Prapaskena/ Nga argumentet deri te ofendimet e avokatëve të Shqipërisë ndaj Macron-it

Presidenti Emmanuel Macron ka sjellë nervozizëm te liderët e Bashkimit Evropian. Të shumtë janë ata të nervozuar me qëndrimin e kreut të shtetit francez, që vendosi veton për të mos lejuar hapjen e negociatave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me unionin.

Në total, numri i shteteve që ishin kundër dy shteteve ballkanike ishte tre. Por sipas burimeve të Politiko.eu, Holanda dhe Danimarka, në rast se Franca do të votonte pro nuk do të bllokonin çeljen negociatave.

Nga 28 vende, 25 ishin pro hyrjes së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kancelarja Angela Merkel nuk ia doli dot që të bindte Macron-in, e ky qëndrim i tij i acaroi jo pak liderët e tjerë. Sipas Politico.eu debati ishte me tone të larta dhe i ashpër, e ndaj kreut të shtetit francez pati sulme nga shumë drejtues të tjerë shtetesh.

Madje për drejtuesit e shteteve nga Evropa Qendrore dhe Lindore, kjo çështje u bë personale. Ata ishin të mendimit se BE do ta humbte besueshmërinë dhe nga kjo situatë do të përfitonin vende si Kina, Rusia, Turqia dhe Arabia Saudite. Ndërsa reformat në Maqedoninë e Veriut u vlerësuan më shumë se sa çfarë është bërë në Shqipëri, rreth 6 shtete nuk donin kategorikisht që dy shtetet ballkanike të ndaheshin.