombëtar të drogës, të llojit kokainë.

█ Intervistë me shkrimtarin Gazmend Kapllani: Problemet e gazetarisë shqiptare, nga pavarësia te shkolla.

█ Shqipëria u rendit e parafundit në Europë për Indeksin i Kujdesit Shëndetësor në gjysmën e parë të vitit 2020 nga Numbeo, portali më i madh global për kostot e jetesës dhe të dhënave për cilësinë e kujdesit shëndetësor.

█ Rëndohet situata për shkak të COVID-19 në vend; 5 viktima dhe 140 raste të reja janë shënuar në 24 orët e fundit. Viktimë e virusit vdekjeprurës është bërë edhe drejtori i Birrës “Peja”, Ernest Jusufi.

█ Një shtetas shqiptar është ekstraduar drejt Kanadasë për veprën penale “neglizhencë me pasojë vdekjen”, pasi përplasi me makinë për vdekje në 2014 një shtetase me inicialet C. M.. Erjon Kashari është shqiptari i parë që ekstradohet drejt Kanadasë, pas marrëveshjes së bërë mes dy vendeve.

█ Presidenti i Republikës Ilir Meta ka dekretuar me shpallje  ligjin nr. 112/2020 “Për Regjistrin e Pronarëve Përfitues”, pavarësisht rezervave për mënyrën e ndërtimit të tij. Sipas Presidentit, ky ligj ka rëndësi themelore për Shqipërinë këshu që zbatimi i tij duhet të nisë menjëherë, pa vonesa nga Këshilli i Ministrave.

█ Zgjedhjet në Bjellorusi, Berisha ‘thumbon’ Ramën: Pse hesht Lukashenko i Tiranës në krye të OSBE-së? Thirrje vendeve anëtare të organizatës të konsiderojnë ndërprerjen e menjëhershme të mandatit të Kryeministrit.