Prapaskentat e nënshtetësisë për Janullatosin. Kotzias ia kërkoi Bushatit në Kretë; Pavlopoulos telefonon Metën

Mediat greke kanë zbardhur prapaskenat e dhënies së nënshtetësisë shqiptare Kryepeshkopit të Shqipërisë, Anastas Janullatos, me firmën e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Sipas medieve, kjo kërkesë i është vënë përpara ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati nga homologu grek, Nikos Kotzias, gjatë diskutimeve që zhvilluan në ishullin e Kretës, më 10, 11 dhe 12 nëntor.

Kotzias ishte i pari që reagoi pozitivisht pas njoftimit të Presidencës shqiptare.

Ndërkohë, sot është zhvilluar një bisedë telefonike midis presidentëve të të dyja shteteve.

Prokopis Pavlopoulos ka telefonuar Metën për ta falënderuar për vendimin për Janullatosin. Presidenti grek ka thënë se “kjo nismë e presidentit shqiptar përbën një hap të rëndësishëm të mëtejshëm drejt një përmirësimi thelbësor të marrëdhënieve midis Greqisë dhe Shqipërisë”.