Presidenca ‘vishet’ me portokalli, Meta: Të dënuarit për dhunë nuk përfitojnë amnisti

Presidenti Ilir Meta ka njoftuar se sonte mbrëma institucioni i presidencës do të ngjyroset me portokalli, në shenjë solidariteti në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave.

Në këtë mesazh, Meta sqaron se nga amnistia e fundvitit nuk do të përfitojnë të dënuarit për dhunë në familje.

“Dhuna fizike e verbale ndaj grave dhe vajzave është dobësi! Nuk është burrëri! Është një plagë e shenjë turpi për shoqërinë, një pengesë e madhe për zhvillimin gjithëpërfshirës, të barabartë dhe të qëndrueshëm.

Në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave i bashkohem fushatës botërore “Ta ngjyrosim botën portokalli” duke i dhënë sot në mbrëmje këtë ngjyrë Institucionit të Presidencës.

Përsëris qëndrimin tim të palëkundur për të mos amnistuar asnjë të dënuar për vepra penale të dhunës në familje”, shkruan Meta.