Flash News

KRYESORE

Presidenti armen ftesë homologut shqiptar për samitin. Ilir Meta: Ne mbështesim Azerbajxhanin

Presidenti armen ftesë homologut shqiptar për samitin. Ilir Meta: Ne

Në të njëjtën ditë kur ambasadorja shqiptare jo-rezidente në Armeni, Adriana Hobdari dorëzoi letrat kredenciale te presidenti i këtij vendi, Ilir Meta, president i Shqipërisë, ka bërë një deklaratë kundër Jerevanit.

Meta ka deklaruar nga Azerbajxhani, ku po qëndron për një vizitë zyrtare, se në konfliktin për rajonin Nagorno-Karabakh midis armenëve dhe azerëve, Shqipëria mbështet këta të fundit.

“Shqipëria qëndron me Azerbajxhanin në konfliktin Nagorno-Karabakh dhe rivendosja e paqes dhe stabilitetit është e një rëndësie të madhe”, ka thënë Meta.

Ndërkohë, presidenti armen Serzh Sargsyan diskutoi sot me ambasadoren shqiptare për ftesën që i ka dërguar Metës për të qenë i pranishëm në Samitin e Frankofonisë që zhvillohet në Jerevan këtë vjeshtë. Ai tha se do ishte i lumtur të mirëpriste Metën në Armeni, pasi marrëdhëniet midis dy vendeve duhet të zgjerohen.

Sa i përket rajonit të kontestuar, Ilir Meta ka mbajtur të njëjtin qëndrim edhe kur ishte kryetar Kuvendi, në prill të 2016-ës.

Nagorno-Karabakh ka qenë një rajon autonom brenda Bashkimit Sovjetik dhe në vitin 1991 me shembjen e komunizmit shpalli pavarësinë edhe nga Azerbajxhani. Megjithatë, pavarësia e këtij rajoni nuk u pranua kurrë dhe ai u njoh më pas nga komuniteti ndërkombëtar si pjesë e Republikës së Azerbajxhanit. Gjithsesi, që prej vitit 1988, qeveria e Azerbajxhanit nuk ushtron asnjë funksion brenda territorit të Nagorno-Karabakh, i cili drejtohet nga qeveria e ‘Republikës së Artsakh’.

 Nagorno-Karabakh popullohet nga etnikë armenë dhe herë pas here konflikti me qeverinë azere përfundon në përdorimin e armëve.

Të fundit