Flash News

KRYESORE

Prapaskenat e tezës për ndryshimin e kufijve, Albin Kurti: Thaçi po shet territorin e Kosovës për t’i shpëtuar arrestimit

Prapaskenat e tezës për ndryshimin e kufijve, Albin Kurti:

Kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti insiston se synimet për korrigjim kufijsh apo shkëmbim territoresh, janë të gabuara dhe mund të kenë pasoja të dëmshme. Kurti pretendon se ideje e papritur e kreut të Kosovës lidhet me shumë me tendencën e tij për t'i shpëtuar Gjykatës së Posaçme [aludohet për ndonje amnisti të mundshme], e cila kur të krijohet do të skanojë të kaluarën e ish-drejtuesve të lartë të UÇK-së.

“Korrigjimi i kufijve bie tek regjistri i demarkacionit dhe këtë të enjte bëhen saktësisht gjashtë muaj prej se presidenti Thaçi ka nënshkruar marrëveshje me homologun e tij malazez Vujanoviç për korrigjimin e kufirit me Malin e Zi. Ai nuk e bëri me Malin e Zi, kemi marrëveshje të nënshkruar dhe asnjë hap në terren dhe tash po kalon në korrigjimin e radhës. Për bindjen time, ajo çfarë po ndodh më shumë ka të bëjë me tendencën e tij që të jetë sa më larg Gjykatës së Posaçme që e ka imponuar vetë se sa që Kosova të jetë më afër shtetndërtimit apo integrimeve evropiane”, ka  sqaruar ai për ‘Zërin e Amerikës”.

Vetvendose është e angazhuar për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, megjithatë Kurti pohon se është kundër idesë që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë, të falet veriu i Kosovës.

“Unë nuk besoj që duhet ta shkatërrojmë shtetin e Kosovës për t’i bashkuar shqiptarët, unë besoj që forcimi i shtetit të Kosovës është në funksion të bashkimit të tij me Shqipërinë. Unë jam kundër që për ta bashkuar Kosovën me Shqipërinë ta falim veriun e Kosovës, Trepçën, Ujmanin apo ta pranojmë ndarjen e qytetit të Mitrovicës. Forcimi i shtetit të Kosovës, përmbyllja e shtetndërtimit, zhvillimi ekonomik, ngritja e Kosovës si të tillë është në funksion të bashkimit me Shqipërinë dhe jo anasjelltas”, ka përfunduar ai.

Dhe nëse një gjë e tillë do të ndodh, Kurti paralajmëron qartë se rajoni mund të përfshihet nga luftërat, si ato të kaluarat.  “Ne e dimë shumë mirë se si dialogu për territore është më afër luftës se sa paqes konkretisht, presidentët e Serbisë dhe Jugosllavisë në njërën anë dhe ai i Kroacisë në anën tjetër, përkatësisht [Slobodan] Millosheviç dhe [Franjo] Tuxhmani, tërë kohën kanë dialoguar për shkëmbime territoriale e për ndryshime të kufijve dhe kanë dialoguar për territore në përgjithësi dhe paralelisht kanë luftuar. Kanë biseduar atëherë për Bosnjën dhe dialogu i tillë për territore nuk është në kontrast fare me luftën”. përfundoi ai.

Të fundit