Flash News

KRYESORE

Presidenti Meta pozicionohet kundër ndryshimit të kufijve: Integriteti i Kosovës është realitet i njohur

Presidenti Meta pozicionohet kundër ndryshimit të kufijve: Integriteti

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta është shprehur për herë të parë për mundësinë e ndryshimit të kufijve të Republikës së Kosovës, duke u pozicionuar kundër këtij propozimi.

Në një intervistë për ‘Albanian Daily News’, Meta ka theksuar se për Shqipërinë është e rëndësisë së veçantë parimi i mos-ndryshimit të kufijve. Ai është shprehur se sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është tashmë realitet i njohur dhe i pranuar nga shumica e vendeve anëtare të OKB-së.

“Për Shqipërinë është i një rëndësie të veçantë respektimi i parimeve bazë të sanksionuar në Kartën e Helsinkit dhe të Parisit të OSBE për sigurinë në Europë, veçanërisht parimi i mos-ndryshimit të kufijve. Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është realitet i njohur dhe i pranuar tashmë nga një shumicë bindëse e vendeve anëtare të OKB-së. Kosova është sot anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare dhe rajonale. Shqipëria është krenare që ka kontribuar në këto arritje të rëndësishme dhe mbetet e vendosur në angazhimin e saj për anëtarësimin e plotë të Kosovës në OKB dhe në BE”, ka deklaruar presidenti.

Ilir Meta ka mbështetur edhe qëndrimin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili gjithashtu kundërshtoi ndryshimin e kufijve.

“Unë mbështes qëndrimin e qeverisë së Shqipërisë në përkrahje të përpjekjeve të qeverisë së Kosovës për ruajtjen e stabilitetit, integritetit territorial, karakterit multietnik të shtetit të Kosovës dhe garancive të rëndësishme ndërkombëtare, Plani Ahtisari e Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës, i cili legjitimoi të përputhshëm me të Drejtën Ndërkombëtare Pavarësinë e Kosovës”, thotë Meta.

Sa i përket qëndrimit jo të qartë që Bashkimi Evropian po mban për këtë çështje, Meta thotë se “çdo tentativë për të imponuar modele të ndryshimit të kufijve, jo vetëm do të cenonte stabilitetin e rajonit por do të vinte në rrezik edhe frymën dhe parimet e BE-së për të cilat ajo është investuar nga themelimi i saj deri sot.”

Presidenti është shprehur gjithashtu kundër një plani për shkëmbimin e popullsive midis Kosovës dhe Serbisë.

“Është jetike që jo vetëm të mos rikthehen më kurrë pamje të shpërnguljes ose lëvizjes me dhunë të familjeve, qofshin këto serbe apo shqiptare, por edhe asnjë familje e vetme nuk duhet të mendojë shpërnguljen për shkak të pasigurisë që sjell debati i ndryshimit të kufijve”, deklaroi Meta.

Të fundit