Presidenti Meta takim me kreun e Komunitetit Musliman: T’ju kthehen dhe kompensohen pronat

Presidenti Ilir Meta ka pritur sot në një takim kryetarin e Komunitetit Mysliman Shqiptar, Haxhi Bujar Spahiu, me kërkesë të këtij të fundit.

Meta vlerësoi rolin e Komunitetit Mysliman, që nga themelimi i shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme në promovimin e bashkëjetesës dhe harmonisë fetare në vend, si dhe në forcimin e shtetit tonë.

Presidenti Meta theksoi rëndësinë e madhe të bashkëpunimit mes institucioneve fetare në vend me ato shtetërore në të gjitha fushat, që nga arsimi, shëndetësia, solidariteti shoqëror me më të pamundurit dhe njerëzit në nevojë.

Gjithashtu u theksua roli i jashtëzakonshëm i bashkësive fetare, në veçanti të KMSH-së, për mbajtjen e rinisë larg veseve, drogës dhe kriminalitetit, që dëmtojnë kohezionin social dhe shkatërrojnë familje e jetë njërëzish.

Presidenti Meta vuri në dukje domosdoshmërinë e intensifikimit të përpjekjeve për të bërë të mundur kthimin e pronave Bashkësive Fetare dhe kompensimin e tyre, sa më parë.