Flash News

KRYESORE

Prapaskenat/ 22 ditët e servilosjes së Veliajt ndaj Metës për të dekretuar ligjin për Teatrin

Prapaskenat/ 22 ditët e servilosjes së Veliajt ndaj Metës

Mbrëmjen e 5 korrikut, pavarësisht protestave të artistëve e qytetarëve jashtë Kuvendit dhe deputetëve të opozitës në sallën e parlamentit, mazhoranca miratoi ligjin që parashikon shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar. Pas miratimit, ligji do duhej të merrte edhe firmën e Presidentit për të hyrë zyrtarisht në fuqi.

Politiko.al ka mësuar se ligji që parashikon shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar ka mbërritur në presidencë dy ditë pasi ishte miratuar në Kuvend. Për koincidencë, firmat e mbledhura nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, mbërritën tek Meta përpara ligjit të mazhorancës.

Data 27 korrik ishte afati i fundit i Presidentit për tu shprehur për ligjin në fjalë, (20 ditë afat parashikon ligji) në të kundër ligji do të kalonte në heshtje. Meta nuk e dekretoi ligjin duke paraqitur për këtë 9 arsye.

Por çfarë ndodhi gjatë këtyre 22 ditëve, nga mbrëmja e 5 korrikut deri ditën e sotme?

Politiko.al ka mësuar se që në nisje të herës, Rama dhe Veliaj i druheshin që ligji në fjalë do të mund të merrte firmën e Ilir Metës. Por mazhoranca shpresonte që të paktën përgjigja e kreut të shtetit do të vinte brenda këtij sesioni parlamentar, për ta rivotuar sërish.

Për të bindur Metën, angazhimin e mori kryebashkiaku i Tiranës. Pikërisht nga zyrat e Bashkisë së Tiranës, nisën të formuloheshin peticione me firma artistësh që i dërgoheshin Metës, në mbështetje të projektligjit të miratuar nga mazhoranca. Peticionet ishin një kundërpërgjigje edhe për palën tjetër, Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, e cila kundërshtonte shembje e godinës.

Burime nga brenda mazhorancës i thanë Politiko-s se e gjithë propaganda e shpërndarë në media për shembjen e godinës së Teatrit e ka burimin nga zyra e shtypit të Bashkisë së Tiranës.

Në kuadër të kësaj, në 18 korrik, Veliaj u shfaq entuziast në krah të Metës duke mbështetur nisëm e kreut të shtetit për dhurimin e gjakut. “Në emër të Shoqatës për Autonominë Vendore, pjesë e së cilës janë 45 bashki, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu angazhimin për një kalendar të plotë me aktivitete ndërgjegjësuese për rritjen e kontribuesve vullnetarë të gjakut dhe falenderoi Presidentin Ilir Meta për nismën e tij konkrete, që u vjen në ndihmë shumë qytetarëve”, njoftonte Bashkia e Tiranës për aktivitetin ku ishte i pranishëm Veliaj dhe Meta.

Pak ditë më vonë, Bashkia e Tiranës shpërndau një tjetër njoftim ku thuhej se ‘Punonjësit e Policisë Bashkiake i bashkohen thirrjes së Presidentit Meta për të dhuruar gjak’.

Dy ditë para datës 27, kur ishte afati i fundit që Presidenti të shprehej për çështjen e teatrit, Veliaj bëri lëvizjen e radhës dhe të fundit.

Kreut të shtetit ju dërgua një peticion tjetër i firmosur nga një grup artistësh ku kërkonin dekretimin e ligjit. Lista kryesohej nga emri i aktorit të mirënjohur Robert Ndrenika, i cili më herët ishte takuar me Metën për ti kërkuar që të mos shembej godina e Teatrit Kombëtar. Meqë Ndrenika ndryshoi qëndrim, Veliaj shpresonte që të njëjtën gjë të bënte edhe Presidenti.

Por një gjë e tillë nuk ndodhi. Meta renditi 9 arsye pse ligji nuk duhet të hynte në fuqi. Për koincidencë, i pari nga mazhoranca që ju përgjigj për mos dekretimin e ligjit ishte po Veliaj i cili thoshte se ishte zhgënjyer nga Presidenti.

Vendimi i sotëm i Metës ‘i zgjat jetën’ godinës së Teatrit Kombëtar të paktën deri në shtator, ku do të rinis sesioni i ri parlamentar. A do ta rivotojë sërish mazhoranca projektligjin, siç paralajmëroi Veliaj, apo do të tërhiqet, kjo do të zbulohet në shtator./Politiko.al

 

Të fundit