Pjesëmarrja dhe mbështetja që mori sot protesta e studentëve duket se ishte jashtë parashikimeve të ministrisë së Arsimit dhe kryeministrisë, pasi deri ditën e djeshme nuk kishte asnjë shenjë tërheqjeje.
Politiko.al ka mësuar nga burime brenda Ministrisë së Arsimit, se mëngjesin e sotëm, kur ende studentët nuk kishin mbërritur para godinës së ministrisë, ka pasur një komunikim mes drejtuesve të ministrisë dhe këshilltarëve të kryeministrit Edi Rama.
Palët, i thanë burime Politiko-s, kanë komunikuar disa herë mes tyre për të mbërritur më pas tek vendimi për shfuqizimin e VKM-së që parashikonte që studenti duhet të paguante kreditet në lëndët e prapambetura. Vendimi i cili u njoftua nga ana e Ministrisë.
Por jo vetëm kaq, të njëjta burime, bëjnë të ditur se qeveria thuajse ka aprovuar, edhe pse nuk preferoi të bënte publike, edhe pranimin e dy kërkesave të tjera të studentëve. Bëhet fjalë për kërkesën që Bordi i Administrimit të IAL-ve të ketë numër të barabartë votash si nga Ministria e Arsimit dhe Sportit dhe IAL-te, dhe të shtohet një përfaqësues në këtë bord nga studentët, si dhe premtimin për rikonstruksionin, së shpejti, edhe të disa godinave të konvikteve.
Të dyja këto kërkesa qeveria pritet që t’i shprehi si lëshimeve gjatë negociatave që mund të zhvillohen mes përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit dhe studentëve.
Ndërkohë, sa i takon kërkesës tjetër, asaj për përgjysmimin e tarifave studentore, të njëjtat burime thanë për Politiko, se deri më tani pranimi i kësaj kërkese është ende shumë larg, pasi qeveria vështirë të tërhiqet nga ulja e tyre jo më t’i përgjysmojë ato./Politiko.al
Discussion about this post