Presidenti i Kinës Jinping: Do ta mposhtim patjetër këtë epidemi

Presidenti i Kinës Xi Jinping deklaroi se autoritetet vendase kanë marrë masa të shumta për të ndalur përhapjen e koronavirusit në vend, ku deri më tani kanë humbur jetën mbi 100 persona.

Ai u takua me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), Tedros Adhanom Ghebreyesus, ku i tha se populli kinez po bën luftë serioze me epideminë e koronavirusit.

“Siguria e jetës dhe shëndeti i masave popullore janë çështjet më kryesore, prandaj kontrolli i epidemisë është puna më e rëndësishme aktuale. Kam udhëzuar dhe planifikuar gjithmonë. Unë besoj se, nëse kemi besimin e vendosur dhe marrim masa shkencore dhe të drejta, do të mposhtim patjetër këtë epidemi”, deklaroi kreu i shtetit kinez.

Ndërsa Ghebreyesus vlerësoi faktin se pala kineze publikoi informacione transparente, zbuloi virusin në një kohë rekord dhe ndau informacionet për virusin me vendet e tjera.

Ai shprehu besimin se masat e Kinës do ta kontrollojnë efektivisht dhe do ta mposhtin këtë epidemi.